Miratimi i shndrimit të Vlorës në një qytet të fosilizuar është tradhëti

Miratimi i shndrimit të Vlorës në një qytet të fosilizuar është tradhëti

“Do e prodhosh, po ku do e çosh, ku do e shesësh?” i ktheu përgjigje Rama një biznesmeni, në takimin me bizneset në Elbasan, i cili u ankua se lejet për të investuar në energjitë e rinovueshme zgjasin 5  e më shumë vjet.  “Në Pulja filluan çmontimet e fotovoltaikeve. Pse? S’ke ku e çon.”-vazhdoi Rama.

Kjo është goditje në brez nga ana e Ramës. Me këtë goditje të keqe Rama dhe Qeveria e tij dukshëm kërkojnë ti japin terren një kompromisi të turpshëm me bizneset e energjive fosile.

Nuk është e vërtetë që po shkatërrohen fotovoltaiket në Pulja, përkundrazi po vazhdojnë investimet në rritje për fotovoltaiket.

“Puglia Solar PV Park I” është një projekt i energjisë diellore PV 158 MW, planifikuar në Pulia të Italisë jo më larg se në 2021, shkruajnë lajmet

Nga tani deri në vitin 2030, Italia duhet të instalojë rreth 40 GW shtesë të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, kryesisht nga energjia e erës dhe diellore.

Fotovoltaiket dhe energjia e erës janë mënyra më e rëndësishme për të reduktuar emetimet në sektorin e energjisë elektrike, tha Agjensia Nderkombëtare e Energjisë (ANE) në raportin e saj të ri "World Energy Outlook 2022". Pjesa e tyre në prodhimin e energjisë elektrike do të rritet nga 10% në 2021 në 40% në 2030, duke arritur në 70% në 2050, sipas agjencisë.

Fotovoltaiket siguruan më shumë se 3% të prodhimit global të energjisë elektrike në 2021. Shtimi vjetor i kapacitetit arriti në 150 GW, duke e bërë vitin 2021 një vit tjetër rekord. Çmimet e paneleve diellore kanë rënë me 80% gjatë dekadës së fundit, falë ekonomisë së shkallës dhe inovacionit të vazhdueshëm në të gjithë zinxhirin e furnizimit. Si rezultat, fotovoltaiket janë bërë teknologjia më e përballueshme e prodhimit të energjisë në shumë pjesë të botës. ANE pret që rritja vjetore të katërfishohet në 650 GW në vitin 2030.

Shqipëria në mënyrë jo të pashpjegueshme ka vetëm 0.6% të prodhimit të energjisë prej paneleve fotovoltaike. Pa asnjë dyshim ky ështw një bllokim i qëllimshëm për ti dhënë hapsirë kompanive fosile.

Manovrat për të fosilizuar Gjirin e Vlorës dhe më gjërë

Rama godet bizneset dhe qytetarët që presin prej vitesh të investojnë në energjinë fotovoltaike dhe me një fshehtësi të frikshme po pregatiten kontratat afatgjata me kompanitë e naftës dhe të gazit në Gji të Vlorës. Është gjetur dhe instrumenti. KESH (Korporata Elektroenergjetike Shqiptare) ka hapur një proçedurë për blerjen afatgjatë  të energjisë elektrike me detaje që të çojnë natyrshëm ( në fakt në mënyrë korruptive ) tek kompanitë tashmë të njojtura jo vetëm me ambicje, por edhe realisht, si kompania amerikane Excelerate, bashkë me atë italiane Renco, që me rrangallën e TECit të sjellë nga Bangladeshi janë ngulur në Gji të Vlorës.

Dhe shihni datën kur tenderohet në 15 Maj, të nesërmen e shpalljes së fituesve të zgjedhjes lokale dhe pak ditë më vonë në vlagën e zhurmës së zgjedhjeve do të bëhen kontratat.  Pak ditë më parë këshilltari ligjor i kryeministrit, Alket Hyseni ka qënë në Amerikë dhe shprehu entusiasmin që ka takuar përfaqësuesit e këtyre kompanive, e qw kanë interes për Vlorën.

Rama tha në Elbasan se duhet një baseload, duke nënkuptuar energji nga burime fosile, që gjoja na jep sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Kjo parashikon që tavani i çmimit të blerjes të jetë më i lartë, madje  shumë më i lartë se tregu, pra shumë më i lartë edhe se ai i prodhuar nga bizneset shqiptare dhe vetë qytetarët nëpërmjet fotovoltaikeve. Këto kompani fituese, si Excelerate, Exxon etj, që kanë firmosur memorandume bashkpunimi me qeverinë shqiptare përveç zhvatjes së milionave dhe shkatërrimit të shpejtë të mjedisit në Vlorë do rrisin fitmet për dekadad e ardhshme, duke përdorur territorin e Shqipërisë për të kaluar në vendet e tjera të Ballkanit.

Në vitin 2017 kam thënë publikisht se inceneratorët janë ose naivitet kryeministror ose aferë. Tash është vërtetur që çështja e inceneratorëve është aferë dhe në rastin më të mirë edhe naivitet kryeministror

Tani në 2023 miratimi i shndrimit të Vlorës në një qytet të fosilizuar është edhe tradhëti.