NJË INDUSTRI DIELLORE PO MBIN NGADALË NË KOSOVËN QË VARET NGA THËNGJILLI.
Tri vjet më parë, në mbledhjen e këshillit të fshatit Prelezi i Muhaxherëve, Adnan Reka mbajti një prezantim që ngjalli edhe ngazëllim e edhe skepticizëm tek bashkëfshatarët e tij. Reka kishte fituar reputacion në mesin e anëtarëve të këshillit të fshatit si dikush që ndihmoi që përmirësime të mëdha të zbatoheshin në fshat, por ideja që e paraqiti atë ditë dukej tepër e madhe për disa. Ai donte ta kthente Prelezin e Muhaxherëve, një fshat me më pak se 1,500 banorë, që shtrihet tetë kilometra në veri të Ferizajit, në një nga fshatrat e para të Evropës Juglindore ku çdo shtëpi e banuar do të furnizohej me energji diellore.
“Kemi arritur ta konsolidojmë një këshill të gjallë të fshatit”, tha Reka, por projektet që ata i kanë realizuar kanë qenë më modeste: një fushë sportive, një park, një gardh te varrezat. “Shumica e banorëve nuk kanë përvojë të mëparshme me energjinë diellore, kështu që nuk dinin se çfarë të prisnin kur e dëgjuan idenë për herë të parë”.
Pas diskutimeve dhe studimit të fizibilitetit, që u krye nga “JV Engineering”, një kompani zvicerane me një zyrë në Prelez të Muhaxherëve, në të cilën punon Reka, këshilli i fshatit aprovoi propozimin dhe iu drejtuan projektit të USAID, “Siguria e Furnizimit me Energji të Kosovës (KESS)”, për mbështetje të mëtejshme teknike. “Kur përfaqësuesit e USAID erdhën në fshat dhe panë se sa i organizuar është komuniteti, nuk hezituan të na mbështesin”, tha Reka.
USAID përfshiu Prelezin e Muhaxherëve në një analizë topografike për ta vlerësuar potencialin e energjisë diellore nëpër çatitë e shtëpive të fshatit, konsumin mujor të energjisë shtëpiake dhe koston financiare të projektit. Rezultatet treguan se për ta mbuluar rreth 80% të konsumit të energjisë elektrike të fshatit, secilës shtëpi, prej rreth 100 shtëpive të banuara, do t’i duhej të instalonte panele diellore që do të kushtonin 4,000 deri në 5,000 euro për shtëpi. Nëse përfundon, projekti do t’i reduktonte emetimet e dioksidit të karbonit për 563 ton në vit.
Këshilli i fshatit ka siguruar donacione për t’i mbuluar 20% të kostos totale të projektit, por ata duhet t’i mbulojnë 50% të shpenzimeve nga mbështetja e jashtme, që projekti të bëhet i përballueshëm për fshatarët. “Shpresojmë që në këtë rast Ministria e Financave ta heqë taksën e produktit për panelet diellore”, tha Reka. “Kjo do t’ia ulte kostot projektit për 18%”.
Nëse Reka dhe bashkëfshatarët e tij do të arrinin ta siguronin pjesën tjetër të donacioneve dhe mbështetjes institucionale të nevojshme për realizimin e projektit, familjet e Prelezit të Muhaxherëve do t’i bashkoheshin rreth 250 prodhuesve dhe konsumuesve (prosumatorë) që tashmë operojnë në Kosovë. Prosumatorët prodhojnë energjinë e tyre përmes paneleve diellore dhe e kthejnë energjinë elektrike që nuk e përdorin në rrjet.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji të Kosovës (ZRRE), organ i pavarur rregullues, prosumatorët në Kosovë aktualisht prodhojnë tetë megavat energji elektrike diellore. “Kemi filluar t’i kemi prosumatorët e parë pesë apo gjashtë vjet më parë. Ishte një fushë e re për ne në atë kohë, derisa hartuam legjislacionin adekuat dhe kuptuam se si të vazhdohet më tutje”, tha Afrim Ajvazi, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në ZRrE. “Tani, brenda një muaji kemi rreth 10 deri në 15 aplikime për instalimin e paneleve diellore”.
Sipas Ajvazit, shumica e konsumatorëve të energjisë diellore janë biznese që synojnë t’i ulin faturat e energjisë elektrike, mirëpo edhe interesi nga familjet private po rritet.
