Tare: Turizmi masiv, strategji e gabuar

Tare: Turizmi masiv, strategji e gabuar

A ka Shqipëria një model turistik i cili do t’i siguronte zhvillim të qëndrueshëm, të ardhura të larta e cilësi? A duhet të rendim drejt turizmit masiv? Cili është modeli i investimeve që do t’i përshtatej produktit tonë?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet që vazhdojnë të na shoqërojnë të paktën gjatë dy dekadave të fundit.


Në një intervistë për “Monitor”, Auron Tare, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, tregon se cili do të ishte shtegu nga ku do duhet të kalojë turizmi shqiptar dhe nga gabimet e kujt duhet të mësojmë.

Shqipëria është vendi i fundit i përfshirë në “ligën” e turizmit, edhe pse jemi afër qendrave botërore, siç është Greqia apo Turqia, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit. Duke qenë të fundit, ne kemi mungesa të mëdha në konceptim, administrim, por kemi një avantazh që mund t’i bëjmë gjërat shumë herë më mirë. Kjo do të thotë se ne nuk duhet të shpikim modele, duke qenë se ato janë. Mund të përzgjedhim një model që i përshtatet si territorit, ashtu edhe mentalitetit dhe më pas ta zbatojmë. Për këtë duhet disiplinë e fortë, të zbatosh penalitete nëse subjektet nuk arrijnë standardet, por gjithmonë duke i orientuar se ku duhet të shkojnë.

Në rastin e Shqipërisë, modeli duhet të jetë një kombinim mes detit dhe malit. Turisti që zgjedh të pushojë në Shqipëri nuk është ai i vetëm “det dhe rërë”. Në këtë fushë, fqinjët tanë na konkurrojnë përmes strukturave të konsoliduara dhe shërbimit cilësor.
Në Shqipëri, vjen ai turist i huaj që kërkon aventurën, por të kombinuar mes detit dhe malit. Ky duhet të jetë fokusi ynë, trendi, veçantia ose “niche”. Kur themi Greqi, ne menjëherë mendojmë kulturën antike apo ishujt; kur themi Itali, kulturën e vjetër, ndërsa për Shqipërinë duhet të jetë kombinimi i turizmit të detit dhe malit. Ky model do të zhvillonte edhe ekonominë rurale, pasi do të nxiste agroturizmin.

Turizmi masiv, strategji e gabuar

Flet Auron Tare, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit

Sot, konsumatorët më të mëdhenj janë familjet me moshë të re, që kanë të ardhura dhe që duan t’i shpenzojnë me udhëtime.
Pra, fokusimi drejt këtij tregu mund të përbëjë një zhvillim pozitiv për Shqipërinë, e cila i ka të gjitha kushtet për t’i shërbyer kësaj kategorie. E ndërsa të tjerët kanë zhvilluar format tradicionale, ne, kemi të gjitha kushtet për të futur këtë trend të udhëtarëve të mileniumit të ri.

Z. Tare, si e vlerësoni ecurinë e turizmit deri tani dhe a mendoni se situata politike në vend do të ndikojë?

Nisur nga ajo çka ne konstatojmë, mund të themi se deri tani situata politike nuk ka pasur ndonjë ndikim tek ecuria e turizmit dhe kjo është pozitive. Operatorët, si të huaj, edhe vendas, nuk e kanë pasur në vëmendje zhvillimin politik dhe kjo nuk do të ndodhë edhe gjatë sezonit të verës, pasi kemi vënë re se që në prill kemi pasur fluks të vizitorëve të huaj. Çdo ditë, edhe në Tiranë mund të shihni shpesh grupe turistësh të huaj. Ndoshta është ende herët, por mund të themi se Shqipëria ka hyrë në rrjedhën normale të turizmit dhe s’mund të flasim me habi për fluksin e vizitorëve, por debati duhet të jetë mbi pritshmërinë e këtyre njerëzve, cilësinë e shërbimit dhe krijimin e produktit të duhur për t’i tërhequr. Këto duhet të jenë edhe pikat e debatit për turizmin dhe jo më ardhja e turistëve.

