Menaxhimi i mbetjeve: dështim i qeverisë, përfitim për bizneset e dyshimta

Menaxhimi i mbetjeve: dështim i qeverisë, përfitim për bizneset e dyshimta

Një dështim i suksesshëm

Në prill të 2009, Shqipëria kërkoi të anëtarësohej në Bashkimin Europian. Komisioni e pranoi kërkesën dhe dërgoi ekspertë për të mbështetur programet e zhvillimit. Mes tyre, edhe një grup që do të hartonin strategjinë e menaxhimit të mbetjeve. Ajo përfundoi në pak muaj.

Strategjia e re iu dorëzua qeverisë dhe u miratua në një kohë të shkurtër. Përpikmëria e treguar prej autoriteteve nxiti misionin e Bankës Botërore dhe miliona dollarë të tjerë u hodhën për të mbështetur këtë strategji. Entuziazmi përfshiu Italinë dhe Gjermaninë. Qeveritë përkatëse financuan programe të reja për menaxhimin e mbetjeve, duke rikthyer shpresat për një Shqipëri të pastër.

Por sot, qeveria ka porositur një strategji të re. Nga Evropa kanë mbërritur të tjerë ekspertë. Dhjetëra japonezë, gjermanë e italianë të JICA-s, GIZ-it, KfW-së, kanë përveshur mëngët për të hartuar master-plane, programe e strategji të reja kombëtare në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Por milionat dhe energjitë e shpenzuara nuk i kanë ulur problemet.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria e ka dyfishuar sasinë e mbetjeve. 70 për qind e tyre groposet. Ndarja në burim, pothuajse nuk ekziston dhe niveli i riciklimi është i ulët.

Nga dymbëdhjetë venddepozitime mbetjesh të premtuara, deri tani janë ndërtuar vetëm dy. Landfilli më i madh i vendit, Sharra, është i kontaminuar dhe jashtë afatit.

Nëse do të flisnim për suksese, vetëm dy mund të konsiderohen të tilla: paratë e shpenzuara dhe dështimi i autoriteteve për të menaxhuar mbetjet!

Kësisoj, në Shqipëri, gjithçka po nis nga e para…

T’i djegim!

Shqipëria e varfër ish komuniste po nxiton të zhvillohet. Por krahas rritjes ekonomike ajo po prodhon më shumë mbetje urbane.

“Rritja e mbetjeve bashkiake për banor në Tiranë është e krahasueshme, ose më e lartë, me qytetet e mëdha të botës”, — thuhet një raport të JICA-s, Agjencisë Ndërkombëtare Japoneze të Bashkëpunimit.

Raporti i hartuar prej 11 ekspertësh japonezë ka mbërritur në bashkinë e Tiranës qysh 2012, por deri tani, askush nuk e ka zënë me dorë. Miliona euro të shpenzuara janë arkivuar.

Në dhjetë vitet e fundit, sasia totale e mbetjeve në Europë, ka zbritur në 6 për qind, por në Shqipëri është dyfishuar. E kapur në panik, qeveria vendosi t’i djegë!

Për herë të parë, ajo aprovoi ndërtimin e tre inceneratorëve, fillimisht në qytetin e Elbasanit, më pas në Fier e, së fundi, muajin e shkuar, në Tiranë, natyrisht, sipas metodës së preferuar të saj: Partneritetit Publik Privat.

Por ajo që për zyrtarët publikë është një zgjidhje, për ekspertët dhe grupet e interesit është një vendimmarrje gabuar, problematike e madje, korruptive. Por le t’i marrim me radhë.

“Le të na thotë vendimmarrësi se ku është bazuar për këtë zgjedhje”, — thotë ekspertja mjedisore, Marianthi Guri. “Të na tregojë se cilit studim i është referuar”.

Strategjia Kombëtare e Mbetjeve është miratuar në vitin 2011 dhe incenerimi, pra djegia e kontrolluar mbetjeve, klasifikohet në fund të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, pas ripërdorimit, ripërtërimit dhe riciklimit.