"QË NGA KULMI I KRIZËS ENERGJETIKE DIMRIN E KALUAR, KEMI PARË RRITJE TË KËRKESËS PËR INSTALIMIN E PANELEVE DIELLORE”, THA GENTIANA ALIJA SHALA, THEMELUESE DHE CEO E ALFA SOLAR.
Hotel “Gračanica”, në periferi të Prishtinës, është njëri nga bizneset private që instalon panele diellore për t’i ulur shpenzimet. Që nga gushti, i kanë vënë në funksion 141 panele fotovoltaike. Menaxherja e hotelit, Aziza Ramić, tha se gjatë muajve të verës panelet diellore mbulojnë rreth gjysmën e nevojave të tyre për energji elektrike.
Prosumatorë të tjerë me instalime të mëdha të paneleve diellore në çatitë e tyre janë qendrat tregtare si “Gorenje”, “Albi Mall” dhe “Abi Çarshia” e Prizrenit (projekti më i madh i paneleve diellore në çati në rajon). Disa zinxhirë supermarketesh si “Interex” kanë funksionalizuar gjithashtu panele solare në çati nëpër pikat e tyre.
“Që nga kulmi i krizës energjetike dimrin e kaluar, kemi parë rritje të kërkesës për instalimin e paneleve diellore”, tha Gentiana Alija Shala, e cila është themeluese dhe CEO e “Alfa Solar”, e vetmja kompani diellore e udhëhequr nga një grua në Kosovë.
“Jaha Solar”, një fabrikë diellore e vendosur në Kosovë (e para në rajon), pati përvojë të ngjashme gjatë krizës energjetike. “Kemi pasur kërkesë maksimale nga klientët, por nuk kemi arritur ta përmbushim kapacitetin tonë të plotë të prodhimit pasi jemi ende duke u rikuperuar prej ndikimit të pandemisë”, tha Jetmir Hasanaj, shef teknik i “Jaha Solar”.
Me një nivel të favorshëm të rrezatimit të drejtpërdrejtë nga dielli dhe mesatarisht me 220 ditë mot me rreze dielli në vit, Kosova pozicionohet mirë kur është fjala te prodhimi i energjisë diellore. “Kosova është mike me diellin. Kemi pozicion ideal”, tha Alija Shala. Një anketë e realizuar nga USAID tregoi se duke u mbështetur vetëm në çatitë e bizneseve dhe disa shtëpive private, mund të ketë mbi 250 MW projekte diellore të shkallës së vogël të instaluara për vetë-konsum, që është e barabartë me 20% të kapacitetit total aktual të instaluar të energjisë elektrike në Kosovë.
Energjia diellore përbën më pak se 1% të prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, por kjo shifër ka të ngjarë të rritet ndjeshëm viteve të ardhshme. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.
Strategjia e re kombëtare e energjisë 2022-2031, e hartuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e miratuar në mes të marsit, synon ta dekarbonizojë sektorin energjetik të Kosovës dhe ka të ngjarë të çojë në një rritje masive të prodhimit të energjisë diellore në Kosovë. Deri në vitin 2031, strategjia synon t’i ulë emetimet e gazrave serrë në sektorin e energjisë për të paktën 32%, duke furnizuar kështu të paktën 35% të nevojave për energji përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe duke arritur një kapacitet total të instaluar të energjisë së ripërtëritshme prej 1,600 MW, me një kapacitet minimal prej 100 MW për prosumatorët. Me hidrocentralet, që po përballen me rezistencën nga mbrojtësit e mjedisit dhe komunitetet lokale, strategjia përqendrohet në projekte të reja diellore dhe të erës, për t’i përmbushur nevojat për energji të ripërtëritshme, duke bërë thirrje për instalime të reja me kapacitet 600 MW secila.
Për Ajvazin nga ZRrE, këto synime janë tepër ambicioze duke pasur parasysh se kapaciteti aktual i energjisë së ripërtëritshme është rreth 250 MW, ose vetëm 20% e kapacitetit total të instaluar. Pjesa tjetër e kapacitetit të Kosovës, 80%, vjen nga termocentralet e qymyrit të linjitit. Pavarësisht se përbën 80% të kapacitetit të instaluar, qymyri mbulon deri në 95% të energjisë elektrike të prodhuar aktualisht, ndërsa panelet solare prodhuan vetëm 0.2% të energjisë elektrike të Kosovës në vitin 2021. Kapaciteti i paneleve të instaluara diellore, të cilat për dallim nga prosumatorët janë të destinuara vetëm për prodhim dhe jo për vetë-konsum, aktualisht është 10 MW.
