Të tjerë kosha për riciklim – një tjetër mashtrim
Janë shtuar në Tiranë këto ditë koshat me ngjyrë të gjelbër për materiale të riciklueshme me shkrimin “Letër – Plastik – Kanaçe”. Supozohet që qytetarët duhet të ndajnë mbetjet në shtëpi dhe mbetjet e riciklueshme ti hedhin në koshin e gjelbër. Kjo nuk do të funksionoj, pasi qytetarët janë zhgënjyer. Rreth 5 vjet më parë Bashkia Tiranë promovoi koshat e vecantë për riciklim dhe qytetarët kanë parë se koshat për riciklim zbrazen njëherësh në të njëjtën makinë me koshat me mbetje organike. Makina përfundon në Sharrë dhe të gjita groposen. Atëhere pse duhet familjari ti ndajë qysh në shtëpi? Koshat e rinj të vendosur për mbetjet e riciklueshme tregojnë mashtrimin e rradhës. Mbetjet e riciklueshme do shkojnë në Sharrë dhe nuk do riciklohen, por thjesht do groposen.
Dy supozime që provojnë mashtrimin.
Supozojmë se do ndërtohet inceneratori në Tiranë dhe konçesionari do ndërtoj një linjë të vërtetë seleksionimi të mbetjeve të riciklueshme. Në këtë rast konçesionarit do ti interesonte që letrën, plastikën e të tjera mbetje të riciklueshme ti shiste tek fabrikat e riciklimit në vend që ti digjte. Kjo do çonte në mosfunksionimin e inceneratorit, pasi pjesa tjetër e mbetjeve janë kryesisht organike që kanë fuqi kalorifike të ulët, të pamjaftueshme për të vënë në punë inceneratorin. Ndërkohë qytetarët për 30 vjet do paguajnë koston më të lartë prej 29 Euro për ton, gjoja sikur mbetjet digjen e prodhojnë energji elektrike etj.
Supozimi tjetër. Inceneratori nuk ndërtohet dhe konçesionari merret me seleksionimin e mbetjeve të riciklueshme dhe fiton nga shitja e mbetjeve të riciklueshme. Kështu gjithë mbetjet e riciklueshme të qarkut të Tiranës përqëndrohen në një pikë. A nuk është kjo një situatë e pastër monopoliste?
Nëse ka vullnet për të hapur rrugën për riciklimin e mbetjeve, që është e vetmja rrugë për menaxhimin e mbetjeve duhet të ndodhë menjëherë anullimi i konçesionit të inceneratorit të Tiranës, sigurisht edhe të Elbasanit e të Fierit dhe të investohet në qendrat e transferimit të mbetjeve dhe të adoptohen politika në favor të maksimalizimit të riciklimit. Kjo do të çonte edhe në pastrimin real të Shqipërisë. Shqipëria nuk pastrohet me fushata pastrimi. Shqipëria pastrohet përmes riciklimit.