Cila do të jetë tendenca e turizmit shqiptar për këtë vit, a mund të kemi ndonjë zhvillim të ri?

Unë do të doja sërish të theksoja se Shqipëria nuk është ende e maturuar në produktin e saj turistik. Ka modele, por ne nuk e kemi konsoliduar produktin e saktë, atë që vendi ynë ofron. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm, që vendet e tjera dhe fqinjët e kanë zgjidhur. Italia, Greqia, Mali i Zi, Kroacia etj., kanë produktin apo imazhin e tyre me të cilin tërheqin turistët. Ne jemi në fazën e zbulimit, të së panjohurës. Mendoj se është momenti, nisur edhe nga numri i vizitorëve që po vijnë, që ne të dalim me modele të caktuara turistike. Mendoj se Shqipëria mund të krijojë një model unik, përtej trashëgimisë kulturore (ne nuk mund të konkurrojmë thjesht me këtë pasi edhe vendet e tjera, si Greqia, Italia etj., e kanë) e cila duhet të jetë në lartësinë e duhur për të konkurruar. Megjithatë ne mund të dalim në tregun turistik me imazhin e një vendi malor që ka bregdet, ku turistët mund të tërhiqen nga kombinimi i të dy këtyre aspekteve. Ne nuk mund të jemi një vend që ka resorte, pasi konkurrohemi fort nga fqinjët dhe me sukses. Turqia, për shembull është e pakonkurrueshme nga ne. Por, ne kemi një alternim shumë të mirë të kombinimit të të dyjave, malit dhe detit.

A mendoni se sektori i akomodimit do të nisë të bëhet më konkurrues edhe pas miratimit të reduktimit të TVSH-së në masën 6%?

Mendoj se kjo masë lehtësuese do t’i japë frymëmarrje sektorit hotelier, mbi të cilin presioni i agjencive do të jetë më i madh. Është një masë pozitive ndryshimi i kësaj takse, sepse mund të ofrojmë një produkt me çmim më të ulët.

Së fundmi, kemi parë prezantime projektesh turistike shqiptare apo edhe në bashkëpunim me kompani të huaja për prezantime resortesh me vila dhe apartamente. Si e shihni ju këtë tendencë?

Kryesisht bëhet fjalë për shtëpi të dyta që blihen nga njerëz që kanë një standard të caktuar ekonomik. Por, a do të jenë këto resorte të mirëfillta apo do të shërbejnë si shtëpi të dyta që blihen dhe pastaj shiten? Edhe në të kaluarën ka pasur tendenca të tilla kur lejet e marra kanë qenë për resorte, por më pas janë zhvilluar si shtëpi të dyta.
Besoj se edhe nëse këto resorte ndërtohen duhet të keni një nivel shumë të lartë shërbimi. Personalisht mbetem partizan i modeleve të resorteve të vogla, por me cilësi të lartë. Pra, nuk duhet të shkojmë drejt modelit turk, të turizmit masiv. Në këtë mënyrë mund t’i përgjigjemi tregut të mesëm dhe familjar, pasi ne duhet t’u përgjigjemi trendeve botërore. Sot, konsumatorët më të mëdhenj janë familjet me moshë të re, që kanë të ardhura dhe që duan t’i shpenzojnë me udhëtime.

Pra, fokusimi drejt këtij tregu mund të përbëjë një zhvillim pozitiv për Shqipërinë, e cila i ka të gjitha kushtet për t’i shërbyer kësaj kategorie. E ndërsa të tjerët kanë zhvilluar format tradicionale, ne, kemi të gjitha kushtet për të futur këtë trend të udhëtarëve të mileniumit të ri.
Për shkak të formave të reja të promovimit dhe marketingut, totalisht të kundërta me ato tradicionale, ne mund të ‘goditemi’ nga një valë e madhe njerëzish që mund të vijnë. Ata tërhiqen nga promovimi i bërë nga mediat e reja sociale, ndryshe nga ajo që ne bënim deri dje, krijimi i katalogëve i materialeve informuese. Mund t’ju sjell shembullin e një të riu rus, 24 vjeç, i cili ka rreth 10 milionë ndjekës në blogun e tij. Artikujt e tij lexohen potencialisht nga 10 milionë njerëz. Nuk ka asnjë dyshim që ky është një promovim i suksesshëm, por mund të bëhet i rrezikshëm, pasi nëse shërbimi i akomodimit nuk është në nivelin e duhur, e gjithë kjo të kthehet në efekt të kundërt.

