Politikat pro-mjedisore, nga shembulli personal i mbledhjes së plehrave, po qe nevoja edhe pa doreza, te… HEC-et brenda Parkut Kombëtar të Thethit!
Një ndër ngjarjet më të mirëpritura të viteve të ngarkuara pandemike që lamë pas është ajo e anullimit të ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosë.
Ndonëse jo të gjithë ekspertët ishin të idesë se ndërtimi i disa prej tyre do shënonte katastrofë mjedisore dhe mjaft e shihnin ndërtimin e ndonjë hidrocentrali jo vetëm si gjenerues të qenësishëm energjie dhe të ardhurash por edhe si një mënyrë për t’i shpëtuar nga përmbytja e përsëritur mjaft zona të banuara në afërsi të lumit, mbrojtja e ‘egërsisë’ së Vjosës mund të konsiderohet një arritje e mirëfilltë.
Përpjekjet e grupimeve ‘green’ dhe të shoqërisë civile, falë edhe sensibilizimit të fraksioneve ndërkombtarisht të angazhuara, e ‘shpëtuan’ Vjosën dhe, në mënyrë jo të drejtpërdrejt, kontribuan për promovimin e natyrës sonë të mrekullueshme përtej kufijve.
Nisma ishte, gjithashtu, në përputhje me politikat pro-mjedisore të vendit, gjatë viteve të shkuara, kur rrjetesh sociale deklarohej se mbi Vjosë nuk do kishte HEC-e dhe jepej shembulli personal duke mbledhur plehrat, po qe nevoja edhe pa doreza.
Por kalendari ka ndryshuar dhe mbrojtja e Vjosës, fatkeqësisht, mund të mos përbëjë precedent, në kalendarin e ri, për mbrojtjen e të tjerë lumenjve po aq të bukur dhe turist-ndjellës.
Në ditët e para të Janarit, gazetarja Alice Taylor solli në vëmendje projektet e ndërtimit të tre HEC-eve mbi lumin e Shalës, i cili buron në afërsi të Thethit, një ‘perlë’ natyrore dhe, njëherazi, një prej destinacioneve turistikë më të preferuar në vend.
Projektet, që duhet të jenë trashëgimi nga ish-qeverisja që ishte e gatshme të jepte koncesione hidrocentralesh mbi çdo përrua a rrëke, pasi kanë fjetur zyrash për gati një dekadë, çuditërisht, po rigjallërohen.
Sipas të dhënave të bëra publike, dy prej tre HEC-eve mbi lumin e Shalës parashihet të ndërtohen brenda Parkut Kombëtar të Thethit, çka i bie ndesh ligjit. Për më tepër, bazuar në studimet e fizibilitetit të para 10 viteve, prodhimi vjetor i tre HEC-eve mbi Shalë të marra sëbashku është rreth 321 GWh (giga vat në orë), më pak se 366 GWh të Kalivaçit, më i madhi mes mbi njëzet, që u anullua mbi Vjosë.
Përtej vendndodhjes gjeografike të të dy lumejve, HEC-et që përgatiten për zbatim mbi lumin e Shalës nuk mund të jenë ngjizje politikash ndarëse.
Në fakt, kur sheh në mesin e përfituesve të kontratave që pritet të fillojnë punën këtë vit, një kompani kineze dhe një nga Emiratet e Bashkuara, kupton se bëhet fjalë për dorovitje të llojit “mirë me të gjithë, ka për të gjithë”; me llogjikën që edhe rrekemi të hymë në BE por edhe Ballkanin e Hapur e bashkëkrijojmë; edhe ShBA të na ndërtojë Skavicën e shumëpritur edhe mini- HEC-et mbi Shalë ia japim kinezve e arabëve, se po na mërziten.
Unë uroj fort që grupet që ndaluan ‘çmendurinë’ mbi Vjosë të angazhohen edhe për ndalimin e hidrocentraleve mbi lumin e Shalës.
Përndryshe, të lutemi që miqtë nga viset e largëta shkretinore të jenë zemërgjerë dhe ndryshe nga bashkëkombasit e vet në Durrës të shkojnë përtej një spektakli fishekzjarresh për vitin e ri. Me shpresë, e hapin edhe ndonjë ‘Nusr-Et’ përrallor me pishinë alpesh.
Nga Edona Llukaçaj, Botuar në DITA