Vlora e Pavarësisë dhe kapitullimi i Qeverisë ndaj gjeneralëve të fosileve
110 vjetori i Pavarësisë e gjen Vlorën e flamurit, simbol i rezistences së popullit Shqiptar në shekuj me marrveshje bashkëpunimi (kupto kapitullimi) të Qeverisë Shqiptare me gjeneralë të fosileve.
Marrveshja e parë faktike e kapitullimit është ajo e “pushtimit” të Triportit në Gji të Vlorës, ku Qeveria po shpenzon disa miliona për tja bërë të lehtë flotës së fosileve të instalohet aty e të djegë mijra ton naftë të rëndë që do nxijnë qiellin e detin e Gjirit të Vlorës dhe do helmojnë qytetin.
Marrveshja tjetër e kapitullimit është ajo e ndërtimit të TECeve të tjerë në Vlorë, edhe pse koha provoi se Shqipëria nuk ka nevojë për TECe me lëndë fosile, pasi ka plot ujë e diell, madje me burimet e saj të bollshme të rinovueshme Shqipëria mund edhe të eksportoj energji elektrike.
Marrveshja e kapitullimit përfundimtar të Vlorës turistike është ajo e pranimit të instalimit të superterminalit të gazit me kapacitet 5 miliard m3. Me këtë superterminal gjeneralët e fosileve do të fitojnë miliona, duke përdorur Vlorën për të shtrirë tentakulat e shumëfishimit të fitimive në gjithë Ballkanin.
Ndërsa marrveshjet e kapitullimit të Vlorës turistike janë firmosur, Edi Rama deklaron me cinizëm, nëpër konferenca në Europë, se ne “nuk kemi nevojë për gaz, jemi 100% rinjubël”.
Ndërsa marrëveshjet e kapitullimit të Vlorës turistike janë firmosur, Bashkimi Europian po e ngre zërin fort për të kundërshtuar fitimet abusive të gjeneralëve te fosileve, në këtë kohë të krizës shkaktuar nga lufta në Ukrainë, si dhe të krizës më të madhe globale, asaj, klimatike.
Këto marrveshje kapitullimi janë antiligjore. Në kohën e sotme të tilla marrveshje, ku cënohet mjedisi dhe jeta e qytetarëve duhet më parë të jenë pjesë e vendimmarrjes vetë qytetarët e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë. Kjo nuk ka ndodhur.
Gjeneralët e fosileve tentuan 20 vjet më parë të njëjtën gjë në Vlorë, me qeveritë shqiptare, duke nënshkruar marrveshje të tilla “pushtimi” të Vlorës. Populli i Vlorës i grisi këto marrveshje. Do i grisë edhe këto të sotmet.