Parlamentarët sot po bëjnë gati "minat" për të shkallmuar portat e zonave të mbrojtura
Vetëm pak ditë pasi ndryshimet e propozuara në ligjin “Për zonat e mbrojtura”, të hartuara nga një grup deputetësh të njëanshëm (vetëm të PS-së) u publikuan në vitrinën online të projekt-akteve të Kuvendit, komisioni përgjegjës (Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin) ka vendosur shqyrtimin në datën 13 dhjetor, ora 18:00. Pra, nesër. Diskutimi do të zhvillohet live, në faqen online të Kuvendit të Shqipërisë.
Ngjarja e papritur që kërkon të ndryshojë ligjin e zonave të mbrojtura e për pasojë edhe statusin e tyre u nxit nga kërkesa e një dyzine kryetarësh bashkish (që të gjithë kandidatë të PS-së) me pretendimin se “ligji aktual është një ligj i ngurtë e i pazbatueshëm… që privon qeverisjen vendore në mundësinë e administrimit të zonave të mbrojtura”. “Është e rëndësishme”, vijon më tej kërkesa, “që qytetarët të bëhen pjesë e procesit të administrimit dhe e përdorimit të zonave të mbrojtura”. Ndonëse mbetet ende e paqartë se në ç’mënyrë do të ndodhë përfshirja e qytetarëve, apo në ç’mënyrë ligji aktual e ndalon deri tani këtë përfshirje, Kuvendi, pa kryer asnjë monitorim, asnjë studim mbi efektivitetin e këtij ligji, qysh prej miratimit në vitin 2017, mori në konsideratë kërkesën e cila, në rast kalimi, i shndërron kryetarët e bashkive në administratorë të zonave kombëtare të mbrojtura. Të paktën, në jo më pak se të 20% të hapësirës së mbrojtur, çka do të thotë, edhe deri 100% të saj, siç parashikon ndryshimi.
Por e papritura nuk mbaron këtu. Përballë ndryshimeve të propozuara vihet re një zhvendosje thelbësore nga kërkesa fillestare. Ndryshimet parashikojnë heqjen e zonimeve (kësisoj zhvlerësohet shkalla e mbrojtjes), si dhe “mundësinë për ndërhyrje brenda zonës,… përfshirë impiantet për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, infrastrukturës së naftës dhe gazit”, ndërkohë që ligji në fuqi i ndalon, specifikisht, këto. Pra, ajo çka kryetarët socialistë nxitën si nevojë administrimi në emër të komunitetit, deputetët e të njëjtit krah politik, e ndryshuan në mundësi zhvillimi dhe rritje ekonomike brenda zonave të mbrojtura. A është kjo zhvendosje një rastësi? Paralajmërimi është dhënë. Ndërkaq nuk ka asnjë dyshim, mbrojtja dhe integriteti i zonave të mbrojtura dhe pamundësia e deritanishme për ndërhyrje, madje edhe brenda nënzonës qëndrore, ka rënë. Marrëzia e ndërhyrjeve, veçanërisht në nenin 16 të ligjit, mundëson rikthimin e hidrocentraleve brenda zonave parqeve kombëtare, pse jo edhe Kalivaçin në Vjosë, nësë në të ardhmen një ndërhyrje e tillë vlerësohet me rëndësi kombëtare nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT). Konkretisht, neni 16, ku thuhet se “…Janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit”, propozohet të ndryshojë, duke shtuar: “përveç projekteve të miratuara nga KKT, ku… evidentohet rëndësia kombëtare e investimit”.
Po cilat mund të jenë projektet? Mundësia mbetet e hapur për secilën prej sipërpërmendurave. I kujtojmë lexuesit se përpara dy vjetësh, KKT shkëputi një territor të mbrojtur prej 300 ha nga Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një akt i paligjshëm pa dyshim, por këtej e tutje ndryshimet e reja rrezikojnë të shkulin nga themelet zonat e mbrojtura.
Së pari, duhet mësuar se ligji “Për zonat e mbrojtura” siguron mbrojtje të veçantë për territoret dhe burimet natyrore të vendit. Qëllimi i tij është që të sigurojë dhe të rehabilitojë ekosistemet e habitateve natyrore të egra. Në kushtet e kërcënimeve të krizes mjedisore globale për shkak të ndryshimeve të klimës, mbrojtja e tyre mund të vlerësohet një çështje e sigurisë kombëtare. Pavarësisht betejave të deritanishme, për mbrojtjen e këtyre zonave, një pjesë e të cilave edhe të humbura, zbatimi i këtij ligji në terren ka funksionuar. Pranohet se pjesa më e madhe e kërkesave për zhvillim brenda kufijve të zonave të mbrojtura janë sprapsur. Përndryshe, amendimet në fjalë do të ishin të panevojshme(!) Por, nëse deri dje ndërhyrja e biznesit në territoret e mbrojtura përbënte, sidoqoftë një shkelje, sot ndryshimet e propozuara kërkojnë që t’i legjtimojnë ato. Në rast se ato kalojnë, vënia e burimeve natyrore në dispozicion të zhvillimit, këtej e tutje, do të jetë një rutinë e vazhdueshme.
