Verria: Lironi njerëzit tanë dhe bëni referendum!

Verria: Lironi njerëzit tanë dhe bëni referendum!
Protesta në Verri përshkallëzohet me thirrjet kundër pushtetarëve.Si e kaluan banorët natën pas dhunës nga Policia e Shtetit. Për Shekulli-n, flasin Dhimitraq Janji, babai i një prej të arrestuarëve dhe Leonard Janji që u arratis pasi kërkuan t’i merrnin telefonin

Mbrëmja e djeshme ka qenë e gjatë. Shumë prej tyre tregojnë se nuk kanë fjetur. E kanë kaluar natën, ja këtu në këtë shesh duke ndarë mes miqsh gjëmën e madhe që iu ndodhi, të cilën nuk e kishin kaluar ndonjëherë nëpër mend. “Edhe fëmijët janë të frikësuar. Sot, mezi pritën të mbaronin shkollën që të na bashkoheshin këtu pranë”, thotë një prej banorëve. Në Verri po bëhet zhurmë e madhe. Çdo portë e shtëpisë është e hapur, por njerëzit e saj nuk janë aty. Ata janë mbledhur të gjithë bashkë në sheshin kryesor të fshatit, pranë shkollës, ku edhe presin t’iu vijnë mediat, që t’i përkrahin. “Shyqyr, sot paska ca televizione”, thotë një tjetër banor, teksa i afrohet një prej kamerave. Gumëzhimat e grave nuk ndalen. Ato janë të vendosura që të mos heshtin përballë vështirësisë së tyre më të madhe, jetesën e tyre dhe të fëmijëve. “Kam dy vajza në shkollë të lartë. Të dyja studente të ekselencës. Janë me notat më të mira. Ne me këtë punë i ushqejmë.

I ndihmojmë të shkollohen. Tani, ku ti shpiem”, thotë e përlotur një grua mes turmës. Një plak rreth të tetëdhjetave është mbështetur anë murit dhe po dredh një cigare. Ka vendosur një kapele në kokë dhe mban veshur një pallto të madhe ngjyrë kadife. Duket sikur gjithë bota i ka rënë në kokë. Atij i dhimbset ky vend, ky fshat, por mbi të gjitha fëmijët, të cilët u përfshinë në dhunën që policia ushtroi ndaj tyre. “Më morën deh mua, 80 vjeç. Nuk keni turp iu thamë”, thotë i moshuari mes lotëve, teksa tregon edhe momentin kur policia e rrëzoi në kanal atë dhe tërhoqi zvarrë vajzën e tij. “Kur më morën vajzën zvarrë dje, doja thjesht të kisha fuqi t’i kundërvihesha. Unë jam plak. Kjo është policia jonë? Kështu na mbron policia jonë?!”. Mes turmës kishte edhe fëmijë. Ata mundoheshin t’i shmangeshin bisedës mes lojërave, por ishte e pamundur të mos dëgjoje zërat e më të rriturve, atyre që tregojnë mashtrimin që iu ka bërë qeveria.

“Erdhën forcat renea dhe të fnshs për ne këtu. Administratori i zonës sna ka mbështetur fare. Na doli garant në fillim dhe na tha që nuk do të bëhet. Na mblodhi, ne i thamë nuk duam plehrat. I kërkuam me shkrim, por tha që nuk del dot para Ramës. Mua më duket se jam në kërkim. Këtu ende nuk kanë ardhur policë të tjerë. Këta po e blejnë kancerin me lekë dhe po ia japin këtij populli. Në për qumësht na ka thënë që sot ai i blegtorisë. Nëse ndërtohen plehrat, ne nuk vijmë të marrim qumësht, as perimne nuk do të na marrin më. Lopët ku do i çojmë? Me se do i ushqejmë fëmijët. I kemi të gjithë me shkollë të lartë dhe po rrinë nëpër shtëpi. Ku do të jetojnë fëmijët. Ja e zëmë se ikën dhe mbaruan. Po këta fëmijë ku do hanë, ku do jetojnë? Nipërit dhe mbesat tanë. Jeta e tyre është në rrezik. Duhet të nxjerrin personat që kanë brenda.

Çfarë bënë ata, a vranë a prenë? Policia vuri dorë mbi ne. Ky është mëkat. Turp i madh!”. Sakaq, personat që janë arrestuar nuk janë liruar ende. Disa thonë se do të rrinë edhe disa ditë, të tjerë nuk kanë informacione, ndërsa disa banorë kanë frikë se mund të vijë policia dhe t’i arrestojë nga momenti në moment. Dhimitraq Janji është mes turmës. Ai kërkon me zë të lartë, që t’i lirojnë djalin. Po i dridhet buza. Është 64 vjeç dhe kurrë nuk ka parë një ndodhi të tillë. Një bujk, i cili gjithë jetën e tij ka punuar në tokë, me perime, në mënyrë që të mbajë familjen e bashkuar në këtë vend, në këtë tokë, ku sot kërkojnë të ndërtojnë inceneratorin.