“Këta po e kthejnë piramidën përmbys, duan të futin gjithçka në incenerator. Po hapen shumë inceneratorë!”, — shprehet Vullnet Haka, një prej përfaqësuesve të industrisë së riciklimit në Shqipëri.

Sipas Strategjisë, radha e investimeve është në përputhje me hierarkinë e mbetjeve. Por në pamundësi për të respektuar hierarkinë zyrtarët po ndryshojnë strategjinë.

“Pamjaftueshmëria financiare e bëri të parealizueshme këtë strategji. Objektivat e mëparshme ishin tepër ambicioze për kushtet tona”, — thotë një zyrtare e lartë në Ministrinë e Mjedisit.

Vështirë të vlerësosh objektivin, nëse nuk provon ta arrish.

Por ndonëse në pamjaftueshmëri financiare, qeveria sidoqoftë, shpenzoi miliona nga buxheti në favor të koncesioneve të incenerimit.

Për inceneratorin e Elbasanit u shpenzuan rreth 22 milionë euro. Pesë milionë euro më shumë u shpenzuan për inceneratorin e Fierit — rreth 50 milionë së bashku.

Paradoksalisht, qeveria po kërkon të hartojë një strategji të re, pasi vendimet janë marrë,

Në zyrat e GIZ-it — një njësi zhvillimi dhe bashkëpunimi në shërbim të qeverisë gjermane — kanë mbërritur ekspertë të rinj. Qeveria shqiptare ka porositur një platformë të re të menaxhimit të mbetjeve. Mbështetur me 330 mijë euro të financuara nga qeveria gjermane, një ekspert gjerman do të hartojë një plan të ri, që do të jetë gati në mars të 2018.

“Qeveria duhet të na thotë se çfarë kërkon të bëjë”, — thotë Hermann Plumm, drejtues i projektit të menaxhimit të mbetjeve të GIZ-it.

Z. Plumm është ekspert i mirinformuar.

“Direktiva evropiane është e qartë. Ajo mbështet ndarjen në burim dhe kryerjen e programeve të riciklimit”, — vëren ai. “Incenerimi zbatohet prej shteteve të industrializuara, qeveritë e të cilave kanë kapacitete të larta kontrolluese dhe aftësi të trajtimit të mbetjeve”, — përfundon.

Ajo çka Z. Plumm thotë, përputhet plotësisht me direktivat kryesore europiane. Por mungesa e një platforme zbatimi dhe neglizhenca në menaxhimin e mbetjeve solli dështimin e objektivave. Shqipëria e humbi betejën me riciklimin dhe qeveria i ra shkurt: vendosi t’i djegë.

Beteja për shishen

“Ne po humbasim lëndën e parë”, — konstaton Vullnet Haka nga Shoqata e Ricikluesve dhe President i kompanisë Everest. “Ata po djegin gjithçka!

Sipas të dhënave të publikuara prej Forumit për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD), Gjermania ricikloi 65 për qind të mbetjeve në vitin 2013, përpara se t’i dërgonte ato nëpër inceneratorë.

Në Gjermani, për çdo material plastik apo shishe plastike të ricikluar ju mund të fitoni njëzet e pesë dhe shtatë cent respektivisht.

Shqipëria nuk ka asnjë program për zvogëlimin dhe riciklimin e mbetjeve.

“Shtimi i pakontrolluar i sasisë së mbetjeve do të rrisë, pashmangshmërisht, kostot e menaxhimit, — shprehet, jo pa dëshpërim, Znj. Marianthi Guri, eksperte mjedisore.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit kanë pohuar se qytetarët e Tiranës “mund të paguajnë 29 euro (pa tvsh) për çdo ton mbetje të dërguar në incinerator” pasi ai të ndërtohet.

Shumë pak njerëzve u shkon në mendje se në temperaturat e ulëta, brenda frigoriferit të shtëpisë strehohen materiale me fuqi të larta kalorifike. Nga djegia e shisheve plastike dhe e kanaçeve të aluminit sigurohet një nxehtësi e krahasueshme me nxehtësinë që përftohet prej djegies së naftës. Në këtë mënyrë, inceneratorët prodhojnë energji të madhe në një kohë më të shpejtë.

Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore të Shërbimit të Shkencës dhe të Dijes të Komisionit Europian mbi Menaxhimin e Mbetjeve Bashkiake “incenerimi mund të jetë me leverdi ekonomike për rryma të caktuara mbetjesh, të cilat kanë vlera të larta kalorifike, por nëse përfshihen edhe kostot e jashtme (p.sh. nëse llogariten kostot e impaktit në mjedis), riciklimi rezulton me kosto më të ulët për shoqërinë”.

një tjetër studim të bërë prej Solvey S.A., një prej kompanive më të mëdha në botë për prodhimin e plastikës, u përdor një tjetër parametër thelbësor: energjia që kërkohet për prodhimin e një produkti përmes riciklimit e krahasuar me energjinë për prodhimin e tij nga e para (pas eliminimit të produktit të vjetër në incenerator).

Kështu, gjatë riciklimit të një produkti të vjetër për të ndërtuar një të ri, ne përdorim vetëm gjysmën e energjisë së nevojshme, nëse, pas djegies së produktit të vjetër në incenerator, do të prodhonim një të ri nga e para.

Studimi provon se falë riciklimit, emetohen në atmosferë vetëm 39 për qind të gazrave “serrë”, nëse nuk e prodhojmë produktin nga e para. Pra, riciklimi e ul ngrohjen globale me 39 për qind, pikërisht sepse, gjatë procesit, kërkohet më pak energji.

Por, sipas studimit, efektet pozitive të riciklimit në mjedis shtrihen më tej.

Vlera e ulët e energjisë së shpenzuar gjatë riciklimit, në krahasim më vlerën e lartë të energjisë së shpenzuar, kur produktin e prodhojmë nga e para, mbron shtresën e ozonit dhe ul përqëndrimin e acideve në atmosferë, rreth dy herë më shumë.

Rezultati është i qartë: riciklimi siguron një mjedis më të pastër se sa incenerimi.

Por për zyrtarët në Shqipëri kjo nuk përbën shqetësim!

Zyra 13/2

Në verën e vitit 2014, themeluesja e Albtek Energy sh.p.k., Stela Gugallja, u ngjit në katin e trembëdhjetë të godinës Sky Tower në Tiranë dhe regjistroi zyrën me numër 13/2 si adresë të kompanisë së sapoformuar. Pastaj u ul e shkruajti një letër në adresë të qeverisë. Ishte kërkesa e parë dhe kërkonte ngritjen e një inceneratori në qytetin më të ndotur të Shqipërisë, në Elbasan.

Pas pak javësh, Albtek Energy u shpall “fituese” e një gare pa konkurentë, me vlerë rreth 22 milionë euro dhe nënshkroi me qeverinë kontratën e bashkëpunimit për ndërtimin e inceneratorit në Elbasan.

Më pas, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi projektin dhe Ministria e Mjedisit nxitoi të lëshonte lejen mjedisore.

Banka Credins miratoi kredinë e kërkuar nga kompania dhe qeveria i dha asaj të drejtën për të ndërtuar dhe për të shfrytëzuar inceneratorin e Elbasanit.

Pas një viti të plotë, në 25 gusht 2015, kur çdo procedurë ligjore me qeverinë kishte përfunduar, Albtek Energy sh.p.k. doli nga Zyra 13/2 në godinën Sky Tower.

Por Zyra 13/2 strehonte njëkohësisht edhe një tjetër kompani, Integrated Technology Service sh.p.k., me administrator dhe pronar të vetëm Klodian Zoton.

Por Albtek Energy dhe Integrated Technology u ribashkuan në një vendndodhje të njëjtë zyrash disa javë më pas, në të njëjtën ditë. Në datën një tetor, ndonëse në seli të ndryshme, kompanitë njoftuan secila më vete çeljen e një adrese të dytë, që ndodhej çuditërisht në të njëjtin vend: “Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan”.

