Vlora turistike nuk mund të sakrifikohet për të fituar korporata ExxonMobil
Me firmosjen e memorandumit për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy, humbet Vlora

Plani i një korporate amerikane për të ndërtuar në gjirin e Vlorës terminalin e naftësjellësit, AMBO, 16 vite më parë çoi në krijimin e lëvizjes më të sukseshme qytetare në këto 30 vjet të quajtur Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës. Terminali i naftësjellësit në Vlorë kërkontë një burim të pavarur të energjisë elektrike afër, për të pompuar naftën në supertankerat që do furnizoheshin me naftë në gji të Vlorës. Për këtë arsye në vitin 2002, kur Shqipëria kërkonte të ndërtonte një TEC dhe ishte projektuar vendi i ndërtimit tek vendndodhja e TECit të Fierit, në mënyrë arbitrare vendndodhja u çvendos për në Vlorë, duke injoruar efektin negativ në mjedis, duke injoruar paleverdinë ekonomike, impaktin negativ në sektorin e turizmit, rrezikshmërinë nga shpërthimi etj. Aleanca Qytetare me protestat e saj 3 vjecare ja doli ta ndaloj ndërtimin e terminalit të AMBOs në gji të Vlorës. Si rrjedhoj e reagimit të fortë qytetar në Vlorë edhe terminali i gazsjellësit TAP u çvendos për në bregdetin e Semanit. Fatkeqësisht qeveria shqiptare injoroi protestat e shumta massive, disa vjeçare të Vlorës dhe e ndërtoi TECin duke dëmtuar ekonominë kombëtare me më shumë se 100 milion Euro.
Me firmosjen e memorandumit për ndërtimin e terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy, për futjen e gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Amerika në Vlorë e për ta shpërndarë në gjithë Ballkanin, duke ndërtuar terminal në bregdetin turistik të Vlorës, Shqipërisë i vjen rreziku i madh i ngjashëm i tipit të naftësjellësit AMBO. Dhe për këtë tregti fitimprurëse të Exxon Mobil po përdoret përsëri TECi i Vlorës, që gjoja do kthehet me gaz, ndërkohë që ai është TEC me cikël të kombinuar me naftë e gaz dhe dukshëm pa leverdi ekonomike, sidomos po të llogariten kostot ambjentale.
Së paku pas gati 20 vitesh që është bërë studimi I fizibilitetit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis është e domosdoshme të përsëritet studimi dhe të hartohet raporti i ri ndikimit ne mjedis, si dhe të bëhet diskutimi I gjërë publik. Kushtet janë shumë të ndryshme krahasuar me 20 vite më parë. Alternativat e prodhimit të energjisë janë të tilla që e konkurojnë fort energjinë elektrike të prodhuar nga gazi, aq më tepër të importuar nga kontinenti amerikan. Shqipëria tash po bën realitet energjinë diellore në përmasa të mëdha, falë shkallës së lartë të ndricimit diellor që ka Shqipëria dhe zona e Vlorës më specifikisht.
Tash Shqipëria ka detyrime për reduktimin e emetimeve te CO2, sipas Marrveshjes së Parisit dhe jo të shtoj ato si me këtë projekt gazifikimi.
Një gjë duhet të kujtojnë qeveritarët tanë se Komiteti i Konventës së Aahrusit e gjeti në dështim qeverinë lidhur me pjesmarrjen e publikut në vendimmarrje në rastin e TECit të Vlorës. Dhe qeveria nuk mund dështimin ta konsideroj sukses dhe të shmang publikun nga kjo vendimmarrje kapitale.
A mos vallë shmangja totale e publikut, duke operuar me faktin e punës së kryer, si me këte marrveshje fosile është alternativa e sotme?
Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës nevojitet të ringrihet, dhe kjo menjëherë për të kundërshtuar këtë “pushtim” fosil të gjirit të Vlorës. Kjo aleancë ka mision mbrojtjen e jetës së brezave të ardhshëm.
Kompanitë ndërkombëtare të fosileve po duan të sigurojnë një tranzicion komod ndaj detyrimit global “zero karbon” deri në vitin 2050 e për këtë po synojnë tregje të reja të gazit, sidomos ato amerikane, ku shpesh mënyra e ekstraktimit agresiv të nëntokës për nxjerrjen e gazit me metodën fracking vazhdon edhe pse në BE është metodë e ndaluar me ligj. Në një studim serioz botuar në Tetor të vitit të kaluar tregohet se që nga viti 2010, vetëm pesë gjigantë të naftës dhe gazit – Shell, BP, Total, ExxonMobil dhe Chevron — shpenzuan së paku 250 milionë euro për të lobuar në BE.
Vlora turistike nuk mund të sakrifikohet për hir të fitimeve të pandalshme të një korporate, qoftë edhe shumëkombëshe amerikane, si ExxonMobil.