“Pa mekanizma nxitës, do të jetë mjaft e vështirë të arrihen objektivat e strategjisë për dekarbonizimin”, tha Ajvazi.
NË MAJ, MINISTRIA E EKONOMISË NJOFTOI HAPJEN E ANKANDIT TË PARË KONKURRUES NË VEND PËR NJË PROJEKT TË TERMOCENTRALIT DIELLOR.
Gjashtë termocentralet diellore të instaluara para vitit 2020, së bashku me burime të tjera të ripërtëritshme të energjisë, siç janë shumica e mini-digave hidroelektrike të vendit, përfitojnë nga një çmim i blerjes mbi tregun, që garantohet nga qeveria. Në vitin 2020, bordi i ZRrE vendosi t’i japë fund kësaj praktike për projektet e reja. Vendimi u mor pasi një hulumtimi medial, që dokumentoi se gjashtë kompani që përfituan nga skema e tarifave nxitëse ishin në pronësi të një biznesmeni të vetëm, Blerim Devollit, pavarësisht rregullave kundër-monopol që ndalojnë qartazi praktika të tilla.
“Ndërprerja e tarifës nxitëse do ta parandalojë keqpërdorimin e ndikimit të energjisë në sektorin privat të energjisë”, tha Agim Mazreku, specialist i politikave klimatike dhe energjetike, duke shtuar se shumë vende të tjera në BE, si Spanja dhe Portugalia, kanë futur skema konkurruese në vend të tarifave nxitëse. “Në rajon, Shqipëria dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut kanë pasur ankande shumë të suksesshme”, tha Mazreku.
Me projektligjin për energjinë e ripërtëritshme, që favorizon tashmë skemat konkurruese, në maj, Ministria e Ekonomisë shpalli hapjen e ankandit të parë konkurrues në vend për një projekt të një termocentrali diellor. Duke parashikuar një investim privat prej rreth 75 milionë euro për një termocentral që do të mund t’i prodhojë rreth 100 MW, ofertuesi fitues do të përfitojë një tokë me qira për 30 vjet dhe do t’i jepet e drejta për ta ndërtuar një termocentral diellor me marrëveshje 15-vjeçare për blerjen e energjisë me qeverinë.
Toka për ankand është në Guri të Kuq dhe Kramovik, fshatra afër Rahovecit.
Gjatë ceremonisë së shpalljes, ministrja e ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ankandi shënon “pikën e fillimit të një epoke të re për zhvillim të qëndrueshëm në vendin tonë”.
Krahas shpalljes së ankandit, vitin e fundit ka pasur edhe projekte të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me energjinë e gjelbër dhe pavarësinë energjetike. Projekti 80 milionë euro “Solar 4 Kosova”, i nënshkruar në dhjetor 2022, do t’u sigurojë ngrohje qendrore 38,000 banorëve të Prishtinës, duke e bërë Kosovën vendin e parë ndër fqinjët e saj që përdor panele diellore për ngrohjen e shtëpive. Projekti, ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në Evropë, pritet të përfundohet në vitin 2026.
Nisma të tjera për prodhim të energjisë diellore janë ndërtimi i një parku diellor 100 MW që ndodhet afër termocentralit të thëngjillit “Kosova A” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe një park diellor 150 MW në Gjakovë. Edhe në korrik të vitit 2022, qeveria nënshkroi një grant të programit prej 202 milionë dollarësh me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për bateritë e ruajtjes së energjisë, me një kapacitet prej 340 MWh. Qeveria e Kosovës do ta bashkëfinancojë projektin me 34.7 milionë dollarë. Përdorimi i baterive ruajtëse pritet të krijojë rezerva energjie që do të ulin kostot aktuale të larta të importit të energjisë dhe do të ndihmojnë në diversifikimin e prodhimit të energjisë.
Gjersa qeveria i paraqet këto projekte si dëshmi të përkushtimit dhe mbështetjes së saj të palëkundur për sektorin e energjisë diellore dhe tranzicionin e gjelbër, kompanitë diellore kanë kërkuar nga qeveria dhe ZRrE që të bëjnë më shumë për t’i eliminuar pengesat ekzistuese dhe për të krijuar mjedis më të favorshëm për industrinë diellore dhe për prosumatorët.
Aktualisht, sipas rregullave të ZRrE, bizneset nuk lejohen të instalojnë më shumë se 100 KW energji diellore. Edhe Alija Shala edhe Hasanaj mendojnë se ky rregull është kufizues, sidomos për bizneset e mëdha.
