Strategjia Speciale Inteligjente (S3) në ndihmë të supergrabitjes nëpërmjet gazifikimit të Shqipërisë.
Ndryshe nga afera e inceneratoreve, që u miratua në kundërshtim me strategjinë për menaxhimin e integruar të mbetjeve Qeveria ka vendosur të përdori Strategjinë e Specializimit Inteligjent (S3) për të ndihmuar në supergrabitjen që ka filluar me planin e gazifikimit të Shqipërisë.
Zv. Kryeministrja znj Balluku, deklaroi në këtë javë, në takimin “Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri (S3)”, me fokus tek sektori energjisë, se miratimi i strategjisë së specializimit inteligjent në Shqipëri (S3) na sjell një hap më afër integrimit, njëkohësisht kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Sipas znj Balluku S3 për energjinë favorizon gazifikimin e Shqipërisë.
Balluku tha: “Një nga çështjet që ne e themi shpesh është gazifikimi i vendit, një pjesë e strategjisë së qeverisë për zhvillimin energjitik. Duke pasur parasysh zhvillimin e industrisë dhe turizmit, gazifikimi i vendit nuk është më një utopi por një nevojë bazike. Mund të them që projekti im Korçës do të jetë pilotimi i parë. Në 12 muajt e ardhshëm do të shikojmë një projekt konkret që të zhvillohet në Shqipëri duke i dhënë edhe një mundësi tjetër shfrytëzimi TAP-it. Pra duhet të kthehet në një burim gjenerues i projekteve të reja. Me nisjen e gazifikimit të Korçës do të hapim një faqe të re të sistemit energjitik shqiptar, që të vazhdojë shtrirja në Pogradec, në Fier apo edhe në Elbasan”.
Në të vërtet asnjë nga qasjet e S3 nuk e favorizon projektin e gazifikimit.
S3 është një qasje e bazuar tek territori (place-based approach) që karakterizohet nga identifikimi i fushave prioritare strategjike me avantazh të lartë konkurues të një rajoni apo një vendi, ku duhet të ketë ndërhyrje nga ana e qeverisë qëndrore e lokale.
Shqipëria është një territor që nga pikpamja e prodhimit të energjisë fushë prioritare është energjia e gjeneruar nga burimet e shumta ujore dhe nga dielli. Shqipëria është territor me dominancë të klimës mesdhetare, ku këto vende nuk përdorin gaz për ngrohje.
S3 kërkon të bësh zgjedhje për investime që mbështeten tek dija (knoëledge-based investments). Në Shqipëri ka zero dije për gazifikimin, ndryshe nga shumë vende Europiane që kanë më shumë se një shekull që kanë perfeksionuar njohuritë për përdorimin e gazit.
S3 duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës i palëve të interesuara i përqendruar në zbulimin e këtyre prioriteteve përmes një sistemi nga poshtë lart (bottom up approach). Gazifikimi në Shqipëri është krejt e kundërta e këtij sistemi, madje duke qënë se mungon dhe dija si lartë edhe poshtë, gazifikimi mbetet të jetë vetëm në mëndjen e znj Balluku, që duket ja kanë mësuar asaj këta të kompanive të fosileve Tigër 1, Tigër 3 në Vlorë.
Çuditërisht Balluku foli në këtë takim edhe për sektorin e energjisë që realisht është në përputhje të plotë me S3 dhe në kundërstim të plotë më gazifikimin. Ajo tha:
“Ne vazhdojmë me planin tonë për të rritur kapacitetet prodhuese të vendit, kryesisht me burime të rinovueshme deri në vitin 2029 me 4 terravat duke e kthyer Shqipërinë në një forcë eksportuese të energjisë së rinovueshme, gjë që dikur ka qenë një utopi ndërkohë që sot është një realitet pasi një pjesë të këtij premtimi kemi nisur ta realizojmë dhe për hapat e tjerë kemi plane konkrete të bazuara mbi analiza dhe projekte të qenësishme”.
Rritja e kapaciteteve prodhuese të energjisë mbi bazën e burimeve të rinovueshme është egazaktësisht në pajtueshmëri me territorin e Shqipërisë, territor që ka mbi 300 ditë me diell dhe me rezatim më të lartë se cdo vend në rajon.
Dija për investime (knoëledge-based investments) për projekte prodhimi të energjisë nëpërmjet impianteve fotovoltaike është në shpërthim nga dhjetra kompani funksionale dhe fitimprurëse në Shqipëri.
Bizneset e vogla dhe vetë qytetarët kanë një kërkesë në rritje për këtë lloj energjie, pra jemi në rast perfekt të elementit kyç nga poshtë lart (bottom - up approach).
Dhe këtu lind pyetja që vë në dyshim të madh angazhimin e Ballukut me gazifikimin. Nëse Shqipëria rrit prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme me 4 teravat, pra me rreth 50% të prodhimit aktual e kështu kthehet në eksportuese neto të energjisë, pse duhet të investohet për gazifikimin, që rrit shumë edhe emesionet e gazrave serë, për të cilat Shqipëria ka detyrim për ti ulur?.
Përgjigja që vjen nga monitorimi nga poshtë, një element tjetër kyç i S3 është që gazifikimi i cili ka filluar me Tecet lundruese, Tigri 1 dhe tigri 3 në Vlorë dhe po përgatit një lukuni tigrash të tjerë klasifikohet me një fjalë: “supergrabitje”.