Profesionistë ka, por punë nuk ka.

Profesionistë ka, por punë nuk ka.

Janë ndërmarrë shumë iniciativa për shkollat profesionale. Edhe qeveria i mbështet fuqishëm. Nxënësit që i ndjekin gjithashtu mbështeten me bursa e lehtësime të tjera. Bukur shumë!Një shkollë profesionale është edhe ajo e pyjeve; Shkolla e Mesme Pyjore “Kol Margjini” në Shkodër.

E vetmja e këtij lloji në Shqipëri.Ka nxënës me plot ëndrra. Duan të punojnë në pyje. Dalin specialistë të mesëm pyjesh (teknikë pyjesh). Vendi ka shumë nevojë për to. Punë ka sa të duash.

Një pjesë e tyre zgjedhin të vazhdojnë studimet e larta. Bëhen inxhinierë pyjesh. Vendi ka shumë nevojë edhe për to, akoma më shumë madje.Edhe Fakulteti i Shkencave Pyjore konsiderohet si degë e veçantë dhe është menduar që të mbështetet pasi para pak vitesh rrezikonte të mbyllej fare. Pyjet dhe kullotat mbulojnë rreth 65% të sipërfaqes së vendit.

Do të thotë se ka vërtet shumë nevojë për specialistë pyjesh.Por menjëherë pas mbarimit të studimit, inxhinierët dhe teknikët e pyjeve përballen me ëndrrën më të keqe të mundëshme; “Nuk ka punë” për to…Pra ka profesionistë, por ska punë për to.

Kryeministri thotë dhe artikulon përditë të kundërtën se ‘…ka punë por s’ka profesionistë’, por në rastin e specialistëve të pyjeve, krejt e kundërta është e vërtetë. Vendin e specialistëve e kanë zënë persona me diploma të blera e që skanë asnjë lidhje me profesionin, apo në rastin më të mirë i ka zëvendësuar ndonjë me arsim të lartë (ekonomist, agronom, ushtarak, jurist etj etj.) por që sërish nuk ka asnjë lidhje me profesionin e pylltarit. Po përse preferohen të tjerë, dhe jo specialistët e pyjeve në një vend pune ku duhet të punojnë  specifikisht këto të fundit?!

Sot, kemi Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, e cila ka një staf prej 36 personash. E dini sa specialistë pyjesh janë aty?! Vetëm 6 inxhinierë pyjesh. 30 personat e tjerë janë rrogëmarrës. Edhe sikur këto rrogëmarrës të jenë punonjësit më të përkushtuar në botë, nuk mund të bëjnë asgjë, sepse nuk mund të dinë asgjë për diçka që nuk kanë mësuar asgjë.

Pra punojnë 6 specialistë dhe marrin rrogën 30 persona të tjerë…Ndërkohë ka specialistë pyjesh marrin rrogën sepse janë hequr padrejtësisht nga puna. Paguajme 2-3 fishin për një vend pune dmth, veçse punë nuk bën njeri.

Edhe tek bashkitë që janë aktualisht “pronarët” e pyjeve, vetëm 20-30% e tyre janë specialistë pyjesh. Pjesa tjetër janë rrogëmarrës dhe gjoba-vënës (për xhepat e tyre, jo shtetin).Si mund të punosh a të justifikosh rrogën në një punë që s’ke asnjë lloj njohurie?!

Çfarë e bën kaq të lakmuar një pozicion pune për të cilin nuk ke asnjë lloj njohurie? Asgjë tjetër veç operacionit ‘kçk’ dhe shko në një pozicion tjetër po për të njëjtën gjë. Nuk ka asnjë llogjikë tjetër pas kësaj.

Pyjet janë konsideruar ngahera si “Magazinë pa çelës”, dhe operacioni ‘kçk’ duket se është në vendin e duhur.Kur shkojmë tek spitali, nuk duam të na vizitojë a mjekojë një jurist, ekonomist a profesion tjetër.

Duam të jetë mjek dhe shumë i mirënjohur mundësisht. Ndryshe vdesim vetëm duke e menduar…

Kur shkojmë tek mekaniku, duam që makinën ta kontrollojë e rregullojë mekaniku, ai pra - specialisti, ndryshe thyejmë qafën. Kafshët tona shtëpiake, duam që ti shohë e mjekojë vetëm veterineri, dmth specialisti…

Po përse në pyje u dashkan punësuar lloj-lloj profesionesh apo diploma-blerës dhe jo specialistët e pyjeve. Janë me mijra pylltarë të tillë aktualisht.Të papunë!Kemi pra me mjëra specialistë pyjesh por vendet e punës i kanë zënë jospecialistët!