Ky ndryshim u bë vetëm një javë pasi Banka Credins i kishte dhënë Albtekut kredinë për të ndërtuar inceneratorin. Dukej pra, që kompanitë, përveç zyrave, po ndanin edhe bizneset.

Integrated Energy nuk ndaloi këtu. Ashtu si Albtek një vit më parë, kompania i dërgoi qeverisë një letër, ku i kërkoi të ndërtonte një incenerator në Fier.

Qeveria u vu menjëherë në lëvizje dhe në shtator të 2016, “Integrated Technology” konkuroi e vetme dhe u shpall fituese, duke siguruar të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Fierit, me vlerë 28 milionë euro. Adresa mbetej përsëri, e famshmja, Sky Tower, Zyra 13/2.

Më pas, së bashku me dy ortakë të tjerë, Integrated Technology i dërgon qeverisë një letër të dytë, ku i kërkon një incenerator tjetër, por këtë radhë në Tiranë dhe, natyrisht, më të madh.

Qeveria vihet përsëri menjëherë në lëvizje dhe shpall tenderin për ndërtimin e inceneratorit. Qeveria e favorizon Integrated Technology duke i dhënë paraprakisht disa pikë bonus.

Pak javë më parë, Agjencia e Prokurimeve e Publike njoftoi rezultatin e këtij tenderi për inceneratorin e Tiranës. Natyrisht, Zyra 13/2 u shpall përsëri fituese: Integrated Technology së bashku me dy ortakët e saj do të ndërtojë Inceneratorin e Tiranës.

Brenda një periudhe dy vjeçare, një zyrë e vetme — Zyra 13/2 në katin e trembëdhjetë të godinës Sky Tower në Tiranë — siguroi një sërë kontrata prej dhjetëra milionë eurosh, siguroi të drejtën për incenerimin e mbetjeve në më shumë se gjysmën e vendit, siguroi të drejtën për të prodhuar dhe për të shitur energji elektrike dhe përfitoi falas mijëra hektarë tokë publike në favor të bizneseve të saj.

Ndonëse pa asnjë përvojë në menaxhimin e mbetjeve, përmes kompanive të saporegjistruara pa asnjë aktivitet tjetër, një grup i ngushtë personash shënuan “një histori suksesi”, qysh në muajt e parë të kësaj sipërmarjeje.

Ne i pyetëm këta biznesmenë se në ç’rrethana u përfshinë ata në menaxhimin e mbetjeve; se përse vendosën të rrezikojnë duke investuar në incenerim, në një kohë që prioritetet sipas legjislacionit ishin të tjera; se cila ishte eksperienca e tyre dhe e stafit të tyre në këtë fushë dhe, a mos përmes kompanive me emra të ndryshme fshiheshin përfitues të njëjtë?

Nuk morëm asnjë përgjigje.

Në këto kushte zgjodhëm të hulumtojmë dokumentacionin.

Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka, ka deklaruar se nuk e ka mbështetur Integrated Technology, duke pretenduar se qeveria përpara zhvillimit të procedurës përzgjedhëse për inceneratorin e Fierit, ka dhënë një bonus prej 10 për qind të pikëve në favor të një kompanie tjetër.

Bëhet fjalë për kompaninë Building Construction & Green Energy (BCGE). Por kjo kompani nuk u fut asnjëherë në garë — Integrated Technology konkuroi e vetme për inceneratorin e Fierit.

Por të dhënat e regjistrave tregtare zbulojnë arsyen pse BCGE nuk mori pjesë në garë: pak përpara garës, Integrated Technology bleu 50 për qind të kapitalit të BCGE-së.

Ndaj, pretendimi i ministrit është i pavlerë, pasi Integrated Technology, do të ishte shpallur sidoqoftë fituese.

Por le të qëndrojmë te Building Construction & Green Energy. Ajo u themelua në 29.10.2015 me një kapital të ndarë mes tre ortakësh, njëri prej të cilëve, ECOALB FR, me 50 për qind të kuotave, në pronësi të Znj. Sevi Zani. Por në kohën e themelimit, Znj. Sevi Zani ishte një juriste e punësuar e Integrated Technology Service, që kishte si administrator dhe pronar Z. Klodian Zoto.

