Vendimi i gjykatës shton rezistencën e banorëve kundër HEC-eve në Valbonë
Ndonëse e pritën të revoltuar dhe me lot në sy vendimin e Gjykatës Administrative në Tiranë, që rrëzoi kërkesën e tyre për pezullimin e HEC-eve në Parkun Kombëtar të Valbonës, banorët e zonës shprehen se vendimi nuk do t’i ndalojë ata të luftojnë për atë që konsiderohet zemra e Alpeve Shqiptare. “Mrekullia është që njerëzit janë më të vendosur se kurrë tashmë për të luftuar. Ata e kanë kuptuar se ç’ndikim do të kenë hidrocentralet te Valbona tani që nuk kanë ujë në shtëpi,” tha për BIRN Catherine Bohne një nga zërat më të fortë kundër hidrocentraleve në Parkun e mbrojtur të Valbonës.
“Vendimi i gjykatës është vrasje mbi shpinën e banorëve,” shtoi Bohne, duke shpjeguar se gjykata nuk dha argumente dhe se shpresat e tyre për një proces të drejtë ishin shpërdoruar.
Aktivistja Bohne tregon se ai që nisi si një proces gjyqësor kundër shtetit shqiptar, u kthye shumë shpejt në një përballje pa argumente mes avokatët e shoqërisë “Gener 2,” firmës koncensionare të dy HEC-eve në ndërtim në Valbonë.
“Avokatët e shtetit nuk kanë folur më shumë se 30 sekonda në seancë, ndërsa avokatët e “Gener 2” na kanë thënë se ne nuk kemi legjitimitet pasi jemi individë, jo komunitet. Ç’është komuniteti veçse një grup individësh?” pyet Bohne duke qeshur me ironi.
Në vitin 2009 dhe 2013, qeveria shqiptare dha koncensionin dhe lejen e ndërtimit për HEC-eve Dragobia dhe Çerem në luginën e Valbonës. Ndërtimet të cilat filluan vitin e kaluar u pritën me protesta të vazhdueshme nga banorët, por kanë përparuar në një shkallë të gjerë siç u pa në disa foto ajrore në tetor 2017, ku punimet ishin shtrirë edhe rrëzë lumit.
Banorët e kanë akuzuar kompaninë që krye punimet pwr ndwrtimin e hidrocentraleve se po përdor 24 orë eksplozivë për të hapur tunelet në mal, akuza të cilat kompania i ka mohuar në gjykatë, por është mbrojtur se gjithsesi ka një leje për të punuar.
Parku Kombëtar i Valbonës gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin.
Aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni tha për BIRN se vendimi i gjykatës ishte absurd, pasi hidrocentralet ndikojnë negativisht në mjedis, duke ndërprerë lidhjen organike të komuniteteve me natyrën.
Ferruni argumenton se çdo ndryshim drastik me diga apo devijim të lumit, dëmton speciet në favor të përfitimeve personale.
“Valbona është park kombëtar, nuk ka sens që të kthehet në park energjetik,” tha Ferruni, duke ironizuar se në të kundërt duhet t’i hiqet statusi i parkut kombëtar.
“Vazhdimi i ndërtimit të HEC-eve është i papranueshëm sot. Epoka e HEC-eve ka mbaruar, një epokë e re e formave alternative të energjisë është shfaqur,” shtoi aktivisti duke paralajmëruar se ato dëmtojnë rëndë planet e Shqipërisë për turizëm natyror.
Në dhjetë vitet e fundit, Lugina e Valbonës është kthyer në një destinacion kryesor të turistëve të huaj dhe shqiptarë, të cilët shkojnë për të shijuar natyrën, kuzhinën tradicionale dhe për të bërë sporte malore.
Përgjatë 25 kilometrave të luginës, banorët të cilët mbahen nga turizmi, kanë investuar të ardhurat e tyre për të krijuar bujtina dhe hotele për turistët, të cilët prej infrastrukturës dhe largësisë nga Tirana, si dhe prej dëshirës për të eksploruar zonën, kalojnë të paktën një natë në Valbonë.
Shumë agjenci turistike ofrojnë ture për qindra-mijëra vizitorë në Valbonë, ku një prej tyre është edhe ajo që drejtohet nga Artion Zotkaj, Albanian Alpine Adventure.
Zotkaj shprehet ende i pasigurit për ndikimin që do të kenë hidrocentralet në Valbonë, por është i sigurt se disa pasoja do të ndihen në turizëm.
“Nuk do të quhet më natyrë e virgjër ajo e Luginës së Valbonës dhe lumi nuk do të jetë më i egër, siç e kërkojnë turistët kur vizitojnë alpet tona,” tha Zotkaj për BIRN.
“Turizmi do të vazhdojë, por do të ketë një lloj tjetër turistësh, jo nga ata që duan natyrën e egër,” shtoi ai duke iu referuar turizmit joaktiv.
“Po shkelen parimet e natyrës dhe pa qëndresë nga komunitetet, ky trend do të vazhdojë duke e dëmtuar turizmin, si në rastin e Langaricës në Përmet,” përfundoi Zotkaj.
Megjithatë, aktivistja Catherine Bohne është e bindur se zjarri i ndezur brenda komunitetit në Valbonë për të luftuar me gjithë forcë planet shkatërrimtare të HEC-eve do të japë rezultat përmes vazhdimit të çështjes në Gjykatën Administrative të Apelit, por edhe kundrejt padive penale ndaj firmave që banorët i akuzojnë për falsifikime dokumentesh.
“Do të ngremë edhe padi të tjera penale ndaj kompanisë tashmë, e cila ka abuzuar me dokumentet dhe lejet,” tha Bohne për BIRN.
Një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri zbuloi në qershor 2016 se 14 HEC-et e dhëna me koncesion nga qeveria shqiptare dekadën e fundit janë dhënë në mënyrë polemike duke shkelur të drejtën e konsultimit të banorëve, kërcënojnë natyrën dhe rrezikojnë turizmin në një nga zonat më të frekuentuara të Alpeve të Shqipërisë.
Në mbrojtje të Valbonës kanë dalë edhe ndërkombëtarët. Fondi Botëror për Natyrën, WWF, organizata kryesore për mbrojtjen e jetës së egër dhe specieve në zhdukje në botë, shprehu keqardhje për vendimin e gjykatës dhe paralajmëroi se ky vendim do të hapë rrugën për dëmtim në mënyrë të konsiderueshme dhe pa kthim të biodiversitetit dhe ekosistemit të kësaj zone të mbrojtur.
Më herët në tetor, Ambasada Gjermane në Tiranë i doli në krah banorëve të zonës, duke bërë apel që Valbona të mbrohet.
“Bukuria e peizazhit të asaj zone duhet t’i përkushtohet turizmit dhe jetëve të njerëzve që punojnë aty. Është një luginë unike, e cila duhet ruajtur,” tha zëvendës ambasadorja gjermane Anke Holstein, duke shtuar se Shqipëria duhet të tregojë kujdes sepse tashmë dëmi i bërë është i madh.
Botuar nga Ivana Dervishi | BIRN me 08 November 2017.