Projekti energjitik i gazifikimit të Korçës e Shqipërisë është vjedhje më e madhe se Inceneratorët e TECi lundrues.

Projekti energjitik i gazifikimit të Korçës e Shqipërisë është vjedhje më e madhe se Inceneratorët e TECi lundrues.

Sot, pas 10 vjetesh, që kur mund të ketë dalë ndonjë lajm i mbytur për incenerator në Elbasan, nuk ka njeri, madje as midis mbështetsëve të projekteve të inceneratorëve, që të mos pranojnë se inceneratorët janë thjesht një vjedhje e madhe. Thjesht inceneratorët nuk egzistojnë si objekte fizike apo funksionale, ndërkohë kur do duhej që të tre inceneratorët të prodhonin miliona kwh energji elektrike.

Sot, pas 3 vjetësh, që kur Qeveria, paradoksalisht vendosi që krizën e energjisë të shkaktuar prej burimeve fosile, ta zgjidhte me burime fosile, që nuk i kishte, e për më tepër nuk kishte as infrastrukturë të instaluar, as njerëz me njohuri për të prodhuar energji elektrike kemi vjedhjen tjetër të madhe, që quhet TEC lundrues.  Si tek inceneratorët, ndodhet një gjë e amortizuar, që duhet të prodhonte energji elektrike, por nuk prodhon energji, por prodhon miliona për kompaninë offshore. Paradoksi tjeter këtu është se kontrata e nënshkruar në Prill 2022 parashikonte 2 vjet qira, pra tani pronari do duhet të kish hequr që nga gjiri turistik i Vlorës TECin lundrues, që para sezonit të verës. TECi lundrues është aty për të sajuar tendera për vjedhje të tjera, sic ishte ai së fundi, tenderi për evadimin e mbetjeve, apo tendera për naftë, apo tendera për paisje të tjera për “remont”, apo për lista punonjësish (patronazhistë), për mirëmbajtje, për sigurinë etj.

Sot pas 8 vjetësh që Qeveria ka miratuar master-planin për gazifikimin e Shqipërisë, njësoj si me Inceneratorët e me TECin lundrues ka shpallur se vitin tjetër fillon puna për gazifikimin e Korcës.

Pse dyshohet se gazifikimi do jetë process i një vjedhjeje më të madhe se inceneratorët e TECi lundrues?

Vjedhjet e llojit të Inceneratorëve dhe TECit lundrues, pra tani dhe të gazifikimit shoqërohen me fshehje informacioni dhe heshtje mediatike.

Kush dinte në vitin 2014, kur filloi puna për projektin e inceneratorit të Elbasanit, se cfarë ishte inceneratori, leverdia ekonomike, efekti në mjedis, në shëndet të banorve? A di dikush se para se te inagurohej në 2017 të ketë patur ndonjë debat, qoftë dhe një të vetëm, për këtë vendimmarrje katastrofike, që u amplifikua me të njëjtën mënyrë edhe në Fier e Tiranë? Debati shpërtheu vetëm kur u pa se në Tiranë nuk kishte as incenerator.

Për TECin lundrues publiku morri vesh për “mrekullinë” që do shpëtonte Shqipërinë nga kriza e energjisë vetëm pasi doli dhe foli znj. Balluku, kur kontrata ishte firmosur. Në mënyrë absolute nuk ka pasur asnjë debat nëse duhej TECi lundrues të ishte zgjidhje, apo jo. Këtu puna është edhe më keq, pasi për të edhe sot, pas 3 vjetësh ka një censurë dhe autocensurë totale, në media, gjithashtu. Duket se do fillojnë të flasin për TEC lundrues, pasi të çfaqet SPAK.

Për gazifikimin funksionon e njëjta skemë. Heshtje e plotë, me përjashtim të lajmit se fillon ndërtimi i infrastrukturës për gazifikimin e Korçës. A duhet lejuar të ndodhë? A ka alternativa të tjera më të mira ekonomike dhe mjedisore se gazifikimi? Studimi paska përfunduar, por pse nuk ja tregojnë studimin, së pari banorëve të Korçës, apo analistëve e publikut të gjërë? Pse nuk ka një vlerësim të ndikimit mjedisor për gazifikimin e Korçës. Ky është detyrim ligjor. Madje ligji parashikon që për vepra me ndikim në mjedis komunkimi me publikun duhet qysh në fazën e konceptimit të projektit.

Balluku po nxiton. Pas një takimi ditët e fundit me bordin e gazsjellësit TAP ajo thote:

“Përfaqësuesit e TAP shprehën mbështetjen e plotë për projektin e Qeverisë Shqiptare për gazifikimin e vendit, projekt i cili do të nisë nga Korça, e për të cilin javën e kaluar në Baku firmosëm marrëveshjen e bashkëpunimit me SOCAR (Azerbajxhan). Mbetemi të hapur për të zgjeruar bashkëpunimin me një kompani kaq shumë të rëndësishme si TAP”.

Në master-planin e gazifikimit të Shqipërisë parashikohet, që Shqipërisë i duhet 5 miliard USD për investim në gazifimin e vëndit.

Në kohën e sotme kur është koha e bumit të energjisë së rinovueshme në shkallë botërore dhe dencetralizimit të prodhimit të energjisë, dhe ku Shqipëria është vend me avantazh të pakrahasueshëm për këtë lloj energjie, në vend që Shqipëra të bëhet vendi i parë në Europë me 100% të të prodhimit e konsumit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, me planin për gazifikimin, “ Shqipëria ka të ngjarë të jetë i vetmi vend në Evropë që planifikon të kalojë lëndët djegëse fosile në vend që të largohet prej tyre”-shkruan Pippa Gallop nga Bankwatch.

Në një studim së fundmi për gazifikimin ne Maqedoninë e Veriut, Qeveria atje u tërhoq, për arësye kryesore se nuk ishte fitim prurës për vendin.

Fshehja që po i bëhet nga Qeverua kësaj vendimmarrje gjigande të gazifikimit të vendit,  krahasuar me precedentin shumë shkatërrues të inceneratorëve dhe  TECit lundrues, të krijon bindjen e një vjedhje gjigande gjithashtu.

Për më tepër. Nëse do të lejohet që Kuvendi të filloj të buxhetoj për gazifikimin ka filluar vjedhja më e madhe në historinë e vendit.