Shqipëria drejt energjive të rinovueshme nga dielli dhe era. Flet për “Scan Magazine” Lorenc Gordani

Shqipëria drejt energjive të rinovueshme nga dielli dhe era. Flet për “Scan Magazine” Lorenc Gordani

Bota po shkon drejt ezaurimit të burimeve të saj natyrore duke bërë që në vitet në vijim njerëzimi të ketë mungesa. Në një kohë kur shkenca ofron zgjidhje apo alternativa për “mungesat” , tashmë sytë janë kthyer nga burimet e rinovueshme. Shqipëria me klimën e saj është e favorizuar në përdorimin e burimeve të rinovueshme si dielli dhe era nëse në punë do të vihen politika dhe investimet përkatëse. Konkretisht, po flasim për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, siç janë fotovoltaiket dhe eoliket, që për fat të keq duket se në vendin tonë pavarësisht zhvillimit të shpejtë që njeh ky treg, funksionon vetëm një impiant fotovoltaik në Korçë me kapacitet 1 MW. Thatësira e kësaj vere ka rritur ndjeshëm importin e energjisë elektrike, duke rënduar më tej buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave zyrtare vetëm në dy muajt e fundit shpenzimet që ka bërë vendi ynë janë 54 milionë euro. Por si do të ishte situata nëse në vendin tonë do të prodhohej energji nga burimet e rinovueshme?! Nëse në vendin tonë do të kishim prodhim të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme si dielli dhe era, furnizimi me energji do t’i kushtonte më pak buxhetit të shtetit. Por në të njëjtën kohë nëse edhe vetë sipërmarrjet do të përdornin energji nga burimet e rinovueshme do të “shpëtonin nga faturat e majme “ të energjisë. Por nëse i referohemi çmimeve të vendosuara së fundmi nga ERE, energjia nga fotovoltaikët do të ishte pak më e shtrenjtë për konsumatorin familjar. Çmimi i miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë nuk është një çmim përfundimtar dhe pritet që të ndryshojë në varësi të kërkesave të tregut. Aktualisht ky çmim është përcaktuar 100 euro/MWh për energjinë nga impiantet fotovoltaike deri në 2 MW dhe 76 euro/MWh për ato eolike deri në 3 MW. Ky çmim i vendosur nga ERE duket si një joshje për të gjithë të interesuartit që duan të investojnë në prodhimin e energjisë së rinovueshme. Pas disa ndryshimeve ligjore që janë bërë vitet e fundit është rritur interesi nga investitorët për këtë sektor, kështu nga muaj prill deri në korrik të 2017 janë kryer 8 aplikime pranë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë me një vlerë finacimi 85.4 milionë euro. Në një intervistë për revistën SCAN, këshilltari juridik mbi tregun energjetik Dr. Lorenc Gordani sjell një panoramë të situatës së zhvillimit të tregut të energjisë nga burimet e rinovueshme në vendin tonë.

Sa e nevojshme është që në vendin tonë të prodhohet energji nga dielli apo era në kushtet kur, aktualisht jemi përballur edhe me një periudhë thatësire të zgjatur?

Aktualisht, gati 80% e energjisë elektrike që hidhet në rrjet vjen nga importi. Importi i cili ka kushtuar vetëm dy muajt e fundit rreth 54 milionë euro. Situatë që pritet të vazhdojë të paktën edhe për dy muajt e ardhshëm, çka do të ndikojë jo pak financat e gjithë sistemit energjetik. Emergjencë që bëri që Këshilli i Ministrave, përmes një akti normativ, të ndryshoi buxhetin e vitit 2017. Mbi sa më sipër, ekspertët e sektorit të energjisë ndahen midis zgjidhjeve të ndryshme, gjithsesi duket se diversifikimi i prodhimit të energjisë është pika që i bashkon. Kjo pasi prodhimi në vend bazohet tërësisht nga HEC-et, dhe në periudhat e mungesës së shirave, kjo mund të balancohej më së miri nga prodhimi fotovoltaik. Por edhe parqet e vogla të energjisë diellore nuk e zgjidhin këtë problem, teksa kostot aktuale të energjisë së diellit, sipas çmimit të miratuar nga ERE, do e bënin atë shumë të shtrenjtë për përdorim masiv nga konsumatorët vendas. Kështu që problemi duhet të përballohet në thelb, duke plotësuar sa më shpejt liberalizimin e tregut, që investimet e ardhshme të drejtohen nga sinjalet e tregut.

Cili është roli që po luan deri më tani qeveria për sa i përket energjisë së rinovueshme?

