Nevoja për një edukim sa më të plotë dhe shumë dimensional parashtrohet sot, jo vetëm si një alternativë për të patur individë më të qytetëruar, por edhe si një zgjidhje e vetme për të sfiduar problematikën e shumëllojshme me të cilën përballemi. Problemet mjedisore në nivel global dhe lokal e bëjnë Edukimin për Mjedisin dhe për Zhvillimin e Qëndrueshëm, një ndër dimensionet më të theksuara në përmbajtjen dhe trajtimin e formave të ndryshme të edukimit, si në edukimin formal dhe atë jo formal.

Institucionet e edukimit formal luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve që në moshë të vogël, duke dhënë njohuri dhe duke ndikuar në mënyrën e qëndrimit dhe të sjelljes. Është e rëndësishme që të gjithë nxënësit dhe studentët të marrin njohuritë e duhura mbi edukimin mjedisor dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të jenë të informuar për ndikimin që kanë vendimmarrjet që nuk mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm. Çdo institucion edukativ, në tërësinë e tij, duke përfshirë nxënësit dhe studentët, mësuesit, pedagogët dhe pjesën tjetër të personelit, si dhe prindërit, duhet të ndjekë parimet e sjelljeve miqësore me mjedisin.

Edukimi Mjedisor dhe ai për Zhvillimin e Qëndrueshëm është një proces që zgjat gjithë jetën: fillon nga fëmijëria e hershme, në edukimin e brezave të rritur dhe shkon më tej se edukimi formal. Vlerat, të tilla si mënyra e jetesës dhe qëndrimet fitohen që në fëmijëri, prandaj roli i edukimit është i një rëndësie të veçantë sidomos për fëmijët. Ai duhet të përshkojë programet mësimore në të gjitha nivelet, duke përfshirë edukimin profesional, trajnimin për mësuesit dhe edukimin e vazhdueshëm për profesionistët.

Duke vlerësuar përvojën e gjatë që Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) ka në këtë fushë, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, përmes Komisionit të Akreditimit të Programeve të Trajnimit, akreditoi REC Shqipëri për modulet e trajnimit të ofruara në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Dy modulet e akredituara janë: — “Edukimi mjedisor përmes Paketës së Gjelbër”, e futur si kurrikul e plotë për edukimin mjedisor në të gjitha shkollat 9-vjeçare të Shqipërisë, prej vitit 2007 [http://education.rec.org/]. — “Edukimi për Zhvillimin e Qëndrueshëm”, përmes Paketës edukuese për të Rinjtë (Teen Pack), që synon të fuqizojë edukimin, të ngrejë kapacitetet dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi zhvillimin e qëndrueshëm duke u future si kurrik në shkollat e mesme dhe ato profesionale [http://seedling.rec.org/].

Në vazhdim, REC Shqipëri parashikon që gjatë vitit 2018 të zhvillojë një sërë trajnimesh në fushën e edukimit mjedisor dhe të zhvillimit të qëndrueshëm, me mësuesit e arsimit parauniversitar, kjo në të gjitha qytetet e vendit. Gjithashtu, në vitin e ri akademik 2018–2019, REC Shqipëri do të prezantojë për sistemin arsimor shqiptar dy paketa të reja edukative: “Paketa e Gjelbër Junior” për ciklin fillor dhe “Paketa e të Rinjve” për nxënësit e shkollave të mesme.

Datat e trajnimeve dhe vendi përkatës do të bëhen publike nëpërmjet faqeve të internetit https://trajnime.arsimi.gov.al; http://albania.rec.org dhe http://www.mjedisisot.info ku të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtyre trajnimeve.

Botuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri me 04 January 2018.