“Maksimumi në Shqipëri është 500 KW ndërsa në Maqedoninë e Veriut 1 MW”, tha Alija Shala. “Shumë kompani instalimesh nga Kosova tani po e ndryshojnë përqendrimin e tyre nga Kosova tek këto vende”, tha Ajvazi nga ZRrE, duke shtuar se në fillim ishte vendosur rregulli “që të mund ta menaxhojmë fushën e sapozhvilluar të prosumatorëve dhe të sigurohemi që rrjeti të mos mbingarkohet”.
Alija Shala dhe Hasanaj argumentojnë se qëllimi i vërtetë i kufizimit të prosumatorëve nuk është ta menaxhojë rrjetin, por t’i shërbejë interesave të Kompanisë së Shpërndarjes së Energjisë (KEDS), një kompani private me të drejtën ekskluzive të shpërndarjes së energjisë elektrike në Kosovë. “Prosumatorët nuk janë fitimprurës për KEDS sepse ulin faturat e energjisë elektrike”, tha Hasanaj.
Mazreku theksoi se “ndikimi i KEDS është shumë i madh në ZRrE. E vërteta është se KEDS nuk ka bërë investimet e duhura në sistemin e shpërndarjes dhe tani nuk ka mundësi t’i bëjë ato investime për shkak të krizës energjetike”.
Sipas një rregulloreje të re, që tani është duke u hartuar nga ZRrE, ka gjasa që kufiri të rritet në 200 MW, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Industria vendore e energjisë diellore e ka mirëpritur këtë hap, por përsëri e konsideron atë 200 MW shumë të ulët.
Megjithëse rregullorja e re kërkon zgjerimin e kufirit të prodhimit të prosumatorëve, pritet gjithashtu të prezantohet një skemë neto faturimi, e cila është më pak e dobishme financiarisht për prosumatorët. Në një skemë neto faturimi, prosumatorët paguhen për energjinë shtesë që prodhojnë dhe e kthejnë në rrjet me një tarifë më të ulët se ajo që duhet të paguajnë për të marrë energji elektrike nga rrjeti. Aktualisht, sistemi është matje neto, mekanizëm i cili paguan prosumatorët për energjinë e tyre shtesë në të njëjtën tarifë që prosumatorët e rregullt paguajnë për energjinë elektrike.
“Me skemën e faturimit neto, nëse e blini energjinë nga rrjeti, le të themi për një euro, do ta eksportoni energjinë tuaj që e prodhoni nga dielli për 90 cent. Qëllimi është të dekurajohet keqpërdorimi dhe të investohet në mirëmbajtjen e rrjetit”, tha Ajvazi.
Hasanaj beson se faturimi neto do t’i dekurajojë njerëzit të investojnë në energjinë diellore.
Mazreku sugjeroi që faturimi neto të aplikohet vetëm për prosumatorët e mëdhenj komercialë. “Për sektorin rezidencial dhe kapacitetet deri në 100 KW duhet të vazhdojmë me matjen neto”, tha ai. Ai gjithashtu beson se prodhuesit e energjisë diellore nëpër shtëpi duhet të përfitojnë forma të tjera të mbështetjes nga qeveria.
Ministria e Ekonomisë në një përgjigje me email për K2.0 tha se një program i atij lloji për instalimin e energjisë diellore, me buxhet prej 5 milionë euro, aktualisht është duke u hartuar dhe është pjesë e pakos mbështetëse prej 75 milionë eurosh nga B për të ndihmuar në përballimin e krizës energjetike.
Një hap që njerëzit në industrinë diellore shpresojnë që qeveria do të marrë në konsideratë është reduktimi ose eliminimi i taksave për panelet diellore. “Me uljen e taksës së produktit, instalimi i rrjetit 5 KW që më parë kushtonte 7,500 euro, do të kushtonte 1,350 euro më pak, duke e bërë investimin shumë më të përballueshëm dhe periudhën e kthimit të investimit 10-12 vjet më të shkurtër”, tha Alija Shala. Ministria e Financave nuk ka dhënë asnjë indikacion nëse po e shqyrton këtë hap apo jo.
Adnan Reka nga Prelezi i Muhaxherëve është ende në pritje të përgjigjes për fshatin e tij. “Do të ishte një mundësi e humbur për shtetin nëse nuk na mbështet”, tha ai. “Ende kemi shpresë, por nëse nuk përfitojmë ndihmë për 50% të kostove, nuk ka gjasa që projekti të dalë në dritë”.
PËR AUTORIN/