Ndotja mbërrin në tryezat tona, edhe kripës së detit nuk i zihet besë
Kripa e detit në të gjithë botën është kontaminuar nga plastika, duke shtuar frikën e ekspertëve se mikroplastika po bëhet e kudondodhur në ambient dhe po e gjen rrugën edhe drejt zinxhirit ushqimor përmes kripës në tryezat tona.
Studimet e kohëve të fundit kanë treguar se grimca të vogla plastike janë gjetur në kripën e detit në Britaninë e Madhe, Francë dhe Spanjë, por edhe në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkuesit besojnë se pjesa më e madhe e kontaminimit vjen nga mikrofibrat dhe plastika njëpërdorimëshe, si shishet e ujit, sende këto që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të mbetjeve plastike.
Rreth 12.7 milionë tonë plastikë hyjnë në oqeanet e botës çdo vit, sasi kjo ekuivalente me një kamion plehrash të mbushur me plastikë që derdhet çdo minutë në oqeanet e botës.
Pasojat e plastikës në organizmin tonë nuk janë ende të qarta. Shkencëtarët përpiqen të kuptojnë pasojat e plastikës në trupin e njeriut, por nuk munden të gjejnë një grup njerëzish të paekspozuar ndaj saj.
Ndërkohë, “The Guardian” shkruante në një analizë të tij kohë më parë se 1 milion shishe plastike blihen në botë çdo minutë dhe se përpjekjet e riciklimit po dështojnë të kapin ritmin e prodhimit, që pritet të katërfishohet deri në vitin 2050.
Disa ambientalistë thonë se kërcënimi nga ndotja plastike tani rivalizon edhe ndryshimet klimaterike.
o.j/dita