“Unë jam babai i një prej djemve që u arrestua. Unë isha duke ikur me djalin tim, kur e mori policia dhe e futi brenda.një veprim etnik, serb. E mori djalin kot fare. Përse? Sepse filmoi me telefon. E morën në rrugë. Ne tani kemi tokat atje. Unë si person atje afër kam mbjellë një hektar e gjysmë perime. Kush do të mi marrë mua? Me se do ushqehemi ne? Unë jam 64 vjeç. Nuk kam parrë të tillë polici. Dhe polici ankohet, që nuk bëjnë dot as vrap për 50 metër. Çtë bëja unë. Vajtë, kot te policia. Tani e kanë dënuar edhe për tre ditë të tjera. E mbajtën gjithë ditën e mbrëmjen e djeshme në të ftohtë, në koridor. Ashtu i kanë lënë. Nuk e dimë ende arsyen. Shumë keq kështu. Na kanë rrahur. Djali im është 30 vjeç. U arrestuan 4 veta. Eridioni, Zylyftar Delibashi, Aleksandër Bita dhe Bledar Bita. Më vjen aq inat që më mori djalin se nuk bëri asnjë gjë.

Më shumë kishte policë. Më shumë protestën e bënte policia. Ata edhe me kallëm na vrisnin. Policia nuk ka ikur akoma. Është atje. Nuk është puna vetëm për ajrin, por do ndotet edhe uji poshtë tokës. Do lahemi, do ndotet edhe nëntoka nga ai ujë prej impiantit. Të paktën të na thonë çdo bëhet. Nëse thonë se nuk kanë ndotje, atëherë përse kërkojnë firma. Ne jemi kundër inceneratorit. Ne s’na përgjigjet asnjë. I kemi të gjithë kundër”, thotë Dhimitraq Janji. Leonardi, djali i vogël i tij, u arratis dje në mes të ditës. Ai po filmonte ngjarjen ku mediat nuk ishin. Policia dhe i plotfuqishmi i zonës e kundërshtuan veprimin e tij. “Arma jonë ndaj policisë ishte celulari. I plotfuqishmi i zonës, në vend që të mbrojë popullin e tij hidhet në sulm drejt banorët. Ky, aty i irrituar m’u çua drejt dhe tentoi të më qellonte. Për një moment i ra situata nga duart dhe thashë se si dihet çfarë po ndodh. I lashë telefonin dhe u largova.

Në atë moment ma lëshoi telefonin. Si duket e kuptoi që bëri gabim dhe që s’duhet të arrinte deri në atë fazë. Unë largohem sepse shoh që u nxeh sitatta. Vjen shefi i rendit, më afrohet nga pas. I kthehem dhe i them-urdhëro, merre telefonin!- Jo të duam ty, më tha. Unë u largova, ika dhe nuk më kapën dot. Gruan dhe fëmijët i çova te gjyshi. Nuk doja që të terrorizoheshin”, thotë Leonardi, teksa mes dhimbjesh tregon frikën e një nate më parë, për të cilën ai shprehet se nuk do të donte që të përsëritej kurrë. “Kjo natë ishte tmerruese, pa gjumë. Mendja ishte te djali. Nuk di si ta përshkruaj. Në mendje të shkonin të gjitha gjërat. Si mund të vazhdojë e ardhmja jonë më pas? Duhet të merrja gjithë plaçkat dhe të iki që këtu? Ne kemi investuar. Kemi një jetë të tërë që po punojmë këtu. Si mundet? Unë e kam lënë Italinë para 11 vitesh. Nuk dua të iki më. Ku është e ardhmja ime? Këtu kam lidhur jetën. Unë aq para sa merrja në Itali i marr dhe këtu. Kështu e kam punën. Me perimet, me produktet bujqësore. Për ne kjo është kryesorja. Jemi atje ku duhet, në vendin tonë.

Por, tani vijnë na heqin nga shtëpitë tona, janë duke bërë atë që se ka bërë gjermani. Nëse ndërtohet impianti, i bie të lëmë shtëpitë. Më e keqja nëse bëhet në gjithë Shqipërinë nuk jeton më askund. Do detyrohem të largohem sërish. Unë nuk dua ta lë vendin tim. Por, kjo është situata! Dhuna ishte dhe për gratë. Sollën police femra dhe forcat speciale. Dhe ai personi aty merret me produkte bujqësore. Deklarata e kryetarit bie ndesh me ne se ai sado atë tokë ta ketë të vetën nuk mund të ndërtojë pa na pyetur ne. Dhuna që është përdorur nga policia, nuk është për një Shqipëri që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Kjo është një formë shumë e ulët e kryeminstrit ndaj nesh. Mund të shkatërrojë gjithë Shqipërinë një të nesërme. Kjo që po ndodh sot këtu është shembulli më i keq në gjithë vendin. Kjo duhet të kalojë në referendum popullor. Ky kosh plehrash nuk është i nevojshëm. Por, ne jemi të vendosur. Nuk do heqim dorë! Këta mohojnë lirinë e fjalës. Vëllanë tim e morën dje se nuk më kapën dot mua. A bëhet kështu”, thotë Leonard Janji.