Ndryshimet e gjejnë administratën kombëtare të zonave të mbrojtura më të dobët se kurrë, qysh nga organizimi i saj në vitin 2015. Më shumë se gjysma e drejtorëve të saj themelues janë larguar, në dy vitet e fundit. Presioni i turizmit që propagandohet në emër të zhvillimit nga vetë lidershipi i Ministrisë së Mjedisit, po spraps entuziazmin dhe po pakëson energjitë e rojeve mjedisore anembanë vendit. Kërcënimet e zhvillimit mbi natyrën e egër janë të dukshme, ndërkohë që heshtja vijon të jetë e madhe…
Në faqen online të konsultimeve të Kuvendit ku është depozituar projekt-ligji, nuk ekziston ende asnjë koment. Përveç fare pak reagimeve publike nga disa ekspertë, vihet re mungesa e një qëndrimi të theksuar prej organizatave të shoqërisë civile, kryesisht atyre mjedisore. Por nuk mbetet shumë kohë.
Ndërkohë që autoritetet po tregohen të ngutshme. Në pak javë, një kërkesë e paprecedentë u shndërrua në një projekt-ligj, të cilin, formalisht, vetëm pak ditë e ndajnë nga miratimi në seancë plenare. Integriteti i zonave të mbrojtura është në rrezik!
Përshpejtimi i procedurës për kalimin e projekt-ligjit në seancë plenare ushqehet edhe nga deklaratat e Kryeministrit, të mërkurën e shkuar (6 dhjetor) gjatë ceremonisë për shpalljen e grupit fitues për qendrën e vizitorëve në Vjosë. “Leksionet morale sesi duhet të sillemi me natyrën qeveria jonë nuk i pranon dot, aq më tepër në një botë ku ndotësit më të mëdhenj bëjnë moralin më insistues”, u shpreh ai, i vetëdijshëm për praninë e përfaqësuesve të qeverive dhe të disa agjencive të huaja zhvillimi në sallë. Më tej ai përmendi, specifikisht, projekt-ligjin në fjalë. “Ne jemi në një fazë rishikimi të zonave të mbrojtura, si rezultat i kërkesës së një numri kryetarësh bashkish, të cilët janë të vetëdijshëm për nevojën e konservimit, por natyrshëm edhe me ambicie dhe nën presion për zhvillim ekonomik. Kombinimi i të dyjave është një domosdoshmëri”, përfundoi.
Në fakt, për të kuptuar të vërtetën e cila fshihet pas këtij “kombinimi” mjafton të shohim veprimet e autoriteteve me Vjosën. Nga njëra anë e ngrenë mbrojtjen e lumit në nivelin e Parkut Kombëtar (më parë ishte vetëm Park Natyror) dhe nga ana tjetër e shkatërrojnë, duke ndërtuar një aeroport ndërkontinental në deltën e lumit. Po kaq kundërthënëse janë deklaratat, mes kryeministrit dhe ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, ku përkatësisht, njëri flet për turizmin e luksit që do t’i shërbejë shqiptarëve të thjeshtë, ndërsa tjetri flet për miliona turistë të thjeshtë që do vizitojnë zonat elitare të natyrës së egër shqiptare.
Të njëjtin pështjellim kompozojnë në tablonë e ndryshimeve edhe deputetët propozues. Në relacionin shoqërues ata flasin për mbivendosje mes “Zonave me Përparësi Zhvillimi” dhe “Zonave të Mbrojtura”, por pa e përmendur, specifikisht se për ç’mbivendosje bëhet fjalë. Në tërësi, relacioni është i varfër me argumente. Nga një vëzhgim në distancë, duke hulumtuar CV-të e secilit prej deputetëve pjesëmarrës në këto ndryshime, konstatohet mungesa e formimit për të marrë mbi shpatulla barrën e rreth 22 neneve të propozuara për t’u ndryshuar.
Në orët në vazhdim mund të kuptojmë edhe më shumë se çfarë fshihet realisht pas ndryshimeve të befta në ligjin “Për zonat e mbrojtura”. Koha nuk pret. Kuvendi ka çelur konsultimet online me individët dhe me grupet e interesit, ndërkohë që seancat publike përballë komisionit, janë të mirëpritura. Por deri tani ende nuk është regjistruar qoftë edhe një organizatë.
E ardhmja e zonave të mbrojtura është e pasigurtë. Vetëm një gjë është e qartë: nëse jepen, nuk mund të merren pas…
Artan Rama
* Artan Rama është gazetar dhe producent i pavarur që jeton në Tiranë. Ai fitoi çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese në vitin 2016 dhe çmimin e tretë në vitin 2022. Prej kohësh ai është i angazhuar në raportimin e historive të krimit mjedisor, në shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe në çështjet e zhvillimit të qëndrueshëm.
Shënim: Artikulli është marrë nga Citizen Channel. Titulli është ndryshuar.