Punonjësja Sevi Zani depozitoi 25 milionë lek si kapital themeltar për shoqërinë BCGE që krijoi dhe tre muaj më vonë ajo ia shiti gjithçka punëdhënësit të saj, pra Integrated Technology Service të Klodian Zotos.

Pak muaj pas krjimit, Building Construction & Green Energy, e freskuar me ortakë të rinj, i kërkoi qeverisë ndërtimin e një inceneratori në Fier.

Tre muaj më pas, në maj 2016, qeveria Rama, vendosi të çelë tenderin për inceneratorin e Fierit dhe përmes një vendimi “bujar”, i dhuroi kompanisë BCGE-së 10 për qind të pikëve.

Por BCGE vendosi të tërhiqet! Integrated Technology Service garoi e vetme dhe u shpall fituese.

Natyrisht që thelbi mbetej i njëjtë, pasi ITS, do të shpallej fituese në të dyja rastet. Por megjithatë, një pyetje mbetet: si shpjegohet kjo tërheqje. A mos vallë vetëm për të rrëzuar hipotezat se kompania fituese nuk u favorizua prej bonusit?

Në të vërtetë, Ministri i Mjedisit u justifikua pikërisht me këtë argument, se sipas tij, “kompania që kishte fituar bonus nuk u përfshi në garë”. Por një arsyetim i tillë është i panevojshëm dhe naiv. Ja sepse!

Për të kuptuar më shumë, le të kthehemi te ECOALB FR, kompania që zotërohej prej Znj. Sevi Zani, e cila, pak përpara marrjes së bonusit, ia shiti aksionet Z. Klodian Zoto, zotëruesit të Integrated Technology Service.

ECOALB FR ishte themeluar në tetor të 2015 dhe si adresë kishte: Ap. 68, në hyrjen nr. 4, te Pallatet Agimi. Por në 26 mars 2016, këtu, në të njëjtën adresë, vetëm pak javë përpara se qeveria të çelte tenderin për inceneratorin e Fierit, mbërriti një tjetër kompani: C.G.C sh.p.k., pronarja e së cilës ishte… Stela Gugallja — pikërisht biznesmenia e cila, një vit më parë kishte fituar inceneratorin e Elbasanit dhe tani po ribashkohej përsëri më ortakun e saj të vjetër Klodian Zoto, që disa muaj më pas u shpall fitues i inceneratorit të dytë, atij të Fierit.

Po përse vendosi C.G.C. të lëvizë? Nëse hulumtojmë dokumentacionin do të shikojmë se adresa e vjetër e CGC është zyra 13/2. Largimi i saj prej zyrës, tani që bashkëpunëtori Klodian Zoto ishte përfshirë në secilën prej kompanive që kishin treguar interes për inceneratorin e Fierit, a mos kishte për qëllim të dobësonte lidhjen me bashkëpunëtorin në sytë e publikut?

Disa muaj pasi Integrated Technology Service kishte mbetur e vetme në zyrën 13/2, kompania konkuroi e vetme dhe fitoi të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit. Përshtypja e dhënë, se në Fier kishte fituar një tjetër kompani, rezultoi e suksesshme.

Por thelbi ishte i qartë: në përpjekje për të zgjidhur keqmenaxhimin e mbetjeve, qeveria kishte mbështetur financiarisht vetëm një rreth të ngushtë njerëzish.

Sidoqoftë, le të shkojmë më tej!

Në shtator të 2016, Integrated Technology Service Sh.p.k. dhe Energy 2 srl (një kompani e regjistruar në Itali) fituan të drejtën për ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Më pas, ato ia transferuan këto të drejta një tjetër kompanie, të sapothemeluar: Integrated Technology Waste Treatment Fier sh.p.k., e cila kishte të njëjtën adresë, të famshmen, zyrën 13/2.

