Sa mire do ishte po të kishim një incenerator
Ka filluar të pranohet gjërësisht nga Komisioni Hetimor i Kuvendit për inceneratorët si edhe në media, që në vend kemi 3 inceneratorë, një në Elbasan, përkohësisht i mbyllur, një në Fier në kolaudim dhe që dorzohet në Tetor 2022, si edhe një në Tiranë që do të filloj së shpejti të ndërtohet. Në këtë linjë çështja shkon drejt një pranimi, që sic thotë dhe z. Rama, se veprat janë aty dhe se me ndonjë person, që mund të ketë përfituar padrejtësisht do të merret drejtësia.
Ajo që mungon në këtë Komision hetimor dhe në publik dhe që nuk po merr një përgjigje është pyetja; a janë inceneratorët e Elbasanit dhe ai i Fierit që tashmë kanë përfunduar inceneratorë tipi WtE (Waste to Energy – prodhues energjie nga mbetjet), siç janë studimet e fisibilitetit dhe kontratat apo nuk janë të tillë.?
Realisht nëse sot do kishim një incenerator të tipit WtE (Waste to Energy – prodhues enegjie nga mbetjet) në Elbasan a ndoshta më mirë diku tjetër, sa gjysma e kapacitetit të atij të Elbasanit do të ishte një investim shumë i mirëpritur, që do të ndihmonte shumë për një Shqipëri të pastër. Çdo mbetje që nuk mund të riciklohej do të mund të incenerohej në temperaturë shumë të larta, duke reduktuar volumet e mbetjeve, duke prodhuar energji elektrike edhe avull për ngrohje, si dhe duke emetuar shumë pak ndotje. Kjo mund të ndodhte, por me koston e një inceneratori të tillë të vogël mund të ndërtoheshin 10 landfille në gjithë vendin, gjë që do të frenonte cdo vendimmarrës të arsyeshëm për të investuar për këtë incenerator.
Nga një kërkim i thjeshtë i çmimeve ndërkombëtare të inceneratorëve rezulton se çmimi e 2 inceneratorëve si këto të Elbasanit dhe të Fierit së bashku do të ishte rreth 100 milion euro. Në fakt kostoja e inceneratoreve të instaluar në Elbasan e Fier është rreth 20 milion euro. Lind dyshimi i arësyeshem se veprat në Elbasan e Fier nuk janë inceneratorë WtE.
A është e vështirë të verifikohet egzistenca ose jo e inceneratorëve WtE në Elbasan e Fier? Është shumë e thjeshtë. Në Elbasan mjafton të shihen se në çfarë sasie janë hiret e depozituara në landfill. Mbi bazën e këtyre sasive gjykohet nëse inceneratori ka djegur mbetje, apo ka djegur naftë, solar etj, pasi është vërtetuar nga matësi elektrik se egziston një sasi e vogël energjie e prodhuar dhe se egziston një turbinë për prodhim energjie elektrike. Pra mund të jetë rasti i instalimit të një mikro TECi, shoqëruar me disa paisje të tjera inceneratorësh, që mund të jenë të përdorura, apo stok të importuara.
Nëse kjo provohet që nuk kemi të bëjmë me një incinerator WtE, atëhere pista e hetimit perveç shkeljeve të procedurave dhe fiktivitetit të pagesave shkon në thelbin e vet,hetim i krimit mjedisor i organizuar me permasa të mëdha.