Nuk ka Shqipëri të pastër pa riciklim
Sot në mbi 30 minuta fjalime programore dhe patetitke të kryeministrit Rama, ministers së Turizmit dhe Mjedisit, znj Kumbaro, ministrit të Mbrojtjes z. Peleshi për një Shqipëri të pastër nuk u dëgjua quintesenca e pastrimit të Shqipërisë, termi riciklim.
Është e çuditshme si është fshirë nga fjalori termi i riciklimit të mbetjeve. Po flitet, u fol edhe sot, për grumbullimin e mbetjeve dhe dergimin në pikën fundore, incinerator apo landfill, ndërkohë kur kjo skemë është në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, sipas të cilit pas grumbullimit të mbetjeve duhet të funksionoj ripërdorimi i mbetjeve, më pas riciklimi i tyre dhe vetëm pjesa e mbetur shkon në pikën fundore, që është landfilli, që natyrsht duhet të jetë gjithnjë e më i vogël e teorikisht drejt zeros. Ky është trendi botror, ku lider është Bashkimi Europian, që riciklon mbi 50% të mbetjeve, ku ka vende si Sllovenia, pershembull, që riciklon afro 80%. Kjo është skemë globale e domosdoshme e ekonomisë qarkulluese, përfshi para këtyre shkallëve të menaxhimit të mbetjeve, parandalimin e gjenerimit te mbetjeve.
Pesë vitë më parë, teksa u projektua rifutja në ligj e importit të mbetjeve pati një inflacion të fjalës riciklim prej mbështetësve të importit të mbetjeve dhe qeverisë, që e përdorën riciklimin si argument për të justifikuar importin e mbetjeve. Tash riciklimi është totalisht i haruar, madje, çka është edhe më skandaloze do jetë i zhdukur edhe per 30 vjet. Kështu, për shembull në qarkun e Tiranës, në studimin e konçesionit të gjoja inceneratorit shkruhet se mbetjet duhet të shkojnë në Sharrë me një rrymë, pra të gjitha në një kazan, pra zero riciklim. Dhe më keq, kush tenton të rrëmbej ndonjë plastikë a letër nga koshat e Bashkisë për ti ricikluar gjurmohet, ndalohet, penalizohet.
Programi i shpalosur sot publikisht nga Qeveria duhet ta besojmë se do sjellë përmisim në pastrimin e vendit, do ndikoj pozitivisht në ekonominë e turizmit, në një imazh më të mirë të vendit, por është larg për të pasur një Shqipëri të pastër.