Pylli që nuk (do) pritet të Shtunën
A do pritet pylli (Amazona e Laknasit) të Shtunën? Kjo varet shumë nga vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit që ka vendosur ta shpalli ditën e Premte, 11 Dhjetor. Banorët e Laknasit kanë njoftuar se do jenë para Gjykatës në mëngjesin e kësaj të Premte.
Vendimi ka të bëjë me masën e sigurisë për objektin: “Ngritje ambjentesh agroturizmi për ofrim ushqimi dhe ambjente për argëtim në fermë (kompleks blegtoral dhe stabiliment therje)”, në një tokë “zall”, pranë vendit ku bashkohet lumi i Lanës me lumin e Tiranës, për të cilin ka marrë leje ndërtimi shoqëria “Bioprodukt” shpk në vitin 2019.
Deri tani Gjykata e shkallës së parë ka marrë vendim në mbështetje të ankesës së banorve për pezullim të lejes së ndërtimit.
Natyrisht Gjykata e Apelit e ka gjithë informacionin e nevojshëm për të marrë vendimin e drejtë. Por le të sqarojmë dy, tre momente.
Së pari, nëse sheh objektin çdo kush mund te ngrej supet. Objekti flet se do behet agroturism e ne kllapa sqaron se do ngrihet kompleks blegtoral dhe stabilimet therrje. Pra pyetja 1 milionshe është: a mund të shërbej për turizëm një vend, që është vendi më i ndotur, ndoshta në Shqipëri, pikërisht atje ku bashkohet lumi i Lanës me lumin e Tiranës, e ku mblidhen gjithë ndyrësirat e Tiranës, vendi ku do therren lloje të ndryshme kafshësh dhe ngjitur me të ca kafshë të tjera në stalla, që presin rradhën të shkojnë në therrtore ? E pamundur do thoshte shumëkush. Por për të mundësuar këtë budallallëk ( kupto krim) duhet të “therret” edhe një pyll me sipërfaqe 12400 m2. Jocuditërisht, Bashkia Kamëz në lejen e saj thotë se toka ku do ngrihet therrtorja dhe stallat është zall. Për të pylli nuk egziston. Bashkia Kamëz që është palë e paditur nuk paraqitet në Gjykatë për të bindur gjykatën se pylli nuk egziston. Një joçudi e madhe është që edhe Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM), që ka detyrë të verifikoj situatën në terren guxon dhe thotë në gjyq që toka ku AKM ka miratur vlerësimin në mjedis është zall. Tragjikomike është kjo. Vec ekspertëve të caktuar nga Gjykata, që nuk e mohojnë dot pyllin në ekspertizat e tyre, veç Vlerësimit në Mjedis, që nuk e mohon dot yllin, VeçMinistrisë së Turizmit dhe Mjedisit që e pranon zyrtarisht, që territori ku do ndertohet therrtorja e stallat është pyll, edhe vetë gjyqtarëve të e Apelit ju duhen pak sekonda te gugullojnë dhe do të mund të shohin pyllin intensiv, që banorët e quajnë “Amazona e Laknasit”. Një joçudi tjetër është kur Avokati i Shtetit me lehtësinë më të madhe bëhet palë me kompaninë.
Së dyti, ajo që po ndodh gjithnjë e më shpesh është që vendimmarrja e miratimit fillestar nga bashkitë dhe qeveria përdorin si referencë ligjore ligjin që duan dhe jo ligjin që duhet. Kështu në rastin në fjalë për ngritjen e thertores dhe të stallave, përdoret ligji i turizmit, ligj që në gati 100 faqe të tillë nuk egziston fjala therrtore apo kompleks blegtoral. Ndërsa në rastin konkret lidhur me kompleksin blegtoral ka një vendim qeverie (për saktësi vendimi 283 dt 1.4.2015), që shkruan se stallat me 10-50 njësi gjedhi distanca nga qëndrat e banuara duhet të jetë 500 m. Në fakt objekti që ka marrë leje nuk është as 50 m larg qëndrës së banuar.
Së treti, për të ardhur keq që kompanitë gjithnjë tentojnë akoma të bëjnë paditësit e shoqërisë civile, si jolegjitim për të mbyllur proceset gjyqsore ndaj tyre. Këtë bëri ne Apel edhe kompania Bioproducts. Në fakt këto vitet e fundit Gjykatat, fatmirësisht nuk e injorojnë më Konventën e Aahrusit për të drejtën e shoqërisë civile për tju drejtuar Gjykatës për cështje të mjedisit. Nuk ka raste në këto vite nga Gjykatat të mos njohin ligjshmërinë e shoqatave, madje edhe individëve për të ngritu padi për çështje mjedisore. Kompanitë vazhdojnë të përmendin, pa sukses moslegjtimimin.
Banorët dhe jo vetëm ata presin të Premten verdiktin e trupës gjyqsore të Apelit. Sidoqoftë kjo është një kauzë e fortë qytetare. “Amazona e Laknasit” është një piketë e rëndësishme në rrugën e drejtësisë, demokracisë e zhvillimt të qëndrueshëm.