Pse, edhe TECi i Vlorës do bëhet deri në 2030n?

Pse, edhe TECi i Vlorës do bëhet deri në 2030n?

Edi Rama në emisionin “Zonë e lirë” renditi veprat kryesore qe do ndërtohen deri ne vitin 2030. Ndër to edhe TECi i Vlorës. Historia me TECin e Vlorës filloi 20 vite me parë. Në fakt projekti ishte të ndërtohej një TEC, tek ish TECi i Fierit, por papritmas pas një ndërhyrje projekti u vendos në Vlorë, më saktë në gjirin turistik të Vlorës. Arsyeja pse u vendos në Vlorë është se në të njëjtën kohë një amerikano-maqedonas erdhi me projektin e naftësjellësit AMBO që u mirëprit nga qeveria Nano. Ky naftësjellës do sillte naftë nga Azerbazhani në Gjirin e Vlorës, ku do ndërtohej një terminal dhe ku do vinin supertankera në Gji për të ngarkuar naftë, pra gjiri i Vlorës do ishte bërë një nga gjiret e naftës më të mëdhej në Europë. Që ky terminal nafte të funksiononte normalisht i duhej një burim energjie i pavarur pikërisht pranë terminalit. Dhe kështu u vendos që TECi të ndërtohej në Vlorë. Qytetarët e Vlorës dhe ambientalistët u ngritën në protesta masive gjatë viteve 2004 -2009. Naftësjellësi nuk u ndërtua, ku padyshim nervi vlonjat ka qënë vendimtar për tërheqjen e këtij projekti shkatërrues për gjirin e Vlorës, por ngeli, TECi i Vlorës, gozhda e Nastradinit, që i ka kushtuar shqiptarëve mbi 100 milion Euro. Dhe kjo gozhdë, tash shërben për të marrë gjirin e Vlorës jo më për naftën e Azerbazhanit por për gazin e lengshëm nga Amerika. Është pranuar paraprakisht dhe është bërë një marrveshje midis ministres së Energjitikës, znj. Balluku dhe kompanisë shumëkombëshë ExxonMobil, sipas së cilës jo vetëm do vihet në punë “gozhda” por do ngrihet dhe një terminal që do të furnizoj me gaz Ballkanin. Mund edhe të ngjisi ideja tani, në situatën e shpalljes krizes energjitike në Europë, që të kemi edhe TECin e Vlorës në punë, por ideja e pakundershtuar, dukshëm, aktualisht, e ndërtimit të terminalit të gazit në Gjirin e Vlorës nuk duhet të nënkuptoj se ky investim i madh është i pranueshëm.  Terminali i gazit të lëngshëm në Gji të Vlorës është gjithashtu shumë i dëmshëm edhe pse jo në nivelin e shkatërrimit që sjell nafta, por një gjë është e sigurt që Gjiri i Vlorës nuk mund të quhet më gji turistik. Në aspektin ekonomik në pak vite me ndërtimin e impianteve të mëdha fotovoltaike dhe HEC Skavica, për të cilat ka filluar puna, apo dhe futjen e energjive të tjera të rinovueshme, TECi i Vlorës që do rilindi deri në 2030 do ketë njëherazi ditën e funeralit të tij, jo vetëm se mbush 30 vjet kur u konceptua, por edhe se energjia e prodhuar prej tij do jetë me kosto të lartë, pa mundur të konkuroj në treg. Ka dhe një faktor jo vetëm moral me TECin e Vlorës. Pse nuk ka punuar pre 12 vitesh që është ndërtuar? Kush është përgjegjës. Vetë Banka Botrore që ishte aktori kryesor i mbështetjes së ndërtimit të TECit të Vlorës e ka investiguar dhe ka penalizuar subjektin e lidhur me aferën e TECit të Vlorës, shteti Shqiptar ka të ngjarë ti ketë dhënë dekorata personave përgjegjës. Duhet patjetër të hapet një hetim për TECin e Vlorës. SPAK duhet të marrë cështjen e skandalit të TECit të Vlorës, sepse është skandal që mund të pjellë një skandal më të madh. Terminali i gazit të lëngshëm është i rrëzueshëm edhe thjesht për faktin se Shqipëria ka dhe do ketë detyra më të forta për reduktimin e emetimeve të CO2, jo ti shtoj ato me investime në energjitë fosile.