Sot pas pushimit të gjatë veror të gjykatave u zhvillua seanca e gjashta gjyqësore në Gjykatën administrative, Tiranë, lidhur me padinë e banorve të Valbonës dhe shoqatës Toka ndaj Ministrisë së Energjitikës dhe paditësit të shtuar kompanisë Gener 2, që po ndërton HEC në Valbonë.

Seanca dështoi. Arsyeja që u dha nga kryegjyqtarja ishte se gjykatsja Selvie Gjocaj ishte tërhequr nga trupi gjykues, nuk u tha per cfarë arësye është tërhequr , dhe se nuk ishte marrë akoma vendimi se kush do ta zevendësonte. A jemi para një loje të të fuqishmëve ndaj historikisht të dobtëve, të qytetarëve dhe shoqërisë civile?

Ndërkohë në Valbonë vazhdohet me intesitet shkatërrimi i Valbonës, duke ndërhyrë rëndë në shtratin e lumit. Peisazhi i një pjese të mirë të luginës tashmë është denatyruar dhe nga pikpamja e turizmit impakti negative është i dukshëm. Banorët thonë se sivjet turizmi ne zonën e Valbonës ka qënë i vakët dhe më i dobët se vitin e kaluar.

Shtyrja e vendimit të gjykatës është në favor të kompanisë, e cila po shpejton punimet për të synuar përfundimin e ndërtimit të HEC-it, edhe pse ndërtimi ka vazhduar pa leje ndërtimi, sic pat deklaruar vetë përfaqësuesja e KKT-së, dhe shteti nuk ka ndërhyrë për pezullimin e punimeve. Kompania duket beson se nuk do të ketë prishje pas avancimit apo përfundimit të ndërtimit të HEC edhe sikur të humbas gjyqin, pasi po ndërton në Park Kombëtar. Kompania natyrisht mendon dhe skemën e dëmshpërblimit prej shtetit, në shifrat që ajo ka projektuar në rastin më të keq, ose më të mirë për të. Të dëmtuar afatgjatë mbeten banorët e zonës dhe taksapaguesit Shqiptar.