Opozitarizmi parlamentar që po djeg qeverinë Rama

Opozitarizmi parlamentar që po djeg qeverinë Rama

Blendi Kajsiu

Nëpërmjet komisionit parlamentar për hetimin e inceneratorëve opozita parlamentare ka shënuar dy arritje të rëndësishme. Së pari, ka përqendruar vëmendjen në një mega-aferë korruptive që cdo ditë e më shumë po i trondit themelet e qeverisë Rama. Së dyti, ka treguar se është e aftë të prodhojë një model të ri opozitarizmi që përtej denoncimit serioz dhe të dokumentuar ofron edhe alternativë qeverisëse.

Përqëndrimi i vëmendjes së opinionit publik tek mega-afera e incerenatorëve nuk është pak përballë zhurmnajës shurdhuese që mbështjell cirkun tonë politik, ku skandale si ky i incerenatorëve humbasin lehtë. Përcarja dhe mungesa e kredibilitetit të opozitës kombinuar me shashkat që hedh pushteti, që nga beteja me Metën deri tek ajo me Dukën, e zhvendosin lehtë vëmendjen nga korrupsioni dhe mungesa e thellë e transparencës në qeverisjen Rama.

Shumë prej fakteve që komisioni hetimor solli në vëmendjen e opinionit mbi aferën e incerenatorëve ishin bërë publike prej kohësh. E megjithatë këto fakte nuk ngjisnin herë prej mungesës së kredibilitetit të akuzuesve, herë prej inflacionit denoncues që zhvleftëson cdo skandal konkret dhe herë prej faktit se opozita ishte në rrugë dhe jo brenda institucioneve ku skandali mund të dokumentohej qartë përballë opinionit publik.

Kështu akuzat e LSI-së për korrupsionin e Lefter Kokës binin në vesh të shurdhër, pjesërisht sepse sa herë Meta-Kryemadhi denoncojnë korrupsionin shqiptarët mbyllin veshët, sytë dhe hundët. Por edhe sepse Lefter Koka abuzoi me incerenatorët si ministër i mjedisit i LSI-së në bashkëqeverisjen e tyre me PS-në. Ndaj denoncimet e LSI zhvleftësoheshin si larje hesapesh brenda llojit.

Partia Demokratike, nga ana tjetër, i ka kaluar tetë vitet e opozitarizmit të saj politik duke denoncuar masakrat zgjedhore, duke djegur mandatet, duke braktisur zgjedhjet lokale, reformën territoriale dhe atë të drejtësisë, e duke ngritur cadra në rrugë. Natyrisht që e kish denoncuar aferën e incerenatorëve, por ajo dukej shumë e vogël dhe e parëndësishme përballë inflacionit denoncues ndaj Ramës si vrasës, narkotrafikant, diktator pervers, mega-hajdut dhe anti-shqiptar. PD-ja ishte shumë e zënë me organizmin e revolucionit anti-Rama për tu marrë me gjëra kaq banale sa hetimi dhe dokumentimi i mega-aferës së incerenatorëve.

Nëpërmjet komisionit hetimor opozita artiti të eleminojë zhurmën shurdhuese të inflacionit denoncues duke dokumentuar shkeljet e rënda dhe korrupsionin që ka ndodhur në rastin e incerenatorëve. Nuk kemi të bëjmë tashmë thjesht me denoncime politike por me fakte të dokumentuar publikisht në Parlament nga komisioni hetimor.

Është fakt që dhënia e koncesionit u bë në mënyrë jo transparente dhe pa garë. Është fakt që babi i deputetit socialist Alqi Bllakos u punësua me rrogë të majme nga incerenatori i Tiranës. Është fakt që incerenatorë (djegës)  që nuk djegin plehëra, pronarët e të cilëve janë në arrati, vazhdojnë të paguhen nga fondet tona publike. Është fakt që firma që përfitoi koncesionin Albtek Energy ishite firmë fantazëm, pa eksperiencë, pa kapitale dhe pa kapacitete, që u krijan në korrik të vitit 2014 dhe në dhjetor të vitit 2014 fitojnë një kontratë prej miliona eurosh.

Mjafton fakti që  pronarët e këtyre firmave janë arratisur për të kuptuar se me cfarë skeme kemi të bëjmë. Ashtu sikurse mjafton të shikosh performancën e turpëshme të administratorëve të këtyre firmave në komisionin hetimor, që mund të përmblidhet në shprehjet “nuk e di, nuk kam información, nuk mbaj mend” për të kuptuar nivelin ordiner të firmave ku qeveria Rama derdhi qindra miliona euro.

Dokumentimi i këtyre të vërtetave sa të thjeshta aq edhe tronditëse ka funksionuar jo vetëm sepse komisioni hetimor është një platformë e rëndësishme institucionale e opozitarizmit, por edhe sepse në krye të tij opozita vuri një person me kredibilitet dhe me profesionalizëm si Jorida Tabaku. I njëjti komision me në krye Monika Kryemadhin, Ilir Metën apo Sali Berishën do prodhonte vecse zhurmën dhe distraksionin që i duhet pushtetit për të fshehur keq-qeverisjen.

Përballë një komisni hetimor serioz dhe me kredibilitet Qeveria Rama e ka të vështirë të zhvendosë vëmendjen nga afera korruptive e inceneratorëve duke treguar me gisht korrupsionin shpërthyes të familjes Berisha apo atë ordiner të familjes Meta-Kryemadhi. E vetmja strategji është injorimi gjithnjë e më i vështirë i aferës, apo të argumentojë se bëhet fjalë për një grusht zyrtarësh të korruptuar dhe jo për një sistem të korruptuar qeverisje, sic po nxjerr në pah gjithnjë e më tepër hetimi i kësaj cështje.

Ndaj komisioni hetimor tregoi efikasitetin e një opozitarizmi alternativ që nuk bazohet tek zhurma dhe agresiviteti luftarak i rrugës por tek forca goditëse e argumentit dhe e faktit. Një opozitarizëm që nuk synon ta trullosë pblikun por ta ndricojë atë duke i treguar skemat konkrete që qeveritarët dhe privatët përdorin për të vjedhur fondet publike. Mjafton pak qetësi dhe hetim serioz për të parë se më shumë se plehrat incerenatorët po djegin qeverinë Rama, duke prodhuar energji për opozitën.

Jemi në fillesat e një opozitarizmi që jo vetëm identifikon problemin por edhe zgjidhjen. Korruptimi nuk është thjesht produkt i vullnetit pervers por edhe i një kuadri ligjor dhe politike institucionale që e mundëson atë. Në rastin konkret skandali i incerenatorëve është produkt i politikave PPP dhe i boshllëqeve në kuadrin ligjor që lejon pjesmarrjen në tendera dhe koncesione publike të firmave fantazëm të krijuara në parajsa fiskale. Për këtë arësye komisioni hetimor shërben jo vetëm për të denoncuar korrupsionin por edhe për të përmirësuar legjislacionin, në mënyrë që skandale të tilla mos të përsëriten nesër. Ai e con opozitën një hap më pranë alternativës qeverisëse.

marre nga BalkanWeb