Skandali më i madh i pritshëm i qeverisë Shqiptare në vitin 2021

Skandali më i madh i pritshëm i qeverisë Shqiptare në vitin 2021

Vetëm pas 2 vitesh do shpërthej skandali. Ndoshta edhe më herët, por deri tani ja kanë dalë ta mbajnë të mbuluar skandalin e madh të pritshëm. Në 2021 mbaron afti i koncesionit të incineratorit të Elbasanit.

Koncesionari ne bashkpunim me qeverine ja kane dalë që të kalojnë gati 5 vjet jo vetëm me heshtje të frikshme mediatike (shih psh faqen e internetit te kompanisë https://www.albtek-energy.al/ ku mund të shikosh vetëm “së shpejti”), por edhe me monolog lëvdatash, si përshembull në takimin në Elbasan, kur kryeministri tha: “Elbasani…kthehet ne platformën e vendosjes së një modeli të ri të mbledhjes së trajtimit të mbeturinave që ne pastaj do ta shtrimë në gjithë Shqipërinë”.

Në vitin 2021 autoriteti kontraktues i qeverisë do të marrë në dorëzim incineratorin e Elbasanit. Së pari, Shqipëria nuk ka një specialist të vetëm që të ketë njohuritë e mjaftueshme për të menaxhuar procesin e punës së një impianti djegje. E dyta, incineratori nuk punon.

Koncesionari edhe pse i merr lekët një më një nga buxheti Shtetit, sipas kontratës së miratuar edhe pse me ekspert Italian që komandon nuk ka arritur të shesë asnjë KW energji elektrike, kështu që miti i një impianti që do pastroj qarkun e Elbasanit dhe njëherazi do prodhoj miliona kwh energji elektrike tashmë ka rënë. Mbetjet në Elbasan, si në gjithë vendin janë me fuqi të ulët kalorifike, janë me përmbajtje lagështie të lartë dhe mund të digjen me vështirësi nëse shton në dhomën e djegjes karburant me bazë fosile. \\

Nga ana tjetër është allogjike nga ana ekonomike kur psh 1 ton plastik e paketuar kushton 300 Euro të ardhura për ton për ata që e grumbullojnë, ndërsa për djegjen e plastikës duhet të paguash 30 e më shumë euro për ton. A mund të ndodhë kjo? A mundet individi që ka një mbetje të ndalohet ta kaloj atë në linjën e riciklimit, për të prodhuar sërish produkt plastike, letër tjetër, apo pleh organik, duke anashkaluar djegjen?

Brutalisht mund të ndodhë vetëm për një periudhë të shkrurtër, por jo për 30 vjet, aq më tepër që edhe Shqipëria nuk mund ti shpëtoj politikës globale aktuale të ekonomisë qarkulluese, që lidhur me mbetjet vendos riciklimin si primar, pas reduktimit të prodhimit të tyre.

Nëse Qeveria do arrij të djegë mbetjet a do mundet të kontrolloj që helmet që prodhon djegja ti eliminoj në kufijtë e standarteve të BE-së, ndërkohë kur këtë nuk e bëjnë dot shpesh as vendet e zhvilluara, pasi ky process është jo vetëm shumë i vështirë, por edhe shumë i shtrenjtë?

Ajo që pritet që të ndodhë pas 2 vitesh është dicka si me TECin e Vlorës, për të cilin taksapguesit Shqiptar kanë paguar mbi 100 milion dollar e vazhdojnë të paguajnë qindra mijra të tjerë.

Incineratori do mbetet aty si një gërmadhë, si simbol në rastin më të mirë të injorancës vendimmarrëse, me pasoja të forta për taksapaguesit. Mbetjet do vazhdojnë të grumbullohen në landfill, pa rrezikun e zjarrit, falë rrethimit. Shumica e qytetarëve, si edhe tani, për ca kohë akoma do vazhdojnë të jenë të kënaqur me shmangjen e erës së keqe.

Por skandali do shpërthej edhe për një arësye tjetër. Si vëllai i incineratorit të Elbasanit, po ndërtohet në Fier dhe është projektuar që të filloj edhe i Tiranës, që për hir të së vërtetës, ky i Fierit, i vendosur në mes të Myzeqesë dhe i Tiranës, me një ajër të ndotur, jo vetëm që janë me kapacitet më të madh e janë shumë më tepër miliona të humbura, por do të kenë një impakt shumë herë më të madh në mjedis dhe në shëndetin e popullsisë, prej ndotjes së shtuar në ajër, në ujë, madje edhe në ushqime.

A mund të shmanget skandali tani? Sot pjesërisht, po. Nesër jo.

Lavdosh Ferruni