Ju, si agjenci po zbatoni një model të veçantë për tërheqjen e turistëve. E kam fjalën për promovimin e Via Egnantia apo edhe turizmit në zonën e Kurveleshit. Përse kjo zgjedhje?

Ne kemi dashur që t’u largohemi modeleve që bazohen vetëm te fjalët. Prej rreth një viti e gjysmë idetë tona i kemi ndarë dhe konsultuar me ekspertë të huaj, të cilët e kanë vlerësuar, por janë skeptikë në lidhje me zbatimin e tyre.
Vija bregdetare popullohet në një periudhë të shkurtër, e cila maksimalisht shkon në tre muaj, por ai nuk ka lidhje me atë që vjen pas, me tokën përtej detit. Turistët shkojnë në plazhin e Borshit, por nuk e dinë se çfarë bëhet 10 apo 15 kilometra më tej se bregdeti. Ndaj ne menduam që të bënim të shfrytëzueshme itineraret antike, duke lidhur zonat bregdetare me ato malore. Në këtë mënyrë, pushuesi i plazhit dhe i rërës mund të vizitojë brenda ditës zona malore që janë tërësisht të pazhvilluara, pa infrastrukturë. Ideja jonë është që të inkurajojmë pushuesit të shkojnë në këto zona dhe t’i zhvillojë ato. Këto zona kanë potencial shumë të madh turistik e natyror. Aty mund të ngrihen modele të suksesshme agroturizmi që janë të suksesshme në Itali, veçanërisht në zonën e Toskanës, por edhe në Spanjë apo në Francë. Këto zona mund të përfitojnë nga shkëmbimet me pjesën bregdetare dhe të mund të zhvillohen.

Cili ka qenë interesi i deritanishëm për këto itinerare?

Deri tani, kemi krijuar itineraret për pjesën e pas plazhit të Borshit, ku ndodhen kanionet. Kemi bërë markimin dhe sinjalizimin me sistemin GPS nga Borshi drejt malësive të Kurveleshit deri në pjesën e Zagorisë dhe anasjelltas. Ne synojmë që të bashkëpunojmë edhe me pjesën greke të Zagorisë, e cila është kthyer në një model të suksesshëm turizmi, së bashku me zonën e Korfuzit. Qëllimi është që të krijojmë një lidhje reale mes dy tregjeve të maturuara, siç është ajo e Zagorisë dhe Korfuzit. Ky konceptim nuk ka përfunduar ende. Jemi duke restauruar një pjesë fshati së bashku me disa njësi akomodimi të tipit B&B, me numër të kufizuar shtretërish, por që do të bazohen mbi një model që do të japë rezultate edhe në zona të tjera. Kjo do të krijonte atë që njihet si turizmi i qëndrueshëm. Turisti mund të vizitojë një fshat tradicional, mund të udhëtojë me itinerare të markuara, mund të zbresë në breg të detit që është vetëm 20 km larg, shijon kulinarinë e zonës, por njeh edhe traditën. Ne mendojmë që brenda pesë viteve, kjo zonë do të jetë një aset i veçantë për turizmin shqiptar nga Saranda deri në Borsh, duke krijuar një lloj trekëndëshi.

Cili turist synohet të tërhiqet?