Përveç marrëzisë tonë, politikës së papërgjegjshme dhe shkatërruese të administratës pyjore, nuk ka asnjë lloj justifikimi tjetër. Po çfarë kostoje ka kjo realisht?!

Në pyje, një gabim kushton shumë, por mbi të gjitha kerkon dekada e shekuj për tu korigjuar. Nëse, bie fjala, vendoset të priten pyjet në malin e Dajtit, do të duhen sëpaku 200-300 vjet që ai pyll aty të jetë siç është sot. Pra përveç kostos së jashtëzakonshme për ta mbjellë atë zonë, do të duhet të presim 300 vjet. Ja disa nga kostot e kësaj marrëzie ‘Made in Albanistan’

1. Shqipëria është sot vendi evropian më i pasur me pyje të varfëra.

2. Kemi djegur me sukses të plotë rreth 400 mijë hektarë me pyje.

3. Për 20 vitet e fundit, si asnjë vend tjetër në botë, kemi humbur 30% të biomasës pyjore. Kosto e këtij veprimi e tejkalon vlerën e 2 miliard euro (ose 15% të PBB). Kjo është një vlerë e madhe edhe për SHBA, e jo më për neve.

4. Jemi vendi më i ekspozuar evropian ndaj dëmtimit të pyjeve nga zjarret, sëmundjet dhe dëmtuesit.

5. Jemi i vetmi vend evropian që nuk përdorim më njësi pyllëzimi hektarin (10,000 m2) por numrin e fidanëve. Kur thuhet në media se u mbollën 2500 fidanë pyjorë psh., mos u ekzaltoni a gëzoni fare - janë mbjellë vetëm 1 hektarë, ndërkohë që nevoja për mbjellje është sëpaku për 200 000 hektarë. Pra nëse kemi mbjellë 2500 fidanë dhe që të plotësojmë shifrën e dëshiruar për mbjellje prej 200 mije hektarë, na duhet të mbjellim edhe 199 999 hektarë. Kaq kemi bërë dmth.

6. Jemi vendi që pyllëzojmë më pak se cdo shtet tjetër në botë. Ukraina psh, pavarësisht luftës atje, ka mbjellë 23,306.4 hektarë me pyje, ose 58.3 milionë fidanë pyjorë në vitin e kaluar (2022).

7. Asnjë specialist pyjesh nuk merr dot më vendime për pyjet. Vendimet i marrin të tjerët, dmth jo-specialistët…

8. Sot, krejt e kundërta e asaj që dubet të ndodhë, i kemi sallat plot me njerëz e pyjet bosh, pa pyje.

9. Për shkak të degradimit të pyjeve, Shqipëria ka një normë erozioni që vlerësohet rreth 12.5 herë më të lartë se mesatarja e vendeve te BE-së.

10. Deri tani (për fat të mirë) nuk kemi asnjë specialist pyjesh që bën operacione kirurgjikale në spitale

😊

…megjithëse nuk do ishte çudi nëse ndodh tek ne…Kjo lista mund të zgjatet aq sa rruga e kombit, por po e lë me kaq tani.Të kthehemi tek fillimi sërish. Nëse qeveria inkurajon shkollimin drejt shkollave profesionale (dhe shumë mirë bën), përse ju vë shkelmin profesionistëve sapo ato diplomohen?!

Përse, në vend të profesionistëve merren njerëz pa asnjë lloj lidhje me pozicionin e pynës dhe rrogën që marrin?! Edhe në ligj thuhet se në pyje duhet të punojnë specialistët e pyjeve. Pra shkelet edhe ligji, por kujt i bëhet vonë?!

Pse “qahemi” se po ikin të rinjtë pastaj? Ikin se të paaftët dhe të tjerët ju kanë zënë vendin e punës për të cilin kanë bërë 17 vjet shkollë, në mos më shumë.Vetëm tallje është kjo.

Asgjë tjetër.

Tallje me profesionistët

Tallje me ligjinTallje me taksat tona (shpenzohen kot)

Tallje me burimet natyrore të vendit dhe shpërdorim masiv i tyre.Tallje pra…., tallje!Nejse, profesionistët le të lehin, karvani i shkatërrimit në pyje ecën përpara!

Abdulla Diku
Abdulla Diku