"Nëse mega-projektet e naftës dhe gazit do të zhvillohen, kaosi klimatik është i sigurt"
Ekonomisti më i mirë i energjisë në botë, Fatih Birol, ka paralajmëruar një kaos klimatik nëse investimet rriten në zhvillimet e reja të naftës dhe gazit.
Sipas tij, ato do të kishin pak ndikim në krizën aktuale të energjisë dhe çmimet në rritje të karburantit, por do të shkatërronin planetin.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) po i përgjigjej një hetimi të Guardian, që zbuloi se kompanitë e karburanteve fosile po planifikonin projekte të mëdha “bomba karboni” që do të shkaktonin katastrofë klimatike.
Ai tha se vendet duhet të kërkojnë të zëvendësojnë naftën dhe gazin rus në një afat të afërt pa dëmtuar perspektivat e tyre afatgjata.
“Unë e kuptoj se disa vende mund të shikojnë karburantet e reja fosile, por ata duhet të kujtojnë se duhen shumë vite për të filluar prodhimin”, tha ai.
“Projekte të tilla nuk janë zgjidhja për nevojat tona urgjente të sigurisë së energjisë dhe ato do të bllokojnë përdorimin e karburanteve fosile”.
Zbulimet tregojnë se rreth 200 projekte bombash karboni janë në planifikim, ose kanë filluar tashmë të pompohen, që secili do të rezultojë në të paktën 1 miliard ton emetime të dyoksidit të karbonit gjatë jetës së tyre, ekuivalente me rreth 18 vjet të emetimeve aktuale globale.
Kompanitë që ndjekin zhvillime të tilla mund të përfundojnë me asete joekonomike të bllokuara, paralajmëroi Birol.
Rritja e çmimeve globale të energjisë ka bërë që qeveritë të kërkojnë burime të reja të lëndëve djegëse fosile.
“Unë e kuptoj pse vendet po reagojnë kështu”, tha ai. “Por ekziston çështja e horizontit kohor”.
Projektet e reja të mëdha eksploruese për naftën, gazin dhe qymyrin do të duheshin vite për të prodhuar çfarëdo karburanti dhe mund të bllokonin emetimet e larta të gazit serrë për dekada, paralajmëroi Birol.
Gjithashtu shtoi se përdorimi i burimeve ekzistuese në mënyrë më efikase do të ndihmonte në reduktimin e emetimeve.
Ai tha se qeveritë duhet të kërkojnë urgjentisht të reduktojnë kërkesën për lëndë djegëse fosile, përmes izolimit të shtëpive, uljes së kufijve të shpejtësisë, bërjes së transportit publik të lirë ose falas dhe futjes së ditëve pa makina në qytete.
Ndryshe nga goditjet e mëparshme të naftës, të tilla si ato të viteve 1970, bota tani kishte alternativa të lira në dispozicion në formën e energjisë diellore dhe të erës, të cilat kishin rënë në çmim.
Kjo duhet t’i shtyjë qeveritë dhe kompanitë të avancojnë më shumë në energjinë e rinovueshme.
“Bota nuk ka nevojë të zgjedhë midis zgjidhjes së krizës energjetike dhe krizës klimatike, ne mund t’i bëjmë të dyja”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri thirrje për t’u dhënë fund projekteve të reja të karburanteve fosile, duke paralajmëruar se ndryshimi i klimës përbën “një kërcënim ekzistencial për të gjithë ne – për të gjithë botën”.
Në një konferencë për shtyp të mërkurën, Antonio Guterres tha se: “emituesit kryesorë duhet të ulin në mënyrë drastike emetimet, duke filluar që tani. Kjo do të thotë të përshpejtojmë fundin e varësisë sonë nga karburantet fosile dhe të përshpejtojmë përdorimin e energjisë së pastër të rinovueshme”.
IEA këshilloi pothuajse saktësisht një vit më parë se asnjë zhvillim i ri i gazit, naftës ose qymyrit nuk mund të ndodhë nga ky vit e tutje nëse bota do të kufizonte ngrohjen globale në 1.5C.
Ky zbulim shkaktoi valë tronditëse midis qeverive në prag të samitit të klimës Cop26 të OKB-së në Glasgow në nëntor, ku udhëheqësit ranë dakord të sjellin plane kombëtare në përputhje me kufirin 1.5C.
Por shumë vende dhe kompani të sektorit privat i kanë injoruar këshillat, siç ka treguar hetimi i “Guardian” për projektet e karburanteve fosile në zhvillim.
Këto bomba karboni në fakt do të sfumonin çdo shpresë për të qëndruar brenda pragut 1.5C.
Greg Muttitt, ekspert energjetik në Institutin Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm, tha se: “qeveritë dhe kompanitë shpesh vuajnë nga një formë e disonancës njohëse: ndërsa njohin urgjencën dhe ashpërsinë e kërcënimit klimatik, ato ende vazhdojnë të zhvillojnë naftë, gaz dhe fusha të reja qymyrguri.
Përgjigjja e politikës është e thjeshtë: kur jeni në një gropë, duhet të ndaloni së gërmuari”.
Greenpeace tha se hetimi i Guardian zbuloi se “modeli i biznesit të industrisë së karburanteve fosile mbetet një plan për katastrofën klimatike”.
“Planet e investimeve nga firmat e naftës dhe gazit do të na lënë në erë çdo vlerësim të asaj që është e sigurt për klimën, dhe kjo është tronditëse”, tha këshilltari i lartë i grupit për klimën, Charlie Kronick.
“Por ajo që është vërtet tronditëse është se ata nuk po e fshehin atë. Këto aktivitete janë të ligjshme dhe në fakt inkurajohen nga qeveritë në mbarë botën, veçanërisht ato që kanë rezervat më të mëdha dhe më shumë për të humbur”.
Ed Miliband, sekretari i ndryshimit të klimës në hije dhe zero neto, tha se: “përgjigja ndaj një krize globale të karburanteve fosile nuk mund të jetë dyfishimi i karburanteve fosile. Çdo vend duhet të shkojë më tej për të përshpejtuar me shpejtësi tranzicionin drejt energjisë së pastër”.
“Qeveritë në mbarë botën duhet të investojnë urgjentisht në një sprint të energjisë së gjelbër për të larguar me vendosmëri karburantet fosile shkatërruese, të shtrenjta dhe të paqëndrueshme”.