Janë kryesisht familje të reja me fëmijë që duan të udhëtojnë dhe të zbulojnë vende të ndryshme. Edhe akomodimi i përgjigjet kësaj logjike. Por, konsumatorë mund të jenë edhe ata turistë që tërhiqen nga aventura, biçikleta, ecja me kuaj, ngjitja etj. Ky është një turist i cili shpenzon dhe nuk qëndron besnik i një buxheti të programuar me detaje. Është modern, kërkon të eksplorojë, ka një nivel të caktuar ekonomik dhe paguan. Nëse shohim tendencën e dy viteve të fundit në qytetin e Sarandës, kemi një rritje të madhe të numrit të turistëve çekë, polakë dhe skandinavë. Por, të ardhurat nga kjo kategori nuk kanë shënuar rritje. Hotelet mund të kenë qenë të prenotuara plotësisht, por restorantet jo. Ky është një turist ekonomik që kërkon detin, por nuk pëlqen që të shpenzojë pak, të bëjë pazar te supermarketi i lagjes dhe jo të ulet në restorant.
Pra, nëse e orientojmë turizmin vetëm drejt numrave, atëherë nuk do të kemi të ardhura të larta. Fokusimi te turizmi masiv, tek ai i numrave është strategji e gabuar, të cilën e kanë provuar vende të tilla si Spanja apo Turqia dhe janë kthyer mbrapsht.
Ne nuk mund dhe nuk duhet të shkojmë drejt rrugës së gabuar që e kanë ndjekur edhe të tjerë, por mund të kemi një model të ndryshëm, që garanton më pak numra, por turistë cilësorë, të cilët shpenzojnë.

E ndërsa flasim për ndërthurjen mes detit dhe malit, këtë sezon çfarë mund të themi për menaxhimin e plazheve?

Do të ishte mirë që këtë pyetje t’ia drejtonit ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila ka një filozofi tjetër për menaxhimin e bregdetit.
Deri tani, ne kemi pasur qasje të ndryshme, por duke qenë se jemi institucion varësie, jemi të detyruar që të dëgjojmë vendimet e ministres, duke shpresuar që ato të rezultojnë më pozitive se tonat.

Cilat janë ato probleme që do të vazhdojmë t’i hasim edhe këtë viti?

Mendoj se disiplinimi, rregullimi, standardizimi i vijës bregdetare realizohet nëse ka vullnet.
E nëse ka vullnet, sistemi i përmirësimit të plazheve mund të funksionojë. Por nëse kjo mungon, atëherë ndryshimet nuk do të ndodhin edhe këtë vit, sepse të gjitha masat ndërthuren në disa institucione dhe është e vështirë që të gjendet “gjuha e përbashkët”. Nëse një institucion e ka vullnetin dhe të tjerët jo, atëherë ndryshimet nuk mund të ndodhin.

A mendoni se krijimi i një ministrie të dedikuar do t’i minimizonte këto problematika?

Unë kam pasur edhe përpara katër vjetësh një qëndrim tjetër për zhvillimin e turizmit dhe trashëgimisë. Të dyja këto ndërthuren. Edhe trashëgimia duhet të menaxhohej nga një institucion i veçantë. Këtu ju sjell shembullin e Butrintit, si një model që i ka rezistuar kohës, pavarësisht nga cili është drejtuar. Kështu në rast se kemi një vijë bregdetare, fshat apo zonë turistike që menaxhohen nga shumë institucione atëherë s’do të mund të sigurojmë standardin e duhur që kërkohet. Nëse e përqendrojmë edhe përgjegjësinë, edhe punën, atëherë do të kemi edhe rezultate. Ne nuk duhet të “shpikim rrotën”, pasi kjo ka ndodhur edhe në rastin e fqinjëve. Po ndodh që tregu është shumë i avancuar dhe institucionet tona nuk po u përgjigjen këtyre ritmeve. Ka burokraci dhe vonesa në një kohë kur tregu i turizmit është aktiv dhe po ecën me shpejtësi.

Orientimi
Nëse e orientojmë turizmin vetëm drejt numrave, atëherë nuk do të kemi të ardhura të larta. Fokusimi te turizmi masiv, tek ai i numrave është strategji e gabuar, të cilën e kanë provuar vende si Spanja apo Turqia dhe janë kthyer mbrapsht
Produkti
Megjithatë ne mund të dalim në tregun turistik me imazhin e një vendi malor që ka bregdet, ku turistët mund të tërhiqen nga kombinimi i të dy këtyre aspekteve.