Shëmbja e dëshiruar e digës e HEC “Kasollet e Selcës” pritet të ndodhë.

Shëmbja e dëshiruar e digës e HEC “Kasollet e Selcës” pritet të ndodhë.

Në këtë verë të nxehtë, që do jetë edhe më e nxehtë në vitet e ardhshme, për shkak të ndryshimeve klimatike me qindra kilometra në luginat malore të vendit jeta e gjallë është gjysëm e vdekur, për shkak të grabitjes së ujit të lumenjve prej kompanive të HECeve të vegjël. Ekosisteme të tëra janë transformuar në ekosisteme thuajse të shkretëtirizuara. Nëpër gjykata në nivele të ndryshme qëndrojnë kërkesa për pezullim, apo për ndalim të ndërtimit të shumë HECeve të tjerë, të quajtur të vegjël, në ndërtim e sipër, që kryeministri i ka quajtur “shushunja”, por që avokatët e ministrive, agjensive qeveritare dhe vetë avokatët e shtetit në proceset gjyqsore janë gjithnjë në mbrojtje të kompanive “shushunja”.

Por kemi dhe disa lajme të mira, si për shembull vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e ndërtimit të 2 HECeve në Valbonë. Një lajm tjetër, që tërheq vëmëndjen, deri tani shumë pak i bërë publik është rasti i HEC “Kasollet e Selcës”, i cili është aktualisht nën hetim edhe nga prokuroria e Pogradecit, për të cilin tani ka edhe një raport nga Kontroll i Lartë i Shtetit ( KLSH). Sipas auditimit të KLSH, me faktet e sjella të shkeljeve të shumta rivendosja e të drejtës ka vetëm një rrugë, shembja e digës së “HEC Kasollet e Selcës”

Diga e ndërtuar mbi lumin Selcë nga kompania “Xhengo” paevitueshmerisht do shëmbet. Kjo do të ndodhë për shkak të shkeljeve ligjore të gjetura dhe raportuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Ndërtimi i saj është i jashtëligjshëm në shumë plane. Në koncesionin e miratuar është parashikuar ndërtimi i veprës së marrjes së HECit, tip “Tiroleze”, që nuk krijon përmbytje. Diga e ndërtuar jo vetëm që ka krijuar përmbytje, por ka përmbytur edhe toka bujqësore private, madje të mbjella me drufrutorë.

KLSH në auditimin e saj përfundimtar në Drejtorinë Vendore të Agjensisë Shtetërore të Kadastrës Korcë, 2021, ka konstatuar në detaje shkelje të shumta ligjore në dëm të individëve privat, duke rrëmbyer prona të tokave të tyre dhe në dëm të pronës së shtetit, gjithashtu. Natyrisht ky auditim nuk ka trajtuar dëmet mjedisore, që janë të mëdha e të dukshme.

Termi shëmbje nuk është përdorur në auditim, por zbatimi i rekomadimit të menjëhershëm të lënë në këtë auditim ka vetëm një opsion, shembjen e digës.

Kështu për shembull në rekomandimin 13.1 shkruhet se pasuria 758/2 vol 4, fq 23

të kthehet me status në gjëndjen e mëparshme... Gjëndja e mëparshme do të thotë të shëmbet diga që krijon përmbytjet e tokave bujqësore dhe eliminimin e manovrave në zinxhirin e lëvizjeve të jashtëligjshme duke ndryshuar regjimin e pronësisë në disa parcela private dhe shtetërore, që gjithashtu janë vepra penale.

Shëmbja e digës së HEC “Kasollet e Selcës”, shembja e digës në HEC të Valbonës, shembja e digës të HEC në Zall-Gjocaj dhe disa HECe të tjera është jo vetëm e dëshiruar për komunitetet që jetojnë në luginat e lumenjve të grabitur prej HECistave, në bashkpunim direkt ose indirekt me vendimmarrës të korruptuar, por është një akt i shtetit Shqiptar, si precedent i një kohe të re, për drejtësi dhe demokraci funksionale.