Optimizmi dhe frika për të ardhmen e Tiranës dhe Shqipërisë

Optimizmi dhe frika për të ardhmen e Tiranës dhe Shqipërisë

Duket se optimizmi në rritje i Erion Veliajt për arritjet e bashkisë së Tiranës, që ai drejton, po induktohet në banorët e Tiranës dhe të gjithë vendit. Ky induksion ka vepruar dhe në kahun e kundërt duke e rritur më shumë optimizmin e Erionit. Diku në këtë proçes induktimi pozitiv të ndërsjelltë ndodhem edhe unë, si banor i lindur e rritur në këtë qytet, edhe pse ka një ngërç në këtë.

Kam folur e shkruar shumë për revolucionin e biçikletave në Tiranë, e duket se po ndodh. Kam folur shumë për reduktimin e përdorimit të plastikës, e duket se po ndodh. Kështu dhe për shumë gjëra të tjera pozitive që po ndodhin në qytet, pedonalet, mbjelljet e pemëve etj, kryesisht në aspektin e mjedisit.

Njëherazi po më rritet frika për Tiranën dhe Shqipërinë, pikërisht për shkak të Tiranës. Amplifikimi i suksesit të 20 shkollave të reja dhe eliminimit të klasave me 2 turne në shkollat e Tiranës më sjell menjëherë në mëndje klasat me 2 veta në shumë fshatra të Shqipërisë dhe mbylljen e shumë shkollave kudo nëpër Shqipërinë rurale.

A është ky zhvillim? Sigurisht, jo. Tirana rritet çdo vit sa një qytet me mbi 25000 banorë, dhe menjëherë të vjen në mëndje që dhjetra fshatra në vit shkojnë drejt zhdukjes. A është zhvillim ky? Sigurisht jo.

Në bulevardin e ri të Tiranës do ndërtohen pallate e do sistemohen 100,000 vetë. Mijra shtëpi, ndërkohë do rrënohen, kudo në Shqipërinë rurale. A është zhvillim ky? Sigurisht jo. Në Tiranë mburremi se është rritur numri i autobuzëve nga 200 në 300. Në shumë fshatra i vetmi mjet transporti po mbetet gomari dhe në rastin më të mirë kali a mushka. A është zhvillim ky? Jo, nuk është.

Në Tiranë po ecim me 100 në orë- thotë Veliaj. Në Shqipërinë rurale po ecim me shpëjtësi 0. Ky jo vetëm nuk është zhvillim, por kjo shpejtësi e “makinës” së Tiranës e mbushur rrafsh me njerëz, jo me shalqi, mund të asfiksohet dhe të karambolohet.

Veliaj i përgjigjet ndershmërisht pyetjes që bën vehtë: A do zgjidhet ndonjëherë problem i trafikut të Tiranës? “Jo nuk do zgjidhet ndonjëherë”- thotë ai. Sigurisht që nuk mund të zgjidhet.

Sipas planit “Tirana 2030” po ndërtohen me intesitet pallate kudo, sidomos brenda qytetit super të ndërtuar që Tirana të bëhet 1.5 milion banorë, pra gjysma e Shqipërisë. Shtim i çmendur i popullsisë do të thotë automatikisht shtim i makinave, sic po ndodh. Dhe ky shtim ndodh në një kryeqytet, ku ndryshe nga kryeqytetet e tjera të Europës, ku dendesia e popullsisë është 3000- 6000 banorë për km2, në Tiranë tash janë mbi 15.000 banorë për km2. Shtim i makinave do të thotë shtim i ndotjes së ajrit, tashmë mbi normat e lejuara të Bashkimit Europian, të klasifikuar në kufijtë e rrezikshmërisë për jetën.

Dhe në këtë situate, Veliaj, çuditërisht me optimizëm, duke ju referuar dhe suksesit (mbaj mend: dështimit) të inceneratorit të Elbasanit thotë se jo vetëm plehrat e Tiranës por edhe ato të Kamzës të Vorës e gjithë fshatrat e Tiranës do ti djegë.

A nuk është ky një asfiksim për njerëzit super të ngjeshur brenda “makinës” së Tiranës dhe që ky asfiksim mund të bëhet sebep edhe për karambolimin shumë të mundshëm, duke konsideruar dhe shpejtësinë me marsh të pestë të “makinës” së Tiranës drejtuar nga Veliaj.?

Po, për fat të keq, kështu mund të ndodhë. “Jam njeri pragmatist dhe menaxher i Tiranës sot, jo dje” — thotë Veliaj. E më pas kërcen tek e ardhmja “ Të kujtohemi që Tirana pati një zhvillim”. Erjon Veliaj mund të kujtohet që pati një zhvillim në kohën e tij si kryetar Bashkie, por do ti duhet të bëj 2 gjëra themelore: E para, të aplikoj me guxim skemën 0 ndërtime të reja në Tiranë dhe e dyta, të aplikoj skemën Europiane të menaxhimit të mbetjeve, duke hequr dorë nga skema “e pa parë” e djegjes së plehrave.