Përurimi landfillit Maliq dhe refuzimi incineratoreve në Fier e Tiranë
“Sot kemi përpara një impiant modern të trajtimit , një landfill me kushte bashkëkohore”-tha Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Gjiknuri në ceremoninë e përurimit të landfillit të Maliqit më 29 Shtator 2018, financuar nga qeveria Gjermane, Z.Rama që ishte i pranishëm në përurim heshti.
A mos vallë kryeministri ndjehet në faj me mbështetjen e tij për investimin totalisht të dështuar qysh në koncept, madje me shumë gjasa të egzistencës së një linje të pastër korruptive në incineratorët?
Ndoshta refuzimi i publikut, grupeve të interesit, madje edhe i vetë adminstratës së shtetit bërë një ditë më parë tek gjoja dëgjesa publike organizuar nga kompania koncesionare e incineratorit të Tiranës ka qënë një sinjal për reflektim i z. Rama? Nuk ka pasur protesta për ndërtim landfill bashkëkohor në Maliq, në Bajkaj, në Bushat. As nuk ka për të patur protesta në investimin që po realizohet në Vlorë, po nga qeveria Gjermane (Pse qeveria Gjermane investon në landfill dhe jo në incinerator?).
Landfillet bashkëkohore janë investimet e duhura që i duhen këtij vendi të vogël e të bukur. Janë investime të zgjuara në lidhje të ngushtë me territorin e vendit, me ekonominë e vendit. Bashkitë dhe kompanitë e riciklimit do jenë të interesuara të çojnë sa me pak mbetje në landfill dhe të gjenerojnë të ardhura nga riciklimi, duke punësuar edhe njerëz.
Në interes të të gjithëve është të prodhohen sa më pak ndotje, për të cilat do duhet të aplikohen politika nga qeverisja vendore dhe qendrore. Kështu jeta e landfilleve do jetë më e gjatë dhe kostoja më e ulët. Shumë njerëz do kenë mundësi të punësohen.
Ideja, tashmë e kthyer në koncesione për djegjen e përqëndruar të plehrave me incinerator përbën një dështim në zhvillim, dukshëm i konfirmuar edhe nga rënia e “lavdisë” së incineratorit të Elbasanit, ku të gjithë fshihen, si nga kompania dhe Qeveria, vetëm njëherë Gjiknuri pati guximin të pranoj se ai punon me gjysëm kapaciteti.
Dhe nuk është dëgjuar asnjë fjalë për energjinë që do prodhohej nga djegja e plehrave në incinerator të Elbasanit, të ardhurat prej së cilës do i kalonin bashkisë së Elbasanit.
Në Fier edhe pse ka pasur protesta të shumta vazhdojnë të punojnë me tërbim për të bërë një incineraor në “ajër”, pasi toka në Verri, ku po ndërtohet incineratori është vetëm disa centimetra mbi ujë dhe nuk e mban dot peshën e incineratorit.
Incineratori i Fierit dhe i Tiranës do grumbullojnë 100% mbetjet e qarkut të Tiranës dhe të Fierit me qëllimin për ti djegur. Ndër mbetjet më të preferuara për tu djegur janë plastika dhe letra, pikërisht ato që duhen më shumë për tu ricikluar për të prodhuar një produkt tjetër me vlerë.
Nëse këta incineratorë do të privohen nga këto mbetje të riciklueshme, ata nuk mund të punojnë, pasi mbetjet organike kanë fuqi të ulët kalorifike, për shkak të përqindjes së madhe të ujit në to. Të imagjinosh që një fshat i largët i Kavajës duhet të sjellë lakrat apo lëkurat e shalqinjve për ti djegur në Tiranë. Natyrisht kjo nuk mund të ndodhë, as teknikisht as ekonomikisht e aq më tepër ekologjikisht.
Me shumë gjasa ajo që pritet është që kompanitë ose kompania, siç është investiguar, do ketë lejen e Qeverisë që të importojë plehra për të djegur.
Ecomafia, prej 15 vitesh po e pret ti hapet kjo dritare. A thua Edi Rama, po i hap edhe derën edhe dritaren? Erjon Veliaj ka qënë ndër kryesorët e reagimit të shoqërisë civile për mos hapjen e dritares për instalim incineratori prej të famshmit Becchetti në vitin 2004.
Tani ai mbyll sytë, dhe me dashje apo padashje bëhet bashkëfajtor në këtë aferë, që nëse lejohet të ndërtohet veç pisllëqeve me paratë që do qarkullojnë do kthehet në një gjenerator të helmimit të banorve të Tiranës, jo pak të helmuar edhe tash.