Shqipëria po zhytet në plehra
Nga Artan Rama, Andi Bora
Vetëm pesëmbëdhjetë kilometra nga qendra e kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës, rreth tre mijë familje janë rrethuar nga flakët. Ndonëse në një stinë të nxehtë me temperatura të larta, shkaku i zjarrit është i pazakontë: këtu, në fushën e Argjenaturës, po digjet një mal i lartë me plehra.
Kjo është mënyra e preferuar e Bashkisë së re të Kamzës për të menaxhuar mbetjet e saj urbane.
Dikur një fushë pjellore pranë lumit Tërkuzë, Argjenatura ka kohë që është shndërruar në një vend depozitimi mbetjesh. Një pjesë, jo e vogël, përfundon në lumë. Banorët përreth, ankohen për erën e keqe dhe ndotjen, por gjithçka vazhdon si më parë, apo shpërfillet, ndaj dhe një pjesë e tyre, sot ka dalë në rrugë për të protestuar.
Por Kamza nuk është e vetmja bashki që vepron kështu.
Berati, një qytet turistik në jug të Shqipërisë, zyrtarisht Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, gjithashtu e ka pozicionuar vendepozitimin e mbetjeve urbane pranë një lumi. Osumi, i famshëm për kanionet e tij, është pa dyshim një tjetër lum i ndotur. Një pjesë e mbetjeve të qytetit përfundon në brigjet e tij. Shumica e të gjitha venddepozitimeve në vend, janë vendosur pranë shtretërve të lumenjve.
Tokat pranë lumenjve kanë qenë të lira dhe djegja e mbetjeve pranë tyre nuk u kushton asnjë shpenzim autoriteteve të këtij vendi të varfër.
Por në të vërtetë po digjen miliona fitime të ardhshme! Ndërsa djegja po helmon burime natyrore të rëndësishme!
Mbetjet dalin jashtë kontrollit të shtetit
Shqipëria është një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ndonëse vendi ka bërë disa përparime në fushën ekonomike, kapacitetet admininistrative, veçanërisht në fushëm e menaxhimit të mbetjeve, kanë rezultuar të dështuara.
Zyrtarët kanë raportuar se niveli i riciklimit të mbetjeve është në përputhje me objektivat e kërkuara për t’u përmbushur nga BE, por ata po fshehin një të vërtetë të frikshme: shërbimet publike të menaxhimit të mbetjeve po kontrollojnë gjithnjë e më pak mbetje në vend, ndërkohë që sasia e mbetjeve rritet vit pas viti.
Sipas të dhënave të fundit të vlefshme, të publikuara prej Institutit të Statistikave, në vitin 2013, një në çdo pesë tonë mbetje nuk mblidhej prej shërbimeve publike. Dy vjet më pas, ne vitin 2015 sasia e pambledhur nga shërbimet publike u rrit në dy tonë për çdo pesë tonë mbetje. Ndërkohë, sistemi zhytej nën peshën e shtuar të mbetjeve.
Pra, në vitin 2015 vetëm tre për çdo pesë banorë u shërbyen prej sistemit të menaxhimit publik të mbetjeve. Ndërkohë që në Evropë ky shërbim u ofrohet pothuajse të gjithëve. Nëse Shqipëria do të pranohej sot në BE, ajo do të renditej shumë më poshtë se vendi i fundit i saj, Rumania, përsa i përket trajtimit të mbetjeve. Për çdo shtëpi e cila nuk është e lidhur me sistemin e menaxhimit të mbetjeve në Rumani, në Shqipëri janë pothuajse tre.
Shqiptarët prodhojnë mbetje në përmasa alarmante
Ndërsa qytetarët e botës po ndërgjegjësohen për realitetin e ngrohjes globale, shqiptarët po prodhojnë plehra në përmasa alarmante.
