Shqipëria në ‘Le Monde’, një nga vendet më të mira turistike për 2019

Prestigjiozja e përditshme Le Monde ka renditur Shqipërinë mes 20 destinacioneve të preferuara që duhet vizituar gjatë këtij viti.
Krahas Zvicrës dhe vendeve të tjera të njohura botërisht për turizmin si Greqia, Italia etj, Le Monde sugjeron Shqipërinë, duke vlerësuar një sërë kategorish si kultura, tradita, klima, vendet e virgjëra, pasuritë me det e me ishuj të paprekur etj.
Ja çfarë shkruhet për Shqipërinë në artikullin e “Le Monde”: E vendosur mes Malit të Zi dhe Greqisë, vendi i vogël evropian mbetet një destinacion turistik mjaft interesant, për të cilin jo shumë njerëz në botë dinë. Atje mund të shkosh për pushime e të mos shpenzosh shumë dhe i gjen të gjitha: Plazhe, fshatra të mrekullueshme historike, mund të shkosh për Hiking, të mrekullohesh nga pamjet, gatimi tradicional me produkte vendase të freskëta dhe me cilësi. Më e rëndësishmja; për momentin nuk ka shumë turistë si në vendet e tjera.
Edhe kryeministri Rama e ka publikuar artikullin në faqene tij të Facebook-ut, ndërsa shkruan se Shqipëria ndodhet në vendin e gjashtë, nga 20 vende të zgjedhura si Top destinacionet e vitit 2019.
“MIRËMËNGJES , dhe me këtë faqe të prestigjiozes së përditshme Le Monde, e cila mes 20 destinacioneve të preferuara të vitit 2019 e sugjeron Shqipërinë si zgjedhjen e gjashtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.
Marre nga gazeta Dita