Speciale - Inceneratori i Fierit, kompania ndryshon kordinatat e ndërtimit (VIDEO)

Speciale - Inceneratori i Fierit, kompania ndryshon kordinatat e ndërtimit (VIDEO)

Qeveria shqiptare ka aprovuar ndërtimin e tre inceneratorëve në Shqipëri për trajtimin e mbetjeve. I pari është ndërtuar në qytetin e Elbasanit dhe prej disa kohësh është vendosur në punë. Ndërkohë dy të tjerët, në Fier dhe në Tiranë janë në fazë ndërtimi.

Ndërtimi i Inceneratorit në fshatin Vërri të Fierit ka hasur në kundërshtimin e banorëve të zonës. Ata shprehen se nuk janë pyetur për ndërtimin e tij, ndërkohë shtojnë se inceneratori ndërtohet në një distancë jo më shumë se 700 m nga fshati dhe në mes të parcelave që ata mbjellin perimet dhe frutat.

Në mbështetje të banorëve të fshatit Vërri është edhe kryeplaku i fshatit Andon Bualli. Ky i fundit akuzon kompaninë e ndërtimit të inceneratorit “Integrated technology” se ka ndryshuar koordinatat.

Fermeri Leonard Janji, i cili eksperiencën e fituar në shtetin fqinj në Itali në bujqësi dhe ka vendosur ta shfrytëzojë në Shqipëri, konfirmon të njëjtën gjë se koordinanat janë ndryshuar. Sipas tij, në fillim projekti ka qënë për t’u zbatuar në dy fshatra të tjera, por pas kontestimit të banorëve u caktua fshati Vërri, por më e keqja sipas tij është se edhe në fshatin Vërri janë ndryshuar koordinatat. Sipas Janjit, në fillim inceneratori do të ndërtohej 5 km më larg.

Fermer Jani, i cili punëson në sezon më shumë se 10 banorë të fshatit, kërcënon se do të largohet nga Shqipëria nëse inceneratori ndërtohet.

Ndërkohë nga kompania e cila do të ndërtojë këtë incenerator, nuk japin asnjë informacion.

Ky është Shkëlqim Karroqa, një nga banorët e fshatit Vërri, i cili sapo ka mbaruar punën në parcelën që ka pranë inceneratorit.

Ndërtimi i këtij inceneratori në mes të tokave bujqësore ka tërhequr edhe vëmendjen e organizatave. Lavdosh Ferruni, i cili drejton një organizatë mjedisore, e ka ndjekur me vëmëndje këtë çështje. Ai thotë se kapaciteti i inceneratorit të Fierit do të jetë 200 ton mbeturina në 24 orë, ndërkohë që e gjithë zona e Fierit prodhon vetëm 140 ton mbeturina. Por sipas Lavdoshit, jo të gjitha mbeturinat shkojnë për t’u djegur, pasi disa prej tyre riciklohen. Kjo rrit edhe më tepër shqetësimin se për të plotësuar kapacitetin, importohen mbetje nga shtetet fqinje.

Sipas Ferrunit, incenerimi i mbetjeve është një proces me kosto të lartë dhe jo i sugjerueshëm. Sipas tij, asnjë nga vendet fqinje nuk e përdor këtë metodë. Por edhe në ato vende të mëdha të BE-së ku ato përdoren, inceneratorët bëhen në zona të braktisura.

Në mbrojtje të banorëve të fshatit Vërri ka dalë edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Drejtuesja Erida Skëndaj shprehet se qeveria nuk ka respektuar konventën e Arhusit, në të cilën Shqipëria është bërë pjesë në vitin 2000, që u jep të drejtë qytetarëve të informohen dhe për vendimmarrjen.

Skëndaj akuzon pushtetin lokal se nuk ka mbajtur përgjegjësitë e veta që ia cakton ligji.

Ndërkohë edhe në interesimin e TemA TV në Bashkinë e Fierit, kryetari i Bashkisë, Armando Subashi. pati një qasje bashkëpunuese deri në momentin që u mësua se bëhej fjalë për inceneratorin e Fierit dhe më pas nuk pati asnjë përgjigje. Në lidhje me këtë çështje ka pasur reagime edhe nga opozita. Në janar të 2018-s, kryetari i departamentit të mjedisit në selinë blu, Jamarbër Malltezi, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, se në mënyrë abuzive i kanë ngarkuar qytetarëve të Shqipërisë edhe një taksë për plehrat në favor të kompanive që ndërtojnë inceneratorët. “Më 23 nëntor 2017, Edi Rama u ka vendosur shqiptarëve një taksë të re, të padëgjuar kurrë më parë, taksën e plehrave, taksë e cila do të hyjë në xhepat e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt nëpërmjet vënies në punë të fabrikave të djegies së plehrave në Tiranë, Fier dhe Elbasan. “Taksa” nuk është një term i shpikur nga Partia Demokratike për të akuzuar qeverinë, por është shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentin e miratuar më 23 nëntor nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, me kryetar njërin nga pronarët e vërtetë të 3 inceneratorëve, ministrin e Financave, Arben Ahmetaj”, është shprehur Malltezi.

Shih videon tek linku me poshte.

Marre nga tematv.al

http://www.tematv.al/2018/05/25/speciale-inceneratori-kompania-ndryshon-kordinatat-e-nd-rtimit-video