Suedia kalon ligjin për 0 shkarkime karboni deri në vitin 2045
Suedia sapo mori një hap të madh përpara duke u bërë vend edhe më i gjelbër sesa tashmë është. Një ligj i ri i miratuar nga parlamenti i vendit do të zvogëlojë shkarkimet e karbonit në zero deri në vitin 2045. Ky veprim e bën Suedinë vendin e parë që përditëson objektivat e tij të karbonit që nga Marrëveshja e Parisit në vitin 2015. Një komitet shumëpalësh përgatiti ligjin, i cili më pas u miratua me një shumicë dërrmuese, duke e çuar qëllimin për 0 shkarkime karboni nga viti 2050 në vitin 2045.
Gjithashtu u krijua një Këshill i pavarur për Politikat Klimatike. Ligji kërkon që një plan veprimi të përditësohet çdo katër vjet. Suedia tashmë siguron 83 përqind të energjisë elektrike nga hidrocentralet dhe energjia bërthamore. Vendi arriti objektivin për të siguruar 50 për qind të energjisë nga burimet e rinovueshme tetë vjet përpara synimit fillestar. Ata do të punojnë për të përmbushur këtë objektiv të ri, pjesërisht duke u fokusuar tek transporti, nëpërmjet rritjes së përdorimit të automjeteve elektrike ose biokarburanteve.
Suedia synon të zvogëlojë shkarkimet e brendshme me një minimum prej 85 për qind. Dhe ata do të kompensojnë çdo shkarkim tjetër duke mbjellë pemë ose duke investuar në projekte të qëndrueshme në vende të tjera.
Femke de Jong, Drejtore e Politikave të Bashkimit Evropian në Njësinë e Monitorimit të Tregut të Karbonit, tha se Suedia ka një shans të lartë suksesi dhe vendet e tjera në Evropë mund të ndjekin shembullin. “Me vendimin Trump për të dalë nga Marrëveshja e Parisit, Evropa është më e bashkuar se kurrë dhe dëshiron të tregojë udhëheqje në botë,” tha de Jong.
Rezistenca e publikut mund të jetë një pengesë për uljen e shkarkimeve, por sipas New Scientist në Suedi ka një sasi jashtëzakonisht të lartë mbështetje për politikat miqësore me mjedisin.
Por de Jong paralajmëroi se vendi gjithashtu duhet të tregojë udhëheqjen në pylltari, jo thjesht në shkarkimet e karbonit. Ata u akuzuan kohët e fundit sëbashku me Francën, Finlandën dhe Austrinë për përpjekjet për dobësimin e rregullave për shkarkimet e karbonit nga djegia e drurit dhe shpyllëzimi.
Botuar nga Lacy Cooke, Inhabitat me 28 June 2017.