Shqipëria është vetëm 'një pëllëmbë' vend. Mund të çbëhet 'për një natë' dhe 'të bëhet' po për 'një natë'.

Problemi është që, kjo pëllëmbë vend ka qëlluar të gjëndet në një prej pikave më strategjike të Mesdheut, në udhëkryqin ku fryjnë e përplasen erërat më të forta në rajon. Kanë fryrë në mijvjecarë, fryjnë sot e do të fryjnë gjithmonë.

Porta për të hyrë është pikërisht Gjiri i Vlorës: një gji i mbrojtur e i thellë ku mund të futen e ankrohen lehtësisht anijet e të gjitha tonazheve.

Kjo portë nuk është vetëm e Shqipërisë por, është kryeporta e Europës e përtej. Ndaj është kaq e rëndesishme dhe e synuar. Ndaj po përballet edhe sot me agresionin e rradhës: tecet lundruese të cilat, sipas gjasave, janë vetëm 'rimorkjatori i anijeve' të tonazhit të rëndë që do vijnë më pas në formën e një pushtimi të kamufluar e modern.

Për fat të keq, një vend i vogël është lehtësisht i ndikueshëm. Për fat të keq, luftrat e imponuara në mijvjecarë, na kanë dobësuar e varfëruar vazhdimisht. Sikur të mos mjaftonte kjo, vetë Europa të cilën e kemi shpëtuar sa e sa herë, qysh nga koha e Skënderbeut e më parë, është treguar gjithmonë "njerkë", na ka copëtuar, përcare, vjedhur e përbuzur. Vonon të na pranojë ne gjirin e saj megjithëse e meritojmë, nuk na mbron.

Në aspektin politik, jemi një shtet ende fare i ri e pa përvojë (krahasuar me diplomacitë Europiane). Politika ende është shumë e papërgatitur, e dobët e pa integritet për të përballuar presionet e më të fortëve. Politika jonë blihet me "pesë lek". Politika jonë, pa dyshim, nuk përfaqson aspak nivelin e bërthamës së shëndetëshme të qytetarisë Shqiptare (në vend apo mërgim). Komplekset e inferioritetit e bëjnë të dobët e servile ndaj të huajve dhe arrogante ndaj kujtdo që është jashtë strukturave.

Politika Shqiptare e të gjitha krahëve korruptohet, korrupton, serviloset, dhunon, shet e blen sipas oreksit, GENJEN. Ja del tashmë sepse e ka shtypur fjalën e lirë, ka përzënë rininë, ka përbaltur, gjunjëzuar e përzënë figurat e simbolet më të shquara të kombit, ka blerë e mbyllur mediat, ka instaluar frikën që e injekton në palcën e kombit me përkushtim prej kirurgu.  Politika Shqiptare synon Amok-un total, përgjumjen përfundimtare të popullit deri sa ta ktheje vendin ne nje cmendine perfekte a vathe ku populli mblidhet si bagëtia: ëndrra e cdo sundimtari kjo .

Duket tejet fataliste e pa zgjidhje kjo pikturë POR, mjafton të hedhësh një vështrim në historinë mijravjecare të këtij kombi që të kuptosh se nuk do të ndodhë ky skenar as këtë herë.

Populli Shqiptar mundet edhe të tërhiqet përkohësisht në *strofullen e vet* si bisha e plagosur por, kjo do të jetë vetëm e përkohëshme. Ky popull i bukur, i dashur e mikpritës, puntor e i sakrificës, besnik e paqësor, ka provuar edhe më keq dhe ja ka dalë. Do ja dalë sërish.

Gjithë çfarë kërkohet është vetëm pak dashuri prej mëme qe t`i rritet besimi e vetëvlesimi, fare pak mencuri që të kuptojë se është më mirë të punosh tokën tënde se ate të të tjereve, pak shpresë.

Shpresën nuk do na e dhurojne por, duhet tja japim njeri tjetrit.

Të huajt na kanë hedhur thërime e, në këmbim, na kanë rrëmbyer flori.

Qeveritë e të gjitha kohrave, kanë premtuar shumë por kurrë nuk na kanë dhënë, mbrojtur e ndihmuar. Përkundrazi, qeveritë e të gjitha kohrave na kanë vjedhur, dhunuar, shkurajuar e lodhur.

E vetmja gjë që na ka dhënë bukë, ka qenë vetem toka jonë e bekuar nga Zotat, krahët tanë puntorë e traditat që na lanë të parët, natyra jonë e mrekullueshme që na është lënë trashëgimi, mbështetja që i japim njeri tjetrit në vështirësi. Këtyre dhe vetem këtyre duhet t*i falemi. Këtyre dhe vetëm këtyre ju kemi borxh të madh.

Sot për sot ama duhet ti ruajmë me c`të kemi e c’të mundemi.… përpara se të jetë shumë vonë.