Parku Kombëtar i Valbonës nuk ka interes publik
Parku Kombëtar i Valbonës nuk ka interes publik. Kështu e tha gjykatësi. Jo, nuk e tha tamam kështu. Kështu rezultoi. Nuk e përmedi fare fjalën Park Kombëtar i Valbonës në gjithë arsyetimin e tij. Ai tha në vendimin e tij se HECi është interes publik. Llogjika e njerëzve të thjeshtë thotë se nuk mund të jenë në një vend edhe parku natyror edhe parku industrial. Po ligji? Ligji e ndalon në mënyrë taksative ndërtimin e HECeve brenda Parkut Kombëtar. Ligji 81/2017 dekretuar nga Presidenti më 18.05.2017, për parqet kombëtare, si edhe ky i Valbonës në nenin 16, pika c) shkruan: “janë të ndaluara ndërtimi i ….linjave të energjisë, si hidrocentrale,…..”. Banorët dhe shoqata Toka kërkuan nga Gjykata që të pezullohet leja nr 12 e dhënë në kundërshtim me ligjin nga KKT në 10.11. 2017.
Busalla e gjykatave Shqiptare nuk ka si Nord ligjin. Ja kështu ndodhi edhe në vendimin e gjykatës administrative dt 31.01.2018. Leja per te vazhduar ndërtimin e HECit në Valbonë jashë ligjit nuk u pezullua, pra Gjykata la të vazhdoj dhunimi i ligjit. Është sa qesharak aq edhe revoltues arsyetimi i Gjykatës: “pezullimi i këtij akti administrativ do të cënoj interesin publik duke komplikuar proceduren e mëtejshme (humor-skandali: Pezullimi, dmth., zbatimi i ligjit cënon interesin publik se komplikoka procedurën, ndërsa dhunimi i ligjit e thjeshtoka procedurën) dhe mardhëniet kontraktore mes organeve publike dhe operatorëve ekonomik privatë (për gjykatën natyra le të shkatërrohet vetëm kontratat e shkruara të kundraligjshme në dëm të natyrës të mos preken), do ti shërbej zhvillimit të zonës duke siguruar të ardhura shtesë ( Hajde gjykatës, hajde: do punësohen 3 roje dhe do humbin punën 300 të punësuar në turizëm dhe kjo quhet zhvillim) dhe sigurim të energjisë (a thua nuk janë elektrifikuar akoma), si dhe për faktin që kjo vepër pas një kohe të gjatë do ti kthehet në zotërim shtetit shqiptar (qesharake: pas 30 vitesh shteti shqiptar do pasurohet me një kodër betoni dhe ca tuba të ndryshkur)”
Flitet kaq shumë për reformën në drejtësi, por nuk shkohet gjëkundi me busull të prishur. Ka edhe paaftësi, nuk dinë të lexojnë mirë. Shpesh shumë shpesh lexojnë keq qëllimshëm, duke menduar se nuk kuptohen. Busulla duhet ndrequr. Njerëzit e drejtësisë duhet ti thërasin mëndjes. Banorët e Valbonës dhe Shoqëria civile nuk kanë ndërmend të dorzohen.
Valbona është jo vetëm Nord i Shqipërisë por aktualisht edhe Nord i drejtësisë.