Hidrocentrali i Skavicës, pranimi i ankesës nga Gjykata Kushtetuese rikthen shpresën tek mjedisorët

Hidrocentrali i Skavicës, pranimi i ankesës nga Gjykata Kushtetuese rikthen shpresën tek mjedisorët

Pas një ankese të katër organizatave mjedisore të huaja e vendase dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit mbi planifikimin e ngritjes së hidrocentralit të Skavicës në lumin Drin nga kontraktori amerikan Bechtel, Gjykata Kushtetuese pranoi të rishqyrtojë ligjin në lidhje me këtë rast.

Një deklaratë e përbashkët për shtyp e rrjetit CEE Bankwatch, organizatës mjedisore EuroNatur, Shoqatës për Mbrojtjen e Drinit të Zi, dhe Grupit të Aktivistëve Rural të Dibrës deklaroi se Gjykata Kushtetuese në Shqipëri do të rishqyrtojë ligjin për ngritjen e hidrocentralit të Skavicës nga kontraktori amerikan Bechtel.

“Ne shpresojmë shumë që ky ligj të anulohet, Skavica të mos bëhet dhe ky rast të shërbejë si një mësim dhe motivim për të gjitha rastet e ngjashme dhe të tjera që i shohim rëndom çdo ditë”, i tha BIRN Majlinda Hoxha, koordinatore e Grupit të Aktivistëve Rural të Dibrës.

Në qershor të vitit 2021, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe kompania amerikane Bechtel nënshkruan një marrëveshje për fillimin e punimeve të hidrocentralit të Skavicës mbi lumin Drin me qasje të përshpejtuar.

Në deklaratën për shtyp të mjedisorëve shkruhet se kontrata e Bechtel është kontroverse dhe qartazi pa procedurë tenderimi.

“Duke anashkaluar prokurimin dhe konkurrencën e hapur, kjo marrëveshje ngre dyshime mbi korrupsion të mundshëm dhe dyshime mbi vlerën e parave të projektit. Ajo gjithashtu shpërfill vlerësimin e ndikimit në mjedis”, shprehet Andrey Larev, aktivist i biodiversitetit pranë rrjetit CCE Bankwatch.

Ankesa e depozituar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe Shoqata për Mbrojtjen e Drinit të Zi me mbështetjen e EuroNatur dhe rrjetit CCE Bankwatch pretendon shkeljen e parimeve të barazisë ligjore dhe lirisë ekonomike në dhënien e kontratave publike.

Në vitin 2021 përfaqësuesit e kompanisë Bechtel deklaruan se diga e Skavicës do të shërbejë si një mbrojtje më e madhë ndaj përmbytjeve të përvitshme.

“Skavica do të rrisë prodhimin e kaskadës dhe do shtojë sigurinë dhe përfitimet mjedisore. Kombinimi i projekteve ekzistuese aktualisht rezulton në prodhimin më të madh të energjisë në Ballkan, me një prodhim të kombinuar që arrin deri në fuqinë 1350 MW”, u shpreh dy vite më parë Andrew Patterson, menaxheri i zhvillimit te projektit në kompaninë Bechtel, pas nënshkrimit të marrëveshjes me Shqipërinë.

Hoxha ngre alarmin e rrezikut jo vetëm për biodiversitetin, por edhe për komunitetin e banorëve të zonës.

Ajo shtoi se janë 41 fshatra dhe më shumë se 2500 shtëpi në bashkinë e Dibrës që kërcënohen nga ky projekt, dhe që e kanë mirëpritur përgjigjen e gjykatës.

“Banorët janë më shpresëplotë tashmë dhe e kanë pritur shumë pozitivisht pranimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoxha, duke theksuar se impaktet sociale të Skavicës mund të rezultojnë më të dëmshmet e të gjitha digave në Europë deri më sot.

Sipas organizatave mjedisore, pranimi i ankesës nga Gjykata Kushtetuese për gjykim në seancë publike plenare është një arritje e rëndësishme, pasi përbën një ndër çështjet e rralla të ankesave të pranuara nga Organizatat e Shoqërisë Civile.

“Deri më tani nuk ka një datë të përcaktuar nga gjykata, por fakti që kemi kaluar fazën e parë na ka dhënë shumë shpresa që e drejta jonë do të respektohet”, përfundoi Hoxha./BIRN/