Një prej politikave bazë të menaxhimit të mbetjeve është të zvogëlosh sasinë e mbetjeve. Gjatë dekadës së fundit, Evropa e uli sasinë vjetore të mbetjeve urbane me 6 përqind. Por programet evropiane të parandalimit të mbetjeve nuk kanë mbërritur në Shqipëri. Gjatë së njëjtës periudhë, shqiptarët e dyfishuan sasinë e mbetjeve urbane dhe problemi po zgjerohet me shpejtësi. Për çdo dy tonë mbetje të gjeneruara në vitin 2013, më 2015 është gjeneruar një ton më shumë.
Gjithnjë e më shumë plehra po përfundojnë në lendfille si Argjenatura. Për çdo dhjetë tonë mbetje të depozituara në lendfille në vitin 2013, më 2015 u depozituan katërmbëdhjetë tonë. Ndërkohë, në BE ecuria është në kahun e kundërt: për çdo dhjetë tonë të depozituara në lendfille në vitin 2013, dy vjet më vonë u depozituan nëntë tonë.
Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, po hartojnë një strategji të re për të kontrolluar situatën. Por ende pa e përfunduar atë, qeveria ka lejuar ndërtimin e tre inceneratorëve, në përpjekje për të eliminuar malet me mbetje urbane. Djegja e plehrave mund të jetë një opsion i shpejtë, por jo i zgjuar.
Treguesit real të riciklimit janë dy herë më të ulët se sa raportohen
Programet e riciklimit nuk ekzistojnë në Shqipëri. Zyrtarët thonë se në vitin 2015 u ricikluan 25 për qind të mbetjeve, por vlerësimet tona të mbështetura në të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shifra reale është rreth 14 për qind e sasisë totale të mbetjeve të gjeneruara në vend — gjysma e asaj të pretenduar nga qeveria.
Shkalla modeste e riciklimit në vend po tretet, e nxitur prej rritjes galopante të mbetjeve të gjeneruara. Kështu, për çdo njëzet tonë mbetje të gjeneruara në vitin 2013, u ricikluan katër tonë, ndërsa dy vjet më vonë, më 2015, për të njëjtën sasi prej njëzet tonësh, u ricikluan vetëm tre tonë. Nëse vazhdohet me këto ritme, Shqipëria nuk do ta mbajë premtimin për të ricikluar 55 për qind të mbetjeve në vitin 2020.
Arritjet e fundit të riciklimit të mbetjeve në Evropë janë vetëm një element i një strategjie më të madhe për të garantuar një mjedis të pastër e të shëndetshëm. Sipas Eurostatit, në vitin 1995, për çdo njëzet tonë mbetje, trembëdhjetë prej tyre u dërguan në lendfille, tre tonë u dogjën dhe vetëm dy tonë u ricikluan. Por njëzet vjet më pas situata ndryshoi tërësisht: më 2015, u depozituan në lendfille pesë tonë, u dogjën pesë të tjera dhe riciklimi u rrit në gjashtë tonë.
Të fitosh prej mbetjeve
Kjo strategji kërkon që të merren në konsideratë të dyja, përfitimet ekonomike dhe ato mjedisore. Në disa raste, nga djegja e mbetjeve prodhohet energji, por gjithashtu rritet ndotja. Metalet e rënda që çlirohen shpërndahen në ajër dhe në ujëra, çka dëmton shëndetin e njerëzve që jetojnë pranë.
Të mbështetura prej analizave të kostove dhe të përfitimeve, shumica e vendeve evropiane e kanë përcaktuar riciklimin si një prioritet. Për më tepër, për disa kategori mbetjesh, siç janë kanaçet e aluminit dhe të hekurit të vjetër, riciklimi rezulton metoda më e leverdisshme ekonomike në procesin e menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Por qeveria shqiptare nuk asnjë strategji zyrtare riciklimi. Në vend të saj ajo po shpenzon 190 milionë euro për ndërtimin e tre inceneratorëve të mëdhenj, si një zgjidhje afat-shkurtër për të trajtuar çështjen e plehrave.