Protesa për djegjen e plehrave në Durrës si ndezës i super djegësit në Tiranë
Studentet e Universitetit Durres ne proteste kundra ndotjes nga djegja e plehrave
Protesta masive e studentëve të universitetit të Durrësit kundër djegjes së plehrave në Porto Romano është shumë e mirëpritur nga Qeveria.
Studentët i kërkojnë Bashkisë së Durrësit mbylljen e vendgrumbullimit të plehrave, dhe i kalohet topi kryetarit të bashkisë, Dakos. Dako si organizator i lojës ja ngre topin për zhytje Edi Ramës. Rama zhyt dhe ekipi i tij shkon ballëhapur drejt fitimit të super incineratorit të Tiranës.
Mediat kanë kohë, që para ndërtimit të incineratorit të Elbasanit e në vazhdim, që i bëjnë tifo të paparë ekipit të Ramës, duke ngritur zërin në kupë të qiellit, për ndotjen e tmershme nga plehrat, sidomos në Durrës e Fier, ku pritet të “shënohet” me incineratorët në Fier e në Tiranë, ky I fundit është thënë se do blej dhe plehrat e Durrësit.
Vetë Rama e ka thënë këtë verë se plehrat e Durrësit do ti kalojnë Tiranës. Këtë e konfirmoi tani publikisht edhe Dako. Ai tha : “I është kërkuar Qeverisë dhe Shoqërisë Konçesionare në Tiranë të marrë në konsideratë spostimin e mbetjeve të Porto Romanos për në Tiranë dhe trajtimin e tyre përkatës”.
Nga ana tjetër mediat kanë mbytur dhe nuk lënë asnjë rast që të dallohet paksa zëri i atyre tifozëve që kërkojnë një fair play, e që e shohin cështjen e incineratorëve si një dështim të sigurtë dhe me pasojë negative për të gjithë publikun, si rrjedhojë e aferës së incineratorëve.
Ja loja e pisët që po inkurajohet nga tifozllëku mediatik: Kapaciteti i inceneratorit të Tiranës 980 ton në ditë. Kjo sasi tejkalon sasinë e plehrave të gjeneruara në qarkun e Tiranës. Nëse zbritet sasia e plehrave të padjegshme (si lëkurat e shalqinit, lakrat etj) si dhe shumë prej tyre që riciklohen si plastik, letër etj., është studjuar se kapaciteti i incineratorit mbetet të përdoret 24%. Halli i madh ky, pasi diferencën prej 76 % duhet ta paguaj Bashkia Tiranë, dmth taksapaguesit e Tiranës. Kështu u sajua edhe marrja e plehrave edhe të Bashkisë së Durrësit.
Natyrisht nëse kjo nuk funksinon (dhe ka llogjikë që të jetë e pranueshme) nuk është larg edhe Italia që do ta quante rast të shkëlqyer të cfaroste një pjesë të plehrave të saj, sidomos tani që Kina ka ndaluar importin e tyre prej Europës.
Nëse edhe kjo nuk funksionon atëhere koncesionari merr 128 milion euro dhe ikën në shtëpi, shqiptarët do paguajnë këto para, sic po paguajnë për TECin e Vlorës.
Problemi më i madh është nëse funksionon incineratori, pasi i bie që në Tiranën të digjen cdo ditë 900 ton plehra, për më shumë se 30 vite rrjesht, që duke konsideruar ndotjen e madhe që ka ky qytet e që pritet të rritet prej intesitetit të ndërtimit në të, shtesa e ndotjes prej emesioneve jashtëzakonisht toksike të këtij superdjegësi të plehrave do të jetë katastrofale dhe do ta bëjë Tiranën një qytet të pabanueshëm.
Zgjidhja për Durrësin dhe për gjithë Shqipërinë është shumë e thjeshtë. Paratë për djegjen të kalojnë në inkurajimin e politikave të riciklimit të mbetjeve dhe mbështetjes së parimit të ekonomisë qarkulluese. Dhe kjo duhet të ndodhë tani. Roli i studentëve nuk duhet të jetë si ai i kalamajve që fusin topat në fushën e lojës. Ata duhet të jenë lojtarët kryesorë, sic i takon të jenë.