Me ecurinë e deritanishme, vendi nuk arrin objektivat për vendet e Ballkanit Perëndimor për energjinë e rinovueshme deri në vitin 2020. Në vitin 2016 ky objektiv strategjik ka arritur në masën 34.5% . Për këtë Plani Kombëtar për Burimet e Energjisë së Rinovueshme, miratuar me VKM 27, datë 20.01.2016, është menduar të rishikohet me politika të tjera diversifikuese. MEI ka filluar rishikimin dhe është në hartimin e termave të referencës nën dritën e ndryshimeve të sjella së fundmi me ligjin 7/2017. Për më shumë prodhimi i energjisë elektrike në vend vlerësohet si i paarritshëm pa një skemë mbështetëse, për burimet alternative si era dhe dielli. Qeveria po synon të nxisë investime të tilla, që zbusin varësinë nga burimet hidrike dhe paralelisht me këtë ulin humbjet në rrjet pasi delokalizojnë prodhimin e energjisë nga veriu, që është aktualisht në drejtim të jugut. Në këtë kuadër, së fundmi Shqipëria aprovoi ligjin e ri mbi energjitë e rinovueshme. Projektligji i konceptuar në përputhshmëri me direktivën e BE-së, ku për impiantet diellore deri në 2 mega dhe ato të erës nën 3 mega, qeveria ka vendosur të sigurojë tregun me një tarifë të rregulluar. Për të mbështetur investimet më të mëdha, qeveria do të vendosë një tarifë feed-in-premium, të bazuar në kostot e energjisë (shpenzimet e operimit dhe mirëmbajtjes, taksat, etj.) duke lejuar kthimin e investimit gjatë një periudhe të arsyeshme.

A ka vendi ynë potencialin për të prodhuar energji të rinovueshme?

Nga kompanitë private në vazhdimësi janë identifikuar zona të përshtatshme për parqe eolike. Ndryshe nga energjia e erës, për energjinë nga dielli harta është e gjerë, dhe kufizimi i vetëm lidhet me limitet e tokës në dispozicion. Gjithsesi, vendi rrihet nga dielli për shumë ditë gjatë vitit në zonat midis Fierit dhe Vlorës. Hapësirë që ka potenciale më të mira se shumica e vendeve të BE-së por edhe të vetë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në çdo rast duhet bërë një dallim midis potencialit teknik dhe atij komercial. Nëse do të merret një kosto mesatare e kapitalit, potenciali diellor PV do të ishte rreth 150MW. Ndërsa, në një skenarët me kosto të ulët, potenciali është pothuajse 3500 MW. Sa i takon impianteve eolike, ato kanë një potencial prej 1000 deri në 2000 MW.

Çmimet e vendosura nga ERE për energjinë e rinovueshme a do t’i nxisin investitorët?

Enti Rregullator i Energjisë vendosi në fund të korrikut një çmim 100 euro/MWh për energjinë nga impiantet fotovoltaike deri në 2 MW dhe 76 euro/MWh për ato eolike deri në 3 MW. Ky çmim pritet të konsiderohet i përshtatshëm t’i japë një shtytje të re investimeve në këtë sektor. Kjo tarifë është më e lartë sesa tarifa e shitjes me shumicë në tregun e rregulluar shqiptar, dhe për më tepër mbështetet mbi një kontratë afatgjatë parablerjeje të energjisë deri në shlyerjen e plotë të impianteve. Për sistemet e mëdha investitorët futen në ankand, nga ku përzgjidhet ai që kërkon çmimin më të ulët të energjisë. Pra, sipas raportit, investitorët në sistemet e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli, do të kenë një normë kthimi mbi 15% në vit.

A ka interes nga bizneset për të investuar në këtë sektor?

Bizneset shqiptare po interesohen gjithmonë e më shumë për alternativat që u ofron shfrytëzimi i energjisë diellore në uljen e kostove. Bëhet fjalë si për ato biznese që më herët janë investuar në format e tjera të tregut të energjisë, por edhe ato që në objekt të aktivitetit të tyre nuk kanë aspak lidhje me sektorin energjetik, por që “fatura e kripur” i shoqëron çdo muaj. Kërkesa të tilla janë aksesuar nga MEI edhe më parë por procesi është intensifikuar së tepërmi në periudhën në vijim: kështu nga 6 prilli deri më 31 korrik 2017 janë bërë të paktën 8 aplikime për parqe fotovoltaike me fuqi të instaluar deri në 2 megavat. Në total, vlera e investimeve të parashikuara për parqe dhe centrale fotovoltaike deri në këtë periudhë është 85.4 milionë euro dhe fuqia e instaluar e parashikuar 113.72 MW.

Nëse bëjmë një krahasim me HEC cili është avantazhi i fotovoltaikeve dhe eolikeve?

