“Njihet si ‘Amazona’ e Laknasit”- Rexhep Uka i bashkohet protestës kundër ndërtimit të thertores

“Njihet si ‘Amazona’ e Laknasit”- Rexhep Uka i bashkohet protestës kundër ndërtimit të thertores

Prof. Rexhep Uka
Prej muajsh tashmë vijojnë protestat nga banorët e fshatit Laknas të Bashkisë Kamëz, ku planifikohet që të ngrihet një thertore.

Banorët e fshatit thonë se nuk janë dakord me këtë projekt dhe se askush nuk është konsultuar me ta në lidhje me këtë çështje.

Ata shprehen se ky projekt synon të marrë 12 hektarë pyll që ndodhet në afërsi të lumit dhe ta kthejë atë në një thertore. Banorët shprehen se i kanë dërguar disa herë shkresë kryetarit të Bashkisë, Rakip Sulit. Ky i fundit është përgjigjur se nuk ka se çfarë të bëjë pasi projekti është firmosur nga ish-kryetari, Xhelal Mziu.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe ambientalistë, përfaqësues të shoqërisë civile edhe qytetarë të tjerë.

“Ky pyll me rrënjët që ka filtron ujin e ndotur të lumit të Lanës. Të gjitha familjet kanë puse arteziane, që e marrin ujin me pompë dhe uji është i filtruar. Këtë ujë të ndotur të lumit, rrënjët e këtyre pemëve e çojnë te banorët të filtruar. Ky pyll gjithashtu mbron tokën nga erozioni”, thotë për mediat ambientalisti, Sazan Guri.

Në protestë ka marrë pjesë edhe ish-zv/kryeministri dhe ministri i Bujqësisë, Rexhep Uka, i cili tregon se është lindur dhe rritur në këtë vend. Ai shprehet se ky vend ka vlera dhe resurse shumë të mëdha, teksa tregon se kjo zonë cilësohet si “Amazona” e Laknasit.

“Kam 1 milionë arsye për të qenë këtu. Unë jam lindur dhe rritur këtu. Ky vend ka shumë vlera dhe shumë resurse. Këtu kanë ndodhur dy ngjarje të mëdha në vitet e shkuara. Ishte sistemi që kishte një filozofi fare të thjeshtë: ‘Unë flas, ju do bëni’ dhe nuk pyetej komuniteti nëse ata ishin mirë apo jo. Mendonin se nëse ata ishin mirë, mirë do ishte edhe komuniteti. Kush ishin këto dy gjemba? E para, ka qenë Lana e cila ka qenë me të vërtetë një katastrofë. Bashkëkombësit e mi e konsideronin si “Amazonën” e Laknasit këtë vend. Kjo ka qenë një zonë ekzotike, me plot kuptimin e fjalës, me super vlera. E dyta ka qenë miniera e Valiasit, e cila është matanë lumit. Ka qenë një katastrofë ekologjike. Shumë persona këtu kanë punuar në atë minierë, përfshirë edhe babain tim. Ajo minierë vetëm qymyr që nuk kishte dhe sot ajo tokë është e gjitha me gropa. Qofshin ata që janë që kanë bërë shtëpi aty, se është bërë moçal me gropa.

Ja se çdo të thotë kur urdhri vjen nga lart dhe nuk pyetet komuniteti poshtë. Nuk jam absolutisht kundra nismës së lirë. Nisma e lirë duhet t’i nënshtrohet ligjit. Vetëm ligji i rregullon të drejtat, sepse të gjithë kanë të drejtën e zotit të shkojnë edhe në Vlorë të ndërtojnë, ama duke respektuar ligjin deri në fund. Kjo është demokracia. Këtu të ketë vetëm dy rrugë biçikletash dhe këtu pastaj të bëjnë diçka që nuk e cenon, por e pastron dhe e rregullon mjedisin. Atëherë ky është ai që quhet projekt integral. Nëse ne do vazhdojmë të vëmë balloma të tilla, kush është më i fortë, kush ka një mik, kush ka pushtetin, edhe të bëj biznesin tim edhe të mos hedh vështrimin tek komuniteti, atëherë gjithçka mund të kemi arritur por vetëm demokraci jo”, tha ai.

Marre nga tiranatoday.al