Nuk ka (pse?) krizë energjitike në Shqipëri

Nuk ka (pse?) krizë energjitike në Shqipëri

Thjeshtë. Kriza energjitike në Botë, por sidomos në Europë, është shkaktuar për shkak të nevojës që ka Bota për të reduktuar me shpejtësi përdormin e fosileve; të naftës, qymyrit, gazit, sidomos për gjenerimin e energjisë elektrike, si rrjedhoj e angazhimit global të zbutjes së efekteve katastrofike prej ndryshimeve klimatike, ku Europa qëndron në rol udhëheqës. Lufta në Ukrainë dhe zvoglimi deri në bllokim i furnizimit me gaz i Europës prej Rusisë shkaktoi një agravim të kësaj krize për Europën, e varur në një shkallë të konsiderueshme nga gazi rus.

Shqipëria, e cila gjenerimin e energjisë eletrike e ka të mbështetur tek burimet e rinovueshme të energjisë nuk ka krizë. Shqipëria nuk ka pasur këto dekada energji te gjeneruar nga fosilet e të ketë qënë e detyruar për ti ndaluar ato si vendet e tjera të Europës. Shqipëria nuk ka importuar asnjëherë dhe nuk importon gaz rus edhe tani. Në këtë kontekst është e pakuptimtë që Shqipëria të ketë krizë energjitike. Në vitin 2021 bilanci import-eksport i energjisë elektrike nga KESH ka qënë i barabartë. Edhe në 6 mujorin e parë 2022 diferenca import – eksport e energjisë elektrike është vetëm 13.8%, diferencë që nuk pritet të ndryshoj shumë në 6 mujorin e dytë. Pra në variantin që nuk krijohet asnje burim i ri energjie do të mjaftonte vetëm një kursim në masën rreth 10% të energjisë nga cdo përdorues, si dhe reduktimi i një pjese të humbjes në rrjet që të zhdukej fjala krizë energjitike në Shqipëri.

Në variantin që vetë qeveria ka paraqitur, sipas të cilit për vitet 2023-2024 do rritet energjia e prodhuar vetëm nga panelet fotovoltaike me një kapacitet prej 865 MW, që do të thotë rritje me 30% kundrejt kapacitetit të sotëm të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike mund të ndodhë që qysh në vitin 2024 Shqipëria të jetë neto eksportuese. (tab 1)

Tab 1. Balluku në konferencë shtypi mbi krizen energjitike, Shtator 2022

Në një marreveshje me BERZHin në 2017 Shqipëria qysh në 2020 duhet të kish instaluar 400 MW energji të rinovueshme. Kjo nuk ndodhi. Tash është rritur në mënyrë të natyrshme presioni nga tregu i lirë për prodhimin e energjisë elektrike, sidomos nga panelet fotovoltaike, ku Shqipëria ka avantazh, që ja jep pozicioni gjeografik, si një vend me shumë ndricim diellor. Nga ky presion nuk mund të rezistoj qeveria shqiptare edhe pse duket se lobet e naftës kombëtare dhe ndërkombëtare kanë influencë mbi qeverinë, për sa kohë vazhdojnë të bëjnë plane për futjen e burimeve fosile në Shqipëri dhe pranohen lehtësisht nga Qeveria.

Shembulli më ekstravagant me dëm të madh për ekonominë shqiptare dhe mjedisin në Shqipëri është prurja në Shqipëri e supergjeneratorëve (TECi i Bangladeshit) për të djegur naftë të rëndë me pasoja shumë të rënda, në një zonë turistike dhe me mjedis të brishtë, sic është Gjiri i Vlorës. Përveç kesaj nga taksapaguesit shqiptar do të paguhen rreth 700 milion EUR, për 2 vjet, për TECi e Bangladeshit, që nëse do investoheshin këto miliona për energjitë e rinovueshme do të sigurohej të paktën 5 herë më shumë kapacitet i instaluar për gjenerim energjie se sa ky TEC.

Më tej. Është shumë paradoksale plani për të  vënë në punë TECin e Vlorës e për të ndërtuar TECe të tjera aty, për të cilat Shqipëria ofron vetëm territorin, si Gjirin i Vlorës, realisht territor i destinuar për të gjeneruar të ardhura nga sektorë të tjerë, turizëm, bujqësi, peshkim etj, pa mundur të ofroj asgjë tjetër dhe të jetë konkuruese. Qeveria me TECet do të duhet të importoj lëndë të parë nga Amerika, do të importoj teknologji, specialistë e ndoshta dhe puntorë për të prodhuar energji. Natyrisht edhe sikur ta sakrifikojme Vlorën për ta kthyer atë tokë e gji nafte e gazi, përsëri KESH nuk do të blinte këtë energji, pasi energjia e prodhuar nga burimet e rinovueshme në Shqipëri është dhe do të jetë disa herë më e lirë.

Nuk dihet se si mund t’ja vinte emrin lexuesi këtij qëndrimi të Qeverisë së sotme Shqiptare, që edhe 20 vjet më parë fosilizimi i Gjirit të Vlorës u refuzua nga qytetaret e Vlorës.

Gjëja më e mirë është që sot qytetarët, sidomos të Vlorës, të cilët minën me sahat e kanë tash tek Triporti të organizohen për ta çminuar atë.