Çdo teknologji ka përparësitë e veta të cilat duhen parë të lidhura në dinamikë me zhvillimet e tjera. Lidhur me energjinë e diellit, rënia drastike e çmimeve dhe sinjalet e thatësirave gjithmonë e më të gjata janë tregues që flasin vetë. Për me shumë kjo teknologji ka një avantazh konkurrues në kontekstin shqiptar duke eliminuar humbjet që vjnë nga investimet në rrjete me alokimin e prodhimit aty ky është nevoja e konsumit. Për më tej aktualisht skemat mbështetëse janë thelbësore, por nëse kjo formë promovimi do të vijojë, kostoja nga impiantet fotovoltaike në vijim do të jetë më e lirë se ajo aktualja nga hidrocentralet, ndërsa ajo nga impiantet e erës do të arrijnë në nivele të ngjashme. Në çdo rast do duhet që avantazhet natyrore të përputhen me trendet e tregut të energjisë, por njëkohësisht të konsiderojnë politikat e një zhvillimi të qëndrueshëm.

Ka investitorë aktualisht në vendin tonë që prodhojnë energji të rinovueshme?

Pavarësisht gjallërimit të shpejtë që po merr ky treg, aktualisht në Shqipëri nuk ka investime të rëndësishme në parqe voltaikë (PV) apo eolikë, përveç një impianti diellor fotovoltaik në Korçë i futur në punë në 2015. Ndërsa, duke nisur nga viti 2007, si pasojë e skemave mbështetëse, janë futur në punë mbi 140 impiante nga 186 kontrata koncesionare të nënshkruar për ndërtimin e 535 HEC-eve të vogla. Gjithsesi vitet e fundit çmimet e energjisë të gjeneruar nga PV, dhe jo vetëm lidhur me ato në shkallë të gjerë, po arrijnë rekorde të paimagjinueshme. Çdo muaj ka lajme se çmimet e PV-ve po bien ndjeshëm. Tashmë çmimet e ofruara nga PV dhe eolikët kanë prekur nivelet e çmimeve me shumicë të tregut të energjisë elektrike në Evropë. Kështu që pritshmëritë janë që dhe sistemi bankare të shikojë me interes mbështetjen e këtyre investimeve edhe në Shqipëri.

Çfarë garancie kërkon qeveria nga investuesit në ketë sektor për të dhënë të drejtën për ndërtim?

Në njëfarë mënyrë tashme ka filluar “era e diversifikimit” të burimeve të rinovueshme dhe investitorëve të vegjël u është dhënë alternativa për të aplikuar dhe për të zhvilluar këto impiante të rinovueshme. Lidhur me PV dhe eolik, aktualisht përdoret forma e autorizimit, e cila është edhe ajo më e thjeshta për t’u përmbushur nga biznesi. Nga ana tjetër të paktën për impiante më të mëdha rekomandohet partneriteti privat-publik për të promovuar më tej përdorimin e paneleve diellore. Sigurisht, që kjo të realizohet kërkohen disa kushte, si shprehja e interesit nga investitorë strategjike për kapacitete 30, 40 apo 300–400 MË. Në çdo rast qeveria do të shprehet lidhur me tokën për zhvillimin e projektit, sipas termave tashmë të përcaktuara, dhe përveç pikës së lidhjes në përputhje me kodet e rrjetit të energjisë elektrike qeveria duhet të shprehet për një kontratë për diferencë afatgjatë parablerjeje të energjisë.

Nëse i referohemi edhe praktikave të ndjekura nga vende të tjera në botë, cila është e ardhmja e energjisë?

Lidhur me shfrytëzimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, çdo vend ka karakteristikat e tij. Kështu p.sh. vende si Gjermania, Kroacia, Rumania apo dhe më gjerë, kanë çmime të larta pakice dhe konkurrueshmëria për burime pa mbështetje financiare është e pranishme. Çmime të tilla si 180–250 EUR/MWh në tregun e pakicës lënë hapësirë për të absorbuar çmime ankandi që variojnë tek 98–110 EUR/MWh që ofrojnë këto impiante. Në Shqipëri, situata e çmimeve me pakicë nuk të jep këtë “komoditet”. Gjithsesi, zhvillimet e sotme të sektorit bëjnë të mundur ndërtimin e një kuadri të “zgjuar” rregullator që të lehtësojë investimet fitimprurëse në përpjekjet për të arrirë në mënyrën sa më të qëndrueshme objektivat e konsumit kombëtar të 38%. Në finale, arritja e përdorimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë (BRE) është një hap me rëndësi drejt një shoqërie më të qëndrueshme dhe sjell përfitime të mëdha për industrinë. Kështu që argumenti i vlerës së shtuar në ekonominë vendase do të duhet të merret edhe më shumë në konsideratë në procesin e vendimmarrjes për skemat e reja mbështetëse ndaj të gjitha BRE-ve.