Më pas, Integrated Technology u bë zotërues i 70 për qind të kapitaleve të shoqërisë së re, duke “ia shitur” pjesën tjetër të kapitaleve (30 për qind) një kompanie tjetër, për 250 dollarë. Ortaku i ri ishte Ndërtim Montim Patos sh.p.k.”, i cili për “rastësi” ishte përfituesi, tetorin e shkuar, i rreth 700 milionë lek fonde publike për zhvendosjen e mbetjeve të vjetra të Elbasanit në landfillin e ri, pikërisht në adresën e dytë që Albtek Energy dhe Integrated Technology kishin hapur: Kantieri i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan.

Por suksesi i Integrated Technology Service sh.p.k. shtrihet më tej. Kompania fitoi të drejtën për transferimin e mbetjeve urbane të qytetit të Elbasanit, vetëm disa muaj përpara operimit të impiantit të ri. Kompania gjithashtu menaxhon një stacion transferimi të mbetjeve në Kavajë, qytet ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit.

Ne hulumtuam të dhënat e publikuara nga Open Spending Albania mbi transaksionet e kryera nga Thesari i Shtetit për llogari të institucioneve buxhetore. Për vitin 2016, shuma totale e urdhëruar prej Thesarit për Ministrinë e Mjedisit, në favor të të tretëve ishte pak më shumë se dy miliardë lek (saktësisht 2 128 364 299 lek).

Nga këto, 1,7 miliardë lek kishin shkuar në favor të vetëm katër kompanive të përfshira në biznesin e menaxhimit të mbetjeve: IIntegrated Technology, Ndërtim Montim Patos, Albtek Energy dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier.

Pra, për çdo 100 milionë lek që Ministria e Mjedisit kishte shpenzuar në vitin 2016, 80 milionë ishin shpenzuar në favor të kompanive të inceneratorëve.

Vlen për t’u theksuar se kompania që do të ndërtojë inceneratorin e Fierit, Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka përfituar deri tani 11 pagesa në para prej Ministrisë së Mjedisit me vlerë mbi 650 milionë lek, edhe pse ndërtimi në fjalë nuk ka filluar ende, për shkak se banorët përreth e refuzojnë ndërtimin e tij.

Natyrisht, fituesja e madhe ishte zyra 13/2. Dhe jo vetëm falë koncesioneve të inceneratorëve.

Integrated Technology Service sh.p.k u përzgjodh prej Ministrisë së Mjedisit edhe për zbatimin e dy veprave të tjera publike: ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Ishëm dhe ndërtimin e impiantit të pastrimit të Lumit Shkumbin.

Kështu në pak muaj, falë operacioneve financiare dhe marifeteve, herë ta hapura dhe herë te fshehura, duke luajtur me adresa kompanish dhe transferta kapitalesh, brenda një rrethi të ngushtë të besuarish, një grup i vogël njerëzish në zyrën 13/2 të Sky Tower, përfituan shuma të mëdha prej fondeve publike dhe arritën “qiejt” e vërtetë të suksesit.

Dështimi i politikave të menaxhimit të mbetjeve nga disa qeveri radhazi u shndërrua në një përfitim të papritur financiar për aksionerët dhe ortakët e zyrës 13/2.

Qershia mbi tortë

Inceneratori i Tiranës është inceneratori i tretë i aprovuar nga qeveria shqiptare dhe më i madhi. Zyra 13/2 është pjesë edhe e këtij suksesi.

Integrated Energy B.V., një kompani e themeluar vitin e shkuar në Amsterdam, u mbështet paraprakisht me një bonus prej 8 për qind të pikëve, dhe u shpall fituese, në një garë ku ajo konkuroi e vetme.

Por dhjetorin e shkuar, Vincent Van Gerven Oei, gazetar dhe publicist i Exit.al, zbuloi se Klodian Zoto, pronari i Integrated Technology Service sh.p.k, ishte një prej tre themeluesve të Integrated Energy B.V. Në një prej shkrimeve në Exit.al, ai shpjegoi se në bordin drejtues të Integrated Energy B.V., janë përfshirë ekspertë hollandezë, të specializuar për krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për shmangien e taksave.

