Parku Kombëtar i Valbonës dhe “parkimi” i paligjshëm i Gener 2 në Valbonë -ndërkombëtarët shprehin mbështetje për banorët e Parkut.
Ambasadori i SHBA Donald Lu, ambasadorët e Gjermanisë, Hollandës, OSBE-së, përfaqësuesi nga Ambasada Austriake dhe kreu i delegacionit të OKBsë në Shqipëri takojnë banorët e Dragobisë. Ambasadorja e BEsë, Vlahutin kundër “parkimit” të HEC në Valbonë.
Ndjenjat për Valbonën janë sa sentimentale për bukurinë e rrallë të saj, aq edhe revoltuese për shkak të dhunimi të ligjit, i cili e mbron atë. Duket një miksim i ndjenjave të tilla ka ngacmuar edhe trupin diplomatik në Shqipëri.
Më 1 Dhjetor banorë të Dragobisë u pritën nga ambasadori i SHBA, Donald Lu- informon shoqata TOKA në faqen e saj të internetit. Po atë ditë banorët u pritën edhe nga ambasadorët e Gjermanisë e të Hollandës, OSBE-së, përfaqësuesi i ambasadës Austriake dhe kreu i misionit të delegacionit të OKBsë në Shqipëri. Banorët e Dragobisë i informuan ambasadorët për situatën në vend, për mungesën e ujit të pishëm, shkaktuar prej punimeve të HEC-it, për pamundësinë për vaditje në sezon të verës, si rrjedhoj e devijimit të lumit në tuba. Ata u ankuan edhe për deputetin e zonës Isuf Cela. “Edhe deputeti ynë i Parlamentit, Isuf Cela, punon me Gener-2. A do të na ndihmojë ai, kundër shefit të tij? " –thanë me indinjatë banorët.Pas një ndërhyrje prej ambasadorëve grupi u prit menjëherë edhe nga shefi i kabinetit të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës z. Ardit Kamberi, i cili ka marrë pozicionin e negocimit të dikasterit të tij me GENER 2. Por a ka ndonjë mundësi teknike që HEC të mund të funksionoj pa u futur lumi në tub? Përgjigja teknike është e prerë, jo. Idris Zhuja, kreu i grupit të banorëve të Dragobisë në takim tha: "Por nëse nuk kemi ujë, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të ikim. Por ku do të shkojmë? Ata po na vrasin".Ajo që nuk di ose nuk do të dij z. Ardit Kamberi dhe shefat e tij është se HEC-i në Valbonë është si të parkosh makinën në mes te autostrades. Qeveria bën një sy qorr e një vesh shurdh për shkeljen e ligjit. Dhe më keq akoma gjykata që duhet të ndëshkoj dhunuesit e ligjit i përkrah ata. Duket kjo e fundit ka shqetsuar dhe diplomacitë perëndimore në Shqipëri. Reaksioni i tyre ka filluar. Shefja e misionit të BEsë, Romana Vlahutin në korispondencë me persona të interesuar është shprehur se rasti i Valbonës është shqetësim i madh dhe këshillon ndalimin e punimeve. Duket se ambasadorët shohin këtu një situatë flagrante të mosrespektimit të ligjit në këtë kauzë kryesisht mjedisore dhe natyrisht bëjnë lidhje me kauzën e madhe të reformës në drejtësi në Shqipëri, ku janë promotorë.
më shumë tek : http://toka-albania.org/