Kush dëmton mjedisin do të dënohen dhe penalizohet. Thirrja vjen nga dy ministra të qeverisë, përkatësisht nga Blendi Klosi Ministër i Mjedisit dhe Fatmir Xhafaj Ministër i Brendshëm.

Ata zhvilluan këtë të shtunë një takim me prefektët dhe drejtuesit e policisë në qarqe, në prag të fillimit të aksionit të madh të pastrimit të Shqipërisë.

Në fjalën e tyre ministrat lanë të kuptohet se prefektët dhe drejtuesit e policisë, do të jenë njëkohësisht aktorët dhe përgjegjësit kryesor të këtij aksioni, me qëllim ndaljen e krimit mjedisor.

Ministri Klosi theksoi se ligji do të ashpërsohet, duke u kërkuar drejtuesve të policisë të jenë me të njëjtin vullnet të angazhuar në këtë operacion, ashtu si në operacionin e ndalimit të vjedhjes së energjisë elektrike.

“Kush dëmton mjedisin tonë të përbashkët, që është malli yne i përbashkët, pasuria jonë e përbashkët, mundësia jonë e përbashkët për të zhvilluar turizmin, mundësia jonë e përbashkët për të zhvilluar ekonominë, mundësia jonë e përbashkët për të zhvilluar mirëqënien, duhet të dënohet, të penalizohet”, tha Klosi.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, tha se turizmi konsiderohet prioritet thelbësor për qeverisjen për këtë mandat të ri e do të ketë mbështetjen e nevojshme.