Shkeljet që po bën shteti ndaj banorëve dhe kundërshtimi i tyre

“Ne kishim mundësi. Kishim gurë aty. Mundeshim edhe ne të qëllonim, të vrisnim të bënim, por jo. Ne u nisëm në mënyrë paqësore aty. Nuk u nisëm të vrisnim njeri. Do vazhdojmë protestat edhe sikur të vdesim atje. Ku do ushqehemi ne? Ne me këtë tokë po ushqehemi. Ai që thotë unë jam pronari i tokës le të vijë dhe ta punojë tokën si unë, si këta fshatarët tanë. Ne nuk kemi kundërshtim. Por, ka plot kripore për të ndërtuar impiantin. Kështu bëhet shteti?! Këtu në mes të Myzeqesë po e kthejnë një hambar plehrash. Na thanë se nëse nuk do populli nuk do bëhet. Erdhën morën votat dhe tani na thonë: unë jam i emëruar, nuk jam i zgjedhur. Po që u zgjodh, u zgjodh nga ky popull këtu. Po ta kenë për turp ta kenë! Ky është shteti ynë. Shtet i fëlliqur!”, thotë me zë të lartë një grua mes turmës, teksa të tjera banorë mbështesin në brohorima thirrjen e saj.

“Lironi vëllezërit tanë! Bëni referendumin”! Këta njerëz nuk dorëzohen. E kanë të vendosur që do t’i shkojnë kësaj detyre deri në fund. Asgjë nuk do i ndalë. Avokati Adriatik Lapaj ndodhet mes tyre. Ai dëgjon banorët dhe tregon për Shekullin, shkeljet ligjore që janë bërë në këtë rast. “Në gjykimin tim, këtu po shkelen dy të drejta kushtetuese shumë të rëndësishme, që është neni 21 i kushtetutës që bënë fjalë për mbrojtejne e jetës, që është e garantuar. Ne jemi në kushtet kur ky komunitet beson se po i cënohet jeta. Prona e këtyre banorëve është toka. Këta e kanë të lidhur jetën me tokën, me bujqësinë me blegtorinë dhe për sa kohë që kërkon të ndërtosh një gjë që nuk është miqësore me këtë veprimtari që këta e kanë jetësore, ti u pret atyre të ardhurat ekonomike dhe u cënon pronë. Cënimi i këtyre të drejtave në kuptimin juridik dhe kushtetues është shumë i rëndë dhe shumë i dënueshëm. Pastaj, në aspektin moral, shoqërir shëndetësor e me radhë flasin ekspertët që na kanë thënë se në Verri dhe mbarë zonat ku duhet të ndërtohen inceneratorët nuk justifikohet sasia e plerave që kemi.

Këto janë impiante që duan të ndërtohen në një kapacitet 10 herë më të madh se sa plehra prodhon gjithë Shqipëria për të justifikuar nesër atë ligjin e famshëm për importin e mbetjeve dhe plehrave, ku do ngrihet argumenti që ne na duhet lëndë e parë për industrinë. Këta banorë janë vendosur në një situatë të paligjshme, dhunohen në pronën e tyre nga Policia e Shtetit, të cilën ne e paguajmë për të siguruar rendin dhe sigurinë publike. Janë në kushtet kur çdo qytetar mund të ndodhej në shtëpinë e tij dhe vjen dikush dhe thotë: shiko, këtë dhomën e gjumit ne do e bëjmë kosh mbeturinash për lagjen. Do qe normale? Nuk mundet. Këtu mund të veprohej ndryshe nga shteti. Duhet të vijnë ekspertët, të ulen me njerëzit, t’i sqarojnë si është situata, të bëjnë një debat publik kombëtar, se nuk janë vepra që flasin për një pusetë apo një cep rruge, por po flasim për vepra që ndikojnë në gjithë vendin, se ajo domatja që prodhohet këtu haet në Tiranë, ai bostani që prodhohet këtu konsumohet në Sarandë. Le ta bindim vendin me argumenta që kjo duhet bërë dhe bujrum ta hedhim në një referendum në Rrethin e Fierit dhe nëse banorët kanë arritur t’i bindin le ta votojnë pro. Kjo është demokracia. Kështu funksionon në çdo vend të botës. Në fund të ditës, Shqipëria është pronë e shqiptarëve. Politikanët janë ca administratorë,që caktohen nga populli. Kështu, që në këtë kuptim këta janë pronar dhe zot dem baba dem të pronës së tyre. Politika është votuar ta administrojë, por nuk iu është shitur prona. Shqipëria nuk mund të zhvillohet duke groposur qoftë edhe një familje të vetme. Zhvillimi duhet të jetë i qendrueshëm sipas standarteve ndërkombëtare”, përfundon Lapaj.

Nga Xhensila Demollaj

Publikuar më 24. 01. 2018 nga Jola Alimemaj, gazeta Shekulli