Plehrat helmojnë qytetet. Vendet kthehen në “ferma” derrash, lopësh e delesh

Plehrat helmojnë qytetet. Vendet kthehen në “ferma” derrash, lopësh e delesh

Vendgrumbullime plehrash në mes të qyteteve, plazheve, lumenjve, madje edhe në zona turistike apo minierash. Lopë, dele, derra, kuaj, apo kafshë të tjera, kullosin në këto vende, çka e rrit ndjeshëm përhapjen e epidemive. Kjo është panorama e vendeve ku bashkitë hedhin mbeturinat çdo ditë, duke e kthyer Shqipërinë në një “kazan” të madh mbetjesh. Qindra mijëra shqiptare zgjohen dhe ngrysen në mes të plehrave, nuhasin aromën e tyre. Pjesa më e madhe e vendeve ku depozitohen mbetjet në qytetet kryesore të Shqipërisë janë afër qendrave të banuara.

Prej vitesh, pushteti qendror dhe lokal nuk ka venë dorë për të rregulluar këto vende, të cilat janë katastrofa ekologjike. Në vendgrumbullime depozitohen çdo ditë mijëra tonë mbetje urbane të ndryshme. Madje, në shumicën e qyteteve plehrat digjet në natyrë të hapur, duke çliruar çdo ditë gaz karbonik. Fiks Fare vëzhgoi nga afër këto vende.

Fieri dhe Lushnja

Vendgrumbullimi i mbetjeve në Fier është në lagjen “Sheq”, në hyre të qytetit, rreth 30 metra larg rrugës nacionale. Në këtë lagje jetojnë mijëra persona, ndërsa vendi është shumë afër pallateve shumëkatëshe. Vendi ishte kthyer në një “fermë”, pasi gjatë vëzhgimit nga Fiks Fare, në këtë vend kishte derra, dele dhe kuaj. Gazetarët tentuan të flisnin me barinjtë, të cilët thanë se kanë mbi 25 vjet që i kullosin bagëtitë në këtë vend. Në Fier vijonin të digjeshin mbetjet në natyrë, ndërsa hidheshin ku të mundeshin. Roja tha se nuk e shuan dot zjarrin. Ndërkohë, plehrat në Lushnje hidheshin në lagjen “18 tetori”. Plehrat vijonin të digjeshin prej disa muajsh, kishte flakë dhe tym. Roja thotë se zjarri është në thellësi dhe plehrat lëshojnë gazra. Në zonë ishin rreth 5000 banorë, ndërsa banorët thanë se gdhihen dhe ngrysen me këtë situatë.

Berati dhe Bulqiza

Plehrat në Berat hidhen në zonën e Otllakut, buzë lumit Osum. Një pjesë e plehrave ishin pothuajse në shtratin e lumit dhe një shtyrje e lehtë, rrjedha e lumit i merr. Plehrat digjeshin, madje po bënin disa muaj në atë gjendje. Roja tha se ai ruan vetëm një anë, ndërsa anën tjetër e ruan një punonjës tjetër. Ai thotë se para pak ditësh, në këtë vend janë hedhur edhe disa qenë të ngordhur, që kanë qenë të vrarë. Ai thotë se djegia është shumë poshtë dhe e ka të pamundur ta shuajë. Drejtoresha e shërbimeve në Bashkinë e Beratit thotë se vendi nuk ka leje mjedisore. Ndërkohë, në Bulqizë plehrat hodhën në zonën e Qafës së Buallit. Plehrat kanë kontaminuar një pjesë të rrugës që të çon te minierat e zonës së parë dhe të zonës D. Madje, qeset janë përhapur në një sipërfaqe të pyllëzuar.

Vlora dhe Durrësi

Plehrat në Vlorë janë vetëm 500 metra larg zonës historike dhe 200 metra larg zonës plazhit. Plehrat kanë infektuar të gjithë zonën, pasi afër ka dhjetëra banesa. Banorët thanë se po helmohen, ndërsa i kërkojnë bashkisë që të marrë masa. Ndërkohë, plehrat në Durrës hidhen në një zonë industriale, në Porto Romano. Plehrat digjen në natyrë, ndërsa vendi ishte i mbushur me derra, dele e lopë. Banorët e zonave i sillnin në këtë vend për të kullotur.

Botuar nga Gazeta Shqip me 13 December 2017.