Ne i telefonuam kompanisë Integrated Energy B.V. në Amsterdam dhe biseduam me Z. Hans Wallage, një prej drejtorëve të emëruar të saj, i cili na shpjegoi se, ndonëse kompania nuk kishte përvojë në menaxhimin e mbetjeve, tenderi i Tiranës ishte parë si një mundësi e mirë biznesi prej aksionerëve të kompanisë.

Por ai nuk e shpjegoi dot se në ç’rrethana ishin njohur ata me këtë mundësi. Ai nuk iu përgjigjes pyetjes, se cili ishte pronari i vërtetë i kësaj kompanie. Por konfirmoi se e njihte Klodian Zoton.

Ligji hollandez lejon fshehjen e pronarëve të kompanive, madje edhe kur ata zotërojnë vetëm 1 për qind të aksioneve.

Sidoqoftë, duhet të presim janarin e vitit 2018, kur qeveria holandeze, nën presionin e BE-së, ka premtuar të publikojë emrat e pronarëve të kompanive financiare të regjistruara në Hollandë. Ndonëse jo plotësisht, por të paktën, të atyre që zotërojnë mbi 25 për qind të aksioneve. Le të presim!

Sidoqoftë hulumtimet tona tregojnë se rrethi pas Integrated Energy B.V. përfshin të njëjtët njerëz. Dhe Klodian Zoto nuk është i vetmi.

Ernesto Granelli, projektuesi i incenenatorit të Elbasanit është një prej themeluesve të tjerë të Integrated Energy B.V. Por Z. Ernesto Granelli dhe administratorja e Albtek Energy, Stela Gugallja, janë ortakë: ende pa u çelur proçedurat për inceneratorin e Tiranës, në 25.4.2016, ata themeluan një kompani të përbashkët, E.R. One Albania sh.p.k.

Ndërkohë që numri inceneratorëve të projektuar rritet, lidhjet mes njerëzve të pakët që i menaxhojnë ato, shtohen!

Beteja për Sharrën

Diego Testi, një prej inspektorëve të suksesshëm të Bashkisë së Veronës në menaxhimin e mbetjeve, është personazhi pozitiv që Erjon Veliaj, kryebashkiakua i Tiranës, ka zgjedhur për të përmirësuar imazhin e dëmtuar, qysh prej vdekjes dramatike, vitin e shkuar, të një të mituri, në venddepozitimin e mbetjeve në Sharrë.

I mbërritur këtu prej disa muajsh, italiani që drejton Eco Tiranën, një kompani publike shqiptare e themeluar nga Bashkia e Tiranës, po përpiqet të menaxhojë mbetjet e pamenaxhueshme të kryeqytetit.

Ndonëse Plani Kombëtar i Menaxhimit këshillonte grumbullimin e ndarë në katër rryma — letër, metal, plastik dhe qelq — administratori i ri u përshtat shpejt me “traditën” vendase, duke i bashkuar në një kazan të vetëm.

“Këtu mbetja është kthyer në një problem, por ajo duhet parë si një burim të ardhurash, — thotë administratori italian në zyrën e tij modeste, në qendër të kryeqytetit.

Falë premtimeve të Eco Tiranës, për ndarjen e mbetjeve, shpresat e ricikluesve për lëndë të parë u shtuan.

“Së shpejti në Sharrë do të vendoset një impiant i ri për ndarjen e mbetjeve”, — tregon Bardhyl Balza, President i Shoqatës së Ricikluesve Shqiptarë. “Ne kërkojmë të jemi pjesë e këtij procesi, ne kërkojmë të bashkëpunojmë me Eco Tiranën për të furnizuar bizneset tona”.

Por ricikluesit shqiptarë nuk janë në planet e bashkisë. Nuk kanë qënë asnjëherë!

“Në Shqipëri ka shumë inisiativa të vogla që menaxhojnë riciklimin, — sqaron Diego Testi, — por asnjë prej atyre që unë kam parë nuk e ka idenë e përpunimi modern të mbetjeve.”

“Eco Tirana” ka një tjetër plan.

Ne zbuluam se, pak javë më parë, në Tiranë u themelua Eco Recycling sh.p.k., një shoqëri biznesi me objekt të veprimtarisë, përpunimin dhe përzgjedhjen e mbetjeve urbane.

Por Eco Recycling është një bashkim i Eco Tirana dhe Meg Albania. Pavarësisht nga emri, Meg Albania është një kompani me kapitale italiane që, ndonëse administrohet prej një shqiptari, ajo është themeluar në Verona, në vitin 2005 dhe i përket një biznesi familjar e me një numër të vogël punonjësish.

Sidoqoftë, përmes një skeme të thjeshtë, duke i lejuar kontrollin e paketës, prej 51 për qind të kapitaleve të Eco Tiranës, Meg Albania po përfiton, pa garë, një treg të ri për biznesin e saj.

“Në Sharrë do të vendoset një impiant i ri për ndarjen e mbetjeve. Do të menaxhohet nga një kompani private, por do të jetë nën kontrollin publik”, — shpjegon, pa e përmendur emrin e kompanisë, Diego Testi.

Është i pashpjegueshëm besimi që Eco Tirana ka ndaj një kompanie të vogël veroneze, kundrejt industrisë qindra milionë dollarëshe të riciklimit në Shqipëri.

Objekti i veprimtarisë së Eco Recycling është zgjeruar papritur dhe tani përfshin “analizimin e mbetjeve, kontrollin e shkarkesave të impianteve, si dhe bonifikimin dhe rehabilitimin e territoreve”.

Me projektin e inceneratorit të ri në horizont, e ardhmja është premtuese edhe për kompaninë e vogël veroneze Meg Albania.

Por modeli për shndërrimin e problematikave të mbetjeve në biznese favoresh, po shtrihet edhe në qeverisjen lokale, dëshpërimisht!

Ne po digjemi!

Ervin Goci, pedagogu i Fakultetit të Gazetarisë po udhëton drejt Elbasanit. Atje në Fushë-Mbret, pranë shtratit të ndotur të Shkumbinit, inceneratori po punon me kapacitet të plotë.

“Banorët po ankohen nga era e keqe. Po shkojmë t’i pyesim. As ne nuk po kuptojmë”, shprehet ai.

Së bashku me të, në një makinë të vogël, ndodhen edhe dy aktivistë të tjerë.

Në Tiranë aktivistët e AKIP, një inisiativë qytetare kundër importit të mbetjeve po nxitojnë të informojnë publikun.

Qeveria ka në plan të ndërtojë të tjerë inceneratorë.

Në Shijak, në një qytet të vogël pranë Tiranës, banorët u përleshën me administratorët e një kompanie private që kërkoi leje për të djegur mbetjet urbane në një impiant, shumë pranë qendrës së qytetit.

Në rrugët e kryeqytetit ne pyetëm me dhjetëra njerëz, se çfarë mendonin ata për pastrimin, për mbetjet nëpër kazane dhe djegien në inceneratorë. Përgjigjet ishin të qarta dhe rezultatet, lehtësisht të kuptueshme: shqiptarët kërkojnë një mjedis të pastër. Ata u shprehën kundër inceneratorëve dhe pro riciklimit.

Kështu, në çdo pesë persona të pyetur, katër u shprehën kundër incenerimit dhe po kaq kundër importit të mbetjeve.

Por sidoqoftë njëri prej rezultateve ishte, jo fort motivues. Mbetjet nuk ndaheshin dhe përfundonin në cilindo prej kazanëve të ngjyrosur nga bashkia, pavarësisht përmbajtjes se tyre.

“Por unë do ta bëja, — tha një grua e re, — nëse bashkia do të ofronte kazanë të mjaftueshëm, por e di se dy kazanë nuk mjaftojnë”.

“Ky numër në rritje inceneratorësh do të kërkojë lëndë të parë, të cilën qeveria mