Zagoria! A është vërtet një tërheqje?

Zagoria! A është vërtet një tërheqje?

Vetëm pak orë përpara mbërritjes së kompanisë Shell për zhvillimin e dëgjesave për kërkime nafte në fshatrat Nivan dhe Sheper, në zemër të Zagorisë, aty ku priteshin dhe kundërshtimet më të mëdha nga komuniteti, një deklarim i kombinuar, fillimisht i përfaqësuesit më të lartë të kompanisë për Shqipërinë, në një intervistë për RTSH, datë 23 Janar 2019, e një ditë më pas prej Kryeministrit në twitter, që njoftonin moskryerjen e shpimeve në Parkun Kombëtar të Zagorisë, i raportuar plot eufori në media, krijoi bindjen se Shell braktisi projektin.

Në të vërtetë nuk ka asnjë braktisje. Le të analizojmë deklaratën, hollësisht, në sfondin e dokumenteve të hapura dhe konfidenciale, të siguruara nga Porta Vendore!

Thelbi i saj nga përfaqësuesi i shoqërisë ndërkombëtare të energjisë Shell, Rohan D’Souza, është: “Pavarësisht rezultateve të studimit sizmik, Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese e shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë”.

Duhet kuptuar se kompania nuk përjashton plasjet (12m nëntokë) gjatë fazës së studimit sizmik, por aktivitetet për hapjen e puseve (6000m nëntokë) të naftës dhe kjo, siç do ta shohim më vonë, në një tjetër fazë dhe vetëm për një zonë të caktuar. Janë pikërisht këto dy nocione të ndryshme të cilat u përcollën si të njëjta në media që shkaktuan pështjellimin dhe, të përforcuara nga postimi në Twitter i Kryeministrit disa orë më vonë, krijuan idenë se Shell po tërhiqej nga Parku Kombëtar i Zagorisë. Meqënëse debati kryesisht po zhvillohet me pranimin ose jo të plasjeve,le të mbetemi te pjesa e parë e deklaratës që ka të bëjë me studimin (kërkimin) sizmik.

Në qendër të fotografisë, koordinatat e nënzonës qëndrore të Parkut Kombëtar të Zagorisë

Në përputhje me dokumentet e kompanisë, ashtu sic Porta Vendore ka raportuar edhe më herët, “..studimi synon grumbullimin e të dhënave, duke përdorur si burime të energjisë sizmikenjë kombinim të lëndës eksplozive që vendoset nëntokë… Pra,siç shihet,nuk i përjashton plasjet dhe sipas kompanisë ato do të kryen, ashtu siç e parashikon dhe dokumentacioni i Shell: përgjatë gjithë korridoreve të linjave sizmike të Bllokut 4 ku shtrihet projekti. Por grupet e interesit dhe komuniteti janë kundër përdorimit të eksplozivit, ndërsa shoqatat mjedisore dhe ambientalistët edhe kundër shndërrimit të Parkut Kombëtar në një zonë nafte. Përmes deklaratës,Shell na konfirmon se studimi sizmik do të kryhet i plotë në të gjithë territorin e Parkut Kombëtar, madje edhe në nënzonën qëndrore të tij. Kështu që nuk kemi të bëjmë me një tërheqje per ndërhyrje në zonë, përkundrazi.

Përdorimi i plasjeve, veçanërisht në nënzonën qëndrore të Parkut, është bërë objekt diskutimi edhe mes kompanisë dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe nuk ka marrë ende zgjidhje. “Porta Vendore” ka siguruar komunikimet e mbyllura mes kompanisë Shell dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) e cila kjo e fundit, qysh prej qershorit të shkuar po administron territorin e Parkut Kombëtar të Zagorisë.

