Skenar apokaliptik për Shqipërinë: Do kemi klimë sub-tropikale

Skenar apokaliptik për Shqipërinë: Do kemi klimë sub-tropikale

Ballkani Perëndimor e sidomos Shqipëria do të vuajnë një rritje të paprecedentë të temperaturave, deri në 5 gradë celcius më shumë deri në fund të këtij shekulli, thotë një studim i fundit i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal mbi këtë çështje.

Studimi i financuar nga Bashkimi Europian është unik në llojin e tij, pasi për herë të parë një çështje kaq sensitive sa ngrohja globale prek rajonin tonë.

Raporti thekson se, rajoni po merr trajtën e një klime sub-tropikale, çka do të thotë se, zonat bregdetare dhe jugore, si Shqipëria, do të jenë gjithmonë e më të nxehta e më të thata gjatë stinës së verës, stinë e cila do të zgjatet edhe më shumë me kalimin e viteve.

Ndryshimet në reshje nuk janë domethënëse në përgjithësi dhe raportohen në rritje në pjesën më të madhe të rajonit me përjashtim të rënies më të theksuar në Shqipëri. Shpërndarja hapësinore e reshjeve të akumuluara tregon ndryshime në pjesën më të madhe të rajonit me një interval plus ose minus 5 për qind dhe në disa zona edhe rritje 10 për qind. Shqipëria dhe pjesët perëndimorë të Maqedonisë tregojnë për një rënie më e theksuar në pjesën bregdetare kryesisht 20 per qind. Mesatarja 10 vjeçare e llogaritur për gjithë trendin nga 1961–2015 ka të njëjtën tendencë duke treguar një rritje kryesisht me 10–20 milimetra në 10 vjet, por një trend negativ në Shqipëri me 10–30 milimetra/10 vjet në rajonin bregdetar verior”, thuhet në studim.

Tabela e tregon qartë se, Shqipëria është një ndër vendet më të prekura nga ndryshimi klimatik në rajon, me temperaturat në rritje të ndjeshme, si në të ardhmen e afërt, deri në 2035, me rreth 1 gradë celcius.

Deri në fund të shekullit projeksionet flasin për temperatura deri në 5 gradë celcius më të larta.

Por, alarmi nuk qëndron vetëm këtu, por edhe te reshjet që projektohet të rriten deri në 30% në fund të këtij shekulli, dhe me rreth 5% në të ardhmen e afërt.

Në këtë drejtim, Shqipëria do të jetë një prej vendeve më të goditura thotë raporti.

Një tjetër projeksion ndërkohë tregon se, Shqipëria do të ketë muaj vere me thatësirë të tejzgjatur dhe muaj dimri me reshje mjaft intensive.

Në mes të këtij shekulli kjo situatë do të jetë alarmante, dhe në fund të shekullit do të jetë ekstreme. Në rritje të ndjeshme projektohen edhe valët e të nxehtit në Shqipëri e në rajon.

Ndryshimet klimatike 2016–2035

Ndryshimet klimatike pritet të kenë efekte edhe më të dukshme në të ardhmen e ndarë në parashikimet që bëhen në të paktën tre etapa.

Për atë të parë që është 2016–2035 numri i ditëve të nxehta do të rritet me 5–10 ditë dhe me vlera më të larta domethënëse në disa rajone si zona bregdetare shqiptare, rajoni i Podgoricës,, Maqedonia, Serbia Jugore dhe qendrore dhe disa pjesë të Bosnjë Hercegovinës.

“Mesatarja e gjatësisë dhe frekuenca e valëve të të nxehtit po rriten lehtësisht me ndryshime të mundshme më të theksuara në disa rajone të jugut çka lajmëron për një rritje ndoshta më ekstreme sesa shihet, veçanërisht në zonat bregdetare të Shqipërisë, në zonën Jugore të Bosnjës , Në Podgorice dhe juglindja e Maqedonisë”, vlerëson studimi.

Ndryshimet klimatike përkthehen në një barrë të rëndë për ekonominë, pasi sjellin veç problemeve në shëndetin e njerëzve edhe çrregullime të florës dhe faunës, probleme me ujin e pijshëm, ç’rregullimeve të habitateve natyrore dhe parqeve,etj. Për këtë arsye rekomandohet që vendet e rajonit të bëjnë më shumë përpjekje në reduktimin e gazrave serrë dhe zbatimin e marrëveshjes së Parisit.

marre nga gazeta dita