Një mrekulli e gjitha shqiptare

Një mrekulli e gjitha shqiptare

Nga Marin Mema

Nëse natyra lejohet të marrë frymë, të riprodhojë vetveten, të kurojë plagët 20 e kusur vjeçare, atëherë ajo do të mundet të ofrojë sërish bukuritë mahnitëse të saj. Siç ndodh sot me lagunën e Karavastasë, një perlë tërësisht shqiptare.

Parku Kombëtar Divjakë — Karavasta, është më se 22,230 hektarë i madh, i përberë nga pyje me pishë mesdhetare, dushk, pylli i kularit, por edhe sipërfaqe në tokë bujqësore. Llogariten më se 250 lloje shpendësh, 29 lloje gjitarësh dhe 25 zvarranikësh. Ndryshe nga ç’jemi mësuar të raportojmë për zona në të gjithë vendin, Karavastaja ka kthyer faqe. Shpeshmi duket sikur u rikthye nga të njëjtat legjenda e histori nga të cilat ish krijuar. Nuk u desh shkencë, as fjalë të mëdha, veç vullnet e punë për të ruajtur një perlë të tillë. Moslejimi i asnjë dëmtimi të mëtejshëm të pyjeve, moratoriumi i gjuetisë që shmangu derdhjen e pakriter të italianëve dhe investimet në funksion të tyre dhanë një rezultat të jashtëzakonshëm.

Në Karavasta, siç raporton Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, gjenden rreth 25 për qind e shpendëve të ujit dimërues në Shqipëri. Prej 250 llojeve të shpendëve dimërues, folezues e migrues të vrojtuar që prej vitit 1932, një numër i madh bëjnë pjesë në listën e llojeve të rrezikuara. 7 prej tyre janë globalisht të rrezikuara, ndërsa rreth 50 lloje të tjera shpendësh janë të rrezikuar në shkallë kombëtare.

Diku historia e diku legjendat u pleksën në këtë vend. Rreth viteve 48 para erës sonë, kur Jul Çezari marshonte drejt shkëmbit të Kavajës për t’u përballur me Pompein, ushtria romake mes rezervave ushqimore kishte me vete edhe stika të pishave të shumta të Romës. Gjatë rrugëtimit një pjesë e tyre ranë, duke i dhënë fillesën në këtë mënyrë edhe pyllit të dendur të Divjakë — Karavastasë. A ka pasur vërtet një fillesë të tillë kjo zonë e mrekullueshme me pisha? A ishin romakët ata që lanë padashur pas farat në lagunën që ekzistonte prej shekujsh? Edhe në qoftë thjesht një legjendë, siç e tregojnë banorët për breza, ajo sërish duket e bukur, ndoshta për shkak të ndjesive të veçanta që transmeton ky vend e zbulimeve të shumta arkeologjike që ka dhuruar.

Më se 205 kanë qenë çiftet riprodhuese të pelikanëve kaçurrel, sipas monitorimeve të kryera në fillimvitet 1900. Ata ranë në periudhën e komunizmit për shkak të ndërhyrjeve në këneta e më pas rrezikuan të zhduken në vitet ’97-‘98 e me radhë, duke arritur minimumin historik në vetëm 19 çifte. Nga viti 2014, kur rezultonin 37 çifte, në vitin 2015, 46 të tillë, për të përfunduar në mbi 53 çifte sot, tregon se rritja ka ardhur në mënyrë të sigurt e të qëndrueshme. E kjo arsyen e ka të dukshme e lidhet me punën e shkëlqyer që ka bërë administrata e zonave të mbrojtura në këtë pjesë. Gjithkush mund ta vizitojë e më pas të gjykojë. Kudo Karavastaja e sotme ofron pamje të mrekullueshme, gjelbërim, natyrë të egër e po aq të ëmbël sa ecja delikate dhe fluturimi i fuqishëm i më se 1 mijë flamengove që mësyjnë gjithmonë e më shpesh këtë zonë. Edhe ata kanë rigjetur një oaz të dikurshëm.

Laguna Karavasta — Divjakë është sot një shembull, një mundësi, një kartolinë, një imazh apo figurë, quajeni si të doni, sepse ajo i ofron të gjitha. Është panorama e një vendi që po kuron plagët, që po rigjen vetveten, që jep shpresë. Nga këtu duhet të fillojë e ardhmja për të gjitha zonat e tjera, ato të shkretuara, të harruara, të prera, të masakruara apo shterpëzuara. Të gjitha duhet të gjejnë vetveten, ashtu si Karavastaja, kjo mrekulli tërësisht shqiptare. /Blitz.al/