Komunikimet tregojnë se mes palëve ekziston një konflikt mbi metodën e energjisë që do të përdoret, veçanërisht në zonën e mbrojtjes strikte të parkut kombëtar. Në komunikimin e 7 shtatorit 2018, Rohan D’Souza i kërkoi zyrtarisht AKZM përdorimin e plasjeve në të gjithë territorin e parkut. Më konkretisht, Shell premtoi mospërdorimin e plasjeve në “Bredhi i Hotovës — Dangëlli”(një tjetër zonë e mbrojtur brenda Bllokut 4), me kusht që t’i lejohej përdorimi i tyre në pjesën tjetër të Parkut dhe sipas kërkesës, edhe në ato territore, kordinatat e të cilave bien mbi zonat e mbrojtura. AKZM-ja përgjigjet në 29 tetor 2018, por u referohet vetëm vibrimeve, duke mos i përmendur plasjet (shpërthimet). Pra, as po, as jo!Por nëse i kthehemi komunikimit të 7 shtatorit, Shell është shprehur: “…është e pamundur marrja e imazheve sizmike duke përdorur medodën sizmike pasive….. sepse kjo gjë nuk do të sillte informacionin e mjaftueshëm. Për rrjedhojë udhëzimi i juaj për mos lejimin e medotave të tjera nuk është i përshtatshëm”. Dhe metoda tjetër është plasja, dhe nëse i kthehemi deklaratës së kompanisë e cila, gabimisht u interpretua në media si një tërheqje, aty theksohet se kompania do të realizojë studimin sizmik.Pra nuk ka asnjë tërheqje, ndonëse pritet ende miratimi i AKZM.

I vetmi njoftim që mbart vlerën e një lajmi gjendet në pjesën e dytë të deklaratës së kompanisë e cila, sidoqoftë mbetet më shumë një premtim në mirëbesim sesa një garanci zyrtare.

Në pjesën e dytë të deklaratës thuhet që “…..Shell nuk do të kryejë aktivitete kërkuese e shpuese në nënzonën e mbrojtur të Zagorisë”. Sipas ligjit “Për Zonat e Mbrojtura” nënzonës qëndrore të Parkut i sigurohet një mbrojtje ekstreme. Legjislacioni mjedisor nuk e lejon ndërhyrjen e teknologjive intensive në nënzonën e mbrojtur. Fabiola Haxhillari, Këshilltare për Marrëdhëniet me Jashtë, pranë Shell Upstream Albania B.V. na konfirmoi që nëse në nënzonën qëndrore të Parkut do të zbulohet naftë apo gaz, burimi mund të shfrytëzohet sipas metodës horizontale, në distancë, pa qenë e nevojshme hapja vertikale e pusit, natyrisht një metodë e kushtueshme, por një teknikë e cila i përket një faze të mëvonshme, madje në fund të procesit (production).

Ndërkaq, ende pa u përcjellë mirë në media deklarata e Shell, Kryeministri deklaroi në Twitter se nuk do të lejonte shpime në Zagori. Qëndrimi fitoi një reagim publik për shkak të ndjeshmërisë së palëve. Por cila është garancia e një postimi të tillë kundrejt peshës së një kontrate qindra milionëshe, me kohëzgjatje 37-vjeçare, kur vetë kryeministri ishte pjesëmarrës në nënshkrimin saj?

Në nënshkrimin e kontratës së Shell

Në shkurt të 2018-s, kur ministri i tij i energjisë, Damian Gjiknuri, nënshkroi kontratën për Bllokun 4, zyrtarisht i çeli rrugën shpimeve për hapjen e puseve në Parkun Kombëtar të Zagorisë. Kontrata ka saktësuar çdo detaj që lidhet me fitimin, ndarjen e tij mes palëve e deri te një status i privilegjuar për punonjësit e huaj të kompanisë përpara autoritetit doganor. Dhe një kontratë për prodhimin e hidrokarbureve, vështirë që të anulohet në Twitter.

Çfarë kërkon qeveria, Bllokun 4 apo Parkun Kombëtar të Zagorisë? Askush nuk e di më saktësi, për aq kohë që përspektivat e zhvillimit janë të paqarta, së pari për vetëatë.

Në Zagori, dëgjesat publike sapo kanë përfunduar. Kompania do të kërkojë lejen mjedisore për të filluar në maj punën në terren.

E ardhmja e zonave të Zagorisë dhe të Pogonit do të vendoset në pak javë. Për momentin për banorët, por edhe më gjerë, ka vetëm një çështje: a do të jetë Parku Kombëtar i Zagorisë një park i përhershëm, i mbrojtur, apo një propaganda e përkohshme deri në çastin që do të shpërthejë nafta?

Lugina e Drinosit. Përballë M. i Lunxhërisë

Burimi: Porta Vendore Zagori/Artan Rama, 28 Janar 2019