Xylella fastidiosa, patogjen i rrezikshëm, që shkakton tharjen e ullinjve

Bima e ullirit është konsideruar gjithnjë si mit dhe legjendë. Në Epir ose Iliri, ulliri quhej një themel natyral për të gjitha kohërat, element peizazhi. Pema më e mirë që jep vaj të mirë, që lind dhe rrit njerëz të fuqishëm dhe bujarë. Prodhimi dhe konsumi i vajit të ullirit po rritet në botë, të nxitur nga një imazh pozitiv publik. Prodhuesit kryesorë të ullirit evropian janë Spanja (65.6%), Italia (18.3%), Greqia (8.6%) dhe Portugalia (6.8%). Në vendin tonë, prodhimi i vajit të ullirit vlerësohet nga popullata dhe është një produkt i shëndetshëm dhe shumë i kërkuar nga tregu.
Si të gjitha pemët frutore, edhe ullinjtë preken nga parazitët bimorë. Herë pas here ka patur shpërthime të ndryshme të sëmundjeve në ullinj, të cilët kanë ndikuar në uljen e rendimentit të prodhimit të vajit dhe në cilësinë e tij. Gjithashtu prekjet parazitare të pemëve të ullirit janë shoqëruar me trajtime me pesticide, të cilat siç dihet kanë efekte negative në shëndet dhe në mjedis.
Problemi i raportuar nga Italia në fund të vitit 2013 (bakteri Xylella fastidiosa) është vërtet shumë shqetësues, jo vetëm për faktin që u dëmtuan totalisht ullinjtë në pjesën jugore të Italisë, por edhe pse zona e infektuar po rritet dita-ditës. Shumë serioze është se ky bakter strehohet në mbi 300 bimë strehuese duke përfshirë hardhinë, qershinë, bajamet, oleandrën, rozmarinën, etj.
Siç shihet nga fotot tharjes së ullinjve nga kjo sëmundje në Itali, dëmi është jo vetëm ekonomik por edhe mjedisor. Është një agro-pejsazh (në rastin e ullirit) dhe peizazh (në rastin e bimëve dekorative) i dëmtuar tërësisht nga kjo prekje parazitare. Siç u përmend më sipër në Itali në vitin 2013 ka pasur “një tharje të shpejtë të pemëve të ullirit në një pjesë të madhe të gadishullit të Salentos në majën juglindore të Pulias”. Shqipëria, si një vend fqinj me Italinë dhe sipas disa studimeve të modelimit, është vend i mundshëm për përhapjen e X. fastidiosa.
Nga seminari ndërkombëtar i organizuar në Qendrën e Transferimit Teknologjive Bujqësore në Vlorë në vitin 2017, zonë që zë peshën kryesore për kultivimin e ullirit, tregoi se duke qenë se ne jemi një vend fqinj me Italinë, EPPO na konsideron si zonë me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e kesaj sëmundje. Dyshimet më të hershme në Shqipëri janë në Maj 2014 në Dushk — Lushnjë. Simptomat janë tharja dhe degradimi i bimëve. Që nga kjo periudhë kemi analizuar mbi 100 mostra të dyshimta të bimëve të ullirit, si dhe të disa bimëve strehuese si oleandra, etj. Mostrat u morën në Vlorë (Shamogjin, Skrofotina), në varietetet Frantoio dhe Fragivento, në Radë-Maminas, Xarrë-Sarandë, Bilç, Velabisht-Berat, etj.
Analizat për identifikimin e patogjenit i kemi kryer me metodat bashkëkohore, si psh: me testet serologjike DAS-ELISA duke përdorur kitet komerciale të Loewe Biochemica GmbH Gjermani dhe Agritest Itali, identifikimi i AND-së të patogjenit bimor është kryer edhe me metodën molekulare PCR si dhe me metodat më të reja që sygjerohen nga EPPO. Deri tani nga analizat e kryera nuk ka rezultuar që asnjë nga bimët me simptoma të ngjashme të jetë e infektuar me bakterin X.fastidiosa.
Në vendin tonë me Urdhër Nr. 409 date 21.08.2014 të Ministrit të Bujqësisë, Zhvillim Rural dhe Administrimit të Ujërave është ndaluar importi i fidanëve të ullirit nga zona e Puglias. Duke pasur parasysh rrezikshmërinë që paraqet kjo sëmundje për bimën e ullirit, krahas masave administrative në workoshopin e organizuar në Vlorë u propozua që Ministria e Bujqësisë të formatoj një grup pune me specialistë të njohur të kesaj fushe, por edhe me tej, që të mundemi të sinjalizojmë në kohë, praninë e këtij patogjeni bimor. Hartimi i një programi pune në këtë rast do lehtësonte menaxhimin në vazhdimësi për praninë e sëmundjes së shkaktuar nga Xylella fastidiosa në Shqipëri.
- Me anën e këtij shkrimi duam të informojmë dhe sensibilizojmë Ministrinë e Bujqësisë, të Mjedisit, Bashkitë në zonat që kultivohet ulliri, qendrat e transferimit të teknologjive bujqësore por edhe fermerët rrezikshmërinë e lartë që ka përhapja e këtij patogjeni në vendin tonë.
Botuar nga Prof. Magdalena Cara, Ekomjedisi Durrës me 31 October 2017