“Nuk do të lejojmë të merrni ujin tonë”, banorët e fshatit turistik në Dibër protestojnë kundër HEC-eve
Banorët e fshatit turistik të Radomirës në Dibër, janë ngritur në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve në zonë. Banorët kundërshtojnë marrjen e burimeve ujore të fshatit të Radomirës si dhe dëmtimin e tokës ku kërkohet që të ndërtohet linja që do të marrë ujin.
Ata u mblodhën sëbashku për të treguar vendosmëri që s’do të lejojnë avancimin e punimeve të firmës, e cila pasi ka ndërtuar një hidrocentral në kufi me Kukësin, kërkon që ta shtrijë investimin drejt fshatit Radomirë për të ndërtuar edhe dy HEC-e të tjera. Banorët i kërkojnë qeverisë që të ndërhyjë dhe të mos lejojë shkatërrimin e fshatit turistik të Radomirës, i cili vitet e fundit ka tërhequr mijëra turist, vendas e të huaj. Banorët pretendojnë se firma po i kryen punimet në kundërshtim me ligjin pasi sipas tyre, ata nuk janë pyetur dhe nuk është zhvilluar asnjë dëgjesë publike.
Fshati Radomirë në Dibër vitet e fundit ka njohur një zhvillim të agro-turizmit pasi janë ndërtuar disa bujtina si dhe gjendet rrëzë malit të Korabit, një destinacion ky shumë i preferuar i turizmit malorë.
(BalkanWeb)