Qeveria shqiptare hap procedurën për koncesionin e HEC-it të Kalivaçit, OJF-të kundërshtojnë këtë vendim

Qeveria shqiptare hap procedurën për koncesionin e HEC-it të Kalivaçit, OJF-të kundërshtojnë këtë vendim

Diga e papërfunduar e Kalivaçit. Tani një koncesion i ri duhet të vazhdojë ndërtimin e tij © Roland Dorozhani

Konference shtypi 30 Maj, Tirana, Vienna, Radofzell. Pas 20 vjetësh zvarritje dhe shtyrje të punimeve, Qeveria Shqiptare vendosi të anulojë kontratën me kompaninë italiane Kalivaçi Green Energy për hidrocentralin e papërfunduar të Kalivaçit në Vjosë. Menjëherë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ri-hapi procedurat për dhënien e një koncesioni të ri. Kompanitë e interesuara mund të aplikojnë për të ndërtuar këtë hidrocentral deri më 18 korrik 2017, sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Anulimi i kontratës ekzistuese e bën Vjosën ligjërisht të lirë nga HEC-et dhe ofron një mundësi të artë për të shpallur Vjosën si Parku i parë i një Lumi të Egër në Evropë. Megjithatë, qeveria ka vendosur të hapë procedurën e koncesionit, në kundërshtim me vullnetin e pushtetit vendor dhe komunitetit, aktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne do ta kundërshtojmë fuqimisht këtë projekt dhe do të vazhdojmë betejën për Vjosën e lirë, pa diga!”, tha Olsi Nika nga EcoAlbania dhe koordinator i fushatës për mbrojtjen e Vjosës në Shqipëri.

Projekti i Kalivaçit është hidrocentrali i parë në Vjosë i dhënë në vitin 1997. Ndërtimi i digës ka filluar në 2007, por është ndërprerë disa herë. Fillimisht, burimi kryesor i financimit ishte investitori italian Becchetti Grup dhe Deutsche Bank, por punimet kanë shkuar deri në nivelin 30 % duke e lënë lumin ende të paprekur.

Ky nuk është hidrocentrali i vetëm që qeveria shqiptare mundohet të ndërtojë, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme. Ajo ka apeluar në Gjykatën Administrative vendimin për anulimin e hidrocentralit të Poçemit i cili planifikohej të ndërtohej më poshtë Kalivaçit. “Vendimi i gjykatës kundër HEC-it të Poçemit, i cili bazohej në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) jo të përshtatshëm dhe konsultim publik të rremë, tregon mungesën e funksionimit të shtetit brenda qeverisë. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë ligjin kombëtar dhe të ndjekin standardet ndërkombëtare në lidhje me procedurën e HEC-it të Kalivaçit”, tha Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga Riverwatch.

Duke e lidhur dhe me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri që do të mbahen më 25 qershor 2017, Drejtori i Fondacionit EuroNatur shton: “Është e papranueshme që Qeveria Shqiptare ri-hap çështjen e Kalivaçit vetëm një muaj para zgjedhjeve. Vendimi për të shfrytëzuar Vjosën për hidro-energji në vend të ruajtjes së saj si lumi i fundit i egër në Evropë dhe nxitimi në periudhën zgjedhore do të sjellë pasoja të mëdha në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”

Cornelia Wieser — Riverwatch,

Olsi Nika — EcoAlbania,

Katharina Grund — EuroNatur