Përpëlitje për të deligjitimuar shoqërinë civile si paditëse për shkatërrimin e mjedisit prej binomit qeveri — konçesionar.

Elita globale duke parë dekadad e fundit dëmin me pasoja të frikshme të mjedisit jo vetëm prej veprimeve të paligjshme por edhe atyre të ligjshme erdhi në një zgjidhje që për të mbrojtur mjedisin duhet ti japi rol qytetarëve jo vetëm në të drejtën për tu informuar e për të marrë pjesë në vendimmarrje të shtetit, por edhe të kërkoj në gjykatë të rrëzoj cdo vendimmarrje që dëmton mjedisin.
Kjo e drejtë e qytetarëve është sanksionuar me konventë ndërkombëtare, që quhet konventa Aahrus, ratifikuar dhe hyrë në fuqi nga Kuvendi i Shqipërisë qysh në vitin 2001, e cila ka superioritet edhe mbi legjislacionin vendas.
Qytetarët nuk kanë të drejtë, përshembull, të kërkojnë në Gjykatë ndalimin e një lufte, që mund të ketë mijra, apo miliona viktima, por kanë të drejtë të kërkojnë të ndalojnë vendimmarrjen qoftë edhe për të prerë një pemë apo për të devijuar rrjedhën e një lumi, përshembull. Sollëm shembullin e lumit, pasi pikërisht masakra mjedisore mbi mjedisin po bëhet duke shkatërruar lumenjtë në Shqipëri. Shoqëria civile është ngritur dhe po kundërshton edhe në Gjykatë masakrimin e lumenjve prej binomit qeveri — konçesionar.
Qeveria dhe konçesionarët të bërë njësh kundër qytetarëve kanë lëshuar tufën e avokatëve, që në mënyrë mjerane rrëmojnë të heqin qafe qytetarët duke kërkuar pa fund në nene ligjesh administrimi e të deligjitimojnë qytetarët në kërkesat e tyre, të cilët kanë të tyren një ligj superior, të njohur si të tillë nga Kushtetuta, sic është konventa e Aahrusit.
Kjo po ndodh aktualisht me Gjyqin për Parkun Kombëtar të Valbonës, ku qytetarët kërkojnë që të anullohet një vendim i Këshillit Kombëtar të Territorit, që i njeh të drejtën konçesionarit të ndërtoj hidrocentral në Valbonë, ndërkohë që ligji thotë shprehimisht se nuk lejohet ndërtimi i hidrocentralit në Park Kombëtar. Këtu kemi të bëjmë me një rast flagrant të dhunimit të ligjit, edhe pse qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë ndalimin e ndërtimit të hidrocentralit edhe sikur ligji ta lejoj ndërtimin e tij.
Gjykata Shqiptare, deri më sot, e ka pasur të lehtë të injoroj të drejtën e qytetarëve në raport me palën e “militarizuar” qeveri — konçesionar. Sot është kohë tjetër.