Tiranë: si do t’ja bëjmë mikut vdekjeprurës të koronavirusit, ndotësit PM2.5 ?

Tiranë: si do t’ja bëjmë mikut vdekjeprurës të koronavirusit, ndotësit PM2.5 ?

A e ka një përgjigje Erion Veliaj?

Sot me rastin e ditës së Tokës kemi një lajm të mirë. Nga matjet e orës 13 në 4 pika të Tiranës ( Vodafon Albania; kryqëzimi i 21 Dhjetorit; Sheshi Skënderbej dhe Rruga e Elbasanit) rezulton se ndotja nga grimcat e imta PM 2.5 ishte vetëm 14–22 μg/m3 nga 25 μg/m3 që është norma sipas OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetsisë )

Lajmi i keq është, ndryshe nga perceptimi i gjithkujt se karantina ka pastruar ajrin, në Tiranë rezulton se nuk është e vërtetë. Nga një vrojtim i 117 matjeve prej 14 Marsit deri në 22 Prill të këtij viti pandemik në 4 pikat përfaqësuese të Tiranës PM 2.5 rezulton të jetë 2 herë më e lartë se norma e përcaktuar nga OBSH (grafik 1) dhe ne 7% të rasteve rezulton 4 herë më e lartë se standarti. Një tjetër fenomen paradoksal është se ndotja më e madhe rezulton në darkë, kur qarkullimi i mjeteve shkon në zero.

Këtë duhet të na e sqaroj Erion Veliaj. Ajo që duhet pranuar është se kjo ndotje nuk vjen si pasoj e trafikut te dendur. Cili mund të jetë burimi i ndotjes? Ndoshta fabrikat e çimentos?, Fabrikat e çimentos dhe të tjera me filtra të stakuar? Ndoshta përpunimi i pakontrolluar i plehrave të Sharrës ? Grimcat e imta përhapen deri në një reze deri në 100 km e më shumë.

Një studim i qeverisë Britanike përcakton se përqendrimet mesatare për orë të PM 2.5 brenda 20 km kanë një korelacion të fortë (koeficienti i korrelacionit> 0.8). Korrelacioni më pas bie me distancën, por është akoma i lartë në ndarjen deri në 100 km (koeficienti i korrelacionit ~ 0.7).

Por cfarë lidhje ka coronavirusi me grimcat e imta në shëndetin e njerzve?

IARC (International Agency Research Center ) dhe OBSH përcaktojnë se grimcat në ajër janë një kancerogjen i Grupit 1. Grimcat e imta janë forma më e dëmshme e ndotjes së ajrit, për shkak të aftësisë së tyre për të depërtuar thellë në mushkëri dhe enët e gjakut të pa filtruara, duke shkaktuar sulme në zemër, sëmundje të frymëmarrjes dhe vdekje të parakohshme. Në vitin 2013, një studim që përfshiu 312.944 njerëz në nëntë vende të Evropës zbuloi se për çdo rritje prej 10 μg / m3 në PM10, shkalla e kancerit të mushkërive u rrit 22%, ndërsa për grimcat më të imta PM2.5 rezultoi veçanërisht vdekjeprurës, me një rritje prej 36% të kancerit të mushkërive për rritje prej 10 μg / m3 pasi këto grimca mund të depërtojë më thellë në mushkëri.

Ekspozimi në të gjithë botën ndaj PM2.5 kontribuoi në 4.1 milion vdekje nga sëmundje të zemrës dhe goditje në tru, kancer në mushkëri, sëmundje kronike të mushkërive dhe infeksione të frymëmarrjes në 2016. Në përgjithësi, grimcat e ambientit renditen si faktori i gjashtë kryesor i rrezikut për vdekjen e parakohshme globalisht.

Në përshkrimin e Covid-19, komuniteti mjekësor tërheq vëmendjen për rolin shumë të rëndësishëm të ekzistencës së komorbiditeteve ( në këtë rast të bashkëfajësisë) , të cilat rrisin ndjeshëm profilin e rrezikut të një pacienti.

Institucione serioze vërejnë se zonat që kanë pasur shkallë intensive të infeksionit Covid-19 kanë gjithashtu nivele të thella të ndotjes me PM 2.5. Kjo e vërtetuar në Europë dhe jashtë saj, si New York, Wuhan etc. (Fig 2)

Zonat me te ndotura me PM 2.5 ne Europe

Ekziston një studim që nga 2003 i bërë nga studiues kinezë dhe amerikanë që tregon se pacientët nga zonat me një indeks të lartë të ndotjes së ajrit kishin dy herë më shumë të ngjarë të vdisnin nga virusi SARS sesa në zonat ku indeksi i ndotjes ishte i ulët. Sot është duke u përdorur të dhënat dhe modelet e cilësisë së ajrit për të përcaktuar nëse ndotja e rritur e ajrit është e lidhur me përhapjen shumë më të lartë Covid-19. Meqënëse ndotja e ajrit po rezulton të jetë një kontribuese e madhe në përhapjen e koronavirusit dhe / ose shkallën e vdekjes, njerëzit duhet të bëjnë diçka në lidhje me ajrin e ndotur dhe ndryshimet klimatike. “