Pas 20 vitesh Komisioni Europian dorëzohet dhe zhduk TECin e Vlorës nga raporti i përvitshëm.

Energjia nga burimet e rinovueshme një sukses i Shqipërisë
TEC i Vlorës qëndron në bregdetin turistik të Vlorës si simbol i një korrupsioni ndërkombëtar. Më poshtë do japim argumenta, pse është symbol.
Ky simbol fosil për 20 vite rresht ka gjetur hapsirë prej një ose më shumë paragrafe në kapitullin për energjinë të Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, duke e lidhur TECin e Vlorës me pamjaftueshmërinë për energjinë elektrike në vend, sigurinë energjitike, rolin për diversifikimin e energjisë, vëmëndjen e Qeverisë shqiptare etj, duke e mbajtur në këmbë këtë symbol të korrupsionit, që jo vetëm i kushton buxhetit të shtetit mbi 100 milion euro, por edhe ka mbajtur peng zhvillimin e nje turizmi ekologjik në pjesën më magjepsëse të bregdetit të Adriatikut.
Në raportin e Komisionit Europian për Shqipërine, 2023 shkruhet:”Shqipëria synon të lidhë termocentralin e Vlorës me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP) nëpërmjet një tubacioni të gazit natyror, si dhe nëpërmjet një terminali LNG, për të përmirësuar sigurinë energjetike për vendin dhe rajonin”.
Sot, në raportin e Komisionit Europian për vitin 2024 togfjalëshi “termocentrali i Vlorës” për herë të parë është zhdukur nga raporti. Siguria energjitike në planin e energjisë elektrike dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë në këtë raport nuk shihet më nga fosilet.
Përkundrazi në raportin e vitit 2024 shënohet dukshëm një lloj revolucioni në lidhje me energjinë, në të cilin shkruhet: “Pas ankandeve të suksesshme të energjisë së erës dhe diellit, nevojiten strategji për burimet e rinovueshme në det të hapur dhe për dekarbonizimin e industrisë dhe transportit”
Pse është simbol i korrupsionit ndërkombëtar TECi i Vlorës.
Në vitin 2001 ishte vendosur rehabilitimi i TECit të Fierit, por një amerikano-maqedonas kishte depozituar një projekt për një super naftësjellës të quajtur AMBO dhe për një super terminal nafte në gjirin turistik të Vlorës. Në studimin e fisibilitetit të këtij projekti shkruhej se pranë superterminalit të naftës duhej një burim energjie i pavarur. Kështu u anullua Fieri dhe u sajuan letra për TEC me cikël të kombinuar (naftë ose gas) në Vlorë, ku do bëheheshin në gji të Vlorës dhe 2 TEC të tjerë, rafineri nafte dhe depozita nafte. Falë betejës të shkëlqyer të qytetarëve të Vlorës ky plan u zmbraps, por mbeti pa u shmangur TECi i Vlorës, për të cilën Qeveria shqiptare nuk kishte as lëndë të parë, as specialistë, as para. Por Banka Botrore, bankat BERZHi dhe BEI, u ofrua të jepte kredi, që po i paguanë sot shqiptarët, për këtë TEC, që dergjet aty, në zonën turistike të Vlorës, duke vazhduar të vjedhë shqiptarët.
Prej vitesh qeveritë Rama i kanë bërë lavazh trush shqiptarëve se TECin e Vlorës do e kthejnë nga TEC me naftë në TEC me gaz. Fakti është se TECi është teknologji që punon edhe me naftë edhe me gaz. Në 2009, pasi Aleanca për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës bëri ankimim tek Banka Botrore, pas një inspektimi 2 vjecar paneli i inspektimit I Bankës Botrore i raportoi Bordit të Bankës Botrore, ku qartësisht shkruan: “Termocentrali po ndërtohet (në versionin anglisht shkruhet “Is designed”) në mënyrë të atillë që të mund të përdorë edhe gazin si lëndë djegëse..”
Po në këtë dokument në vijim shkruhet në anglisht: “The plant’s emissions are designed to be in compliance with new EU Directives”. Në version shqip kjo shprehje vendoset: “Kjo do ta ulte edhe më tej ndikimin mjedisor”, pra në version shqip nuk përmenden direktivat e reja të BEsë.
BB me njësinë e saj të pavarur që investigon korrupsionin ka botuar në Mars të vitit 2018 raportin e saj investigativ lidhur me projektin e TECit të Vlorës. Raporti gjen si shkelje Kompaninë A e cila e ka financuar fshehurazi kompaninë B në këmbim të shërbimeve konsulente për fitimin e tenderit. Banka Botrore ka vendosur sanksione për Kompaninë A. (http://documents.ëorldbank.org/curated/en/255391520630989687/pdf/123708-repl-Albania-PSRRP-PSGRP-Redacted-Report-FINAL.pdf?fbclid=IëAR2mxIzAze4atERHrNdiI9gBenëOU-t3ki-VqB7hRdSLteOqn0RTGOqt8rE ). Ky raport, që tregon të provuar tenderimin mbështetur tek korrupsioni i lidhur me faktin se TECi i Vlorës nuk u vu dot në punë për 15 vjet rrëzon alibinë e difekteve dhe gjyqeve dhe hedh dritë mbi vjedhjen spektakolare.
Paneli i investigimit i BB vërteton korrupsion në tender për TEC të Vlorës. Qeveritë Berisha 1, Berisha 2, Rama 1, Rama 2, Rama 3 përpiqen të mbulojnë vjedhjen e dhunshme të shqiptarëve, duke synuar një tjetër supervjedhje në vendin e vjedhjes së parë, me emrin gazifikimi i Shqipërisë, tashmë filluar me leje mjedisore për TEC të Roskvecit.
Qeveria duhet të ndërpres menjëherë milionat që vazhdon të paguajë për mirëmbajtjen e TECit të Vlorës. SPAK duhet të nis hetimin për TEC të Vlorës.
Qeveria mund të bëj hap revolucionar në Samitin Botror të Klimës, në 11-22 Nëntor, duke shpallur Shqipërinë vend 100% prodhim e konsum të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
Duke parë raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë 2024, suksesin e Qeverisë në zhvillimin e prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme si dhe vlerësimin maksimal për këtë raport, prej kryeministrit Rama është plotësisht e besueshme se në Samitin Botror për Klimën Qeveria mund dhe duhet të shpallë që Shqipëria deri në vitin 2030 do të prodhoj dhe konsumoj 100% të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme. Për këtë hap edhe me rëndësi globale Qeveria ka gjithë mbështetjen e shoqërisë civile, së fundmi shfaqur nga grupimi i shoqatave mjedisore, “Lëvizja për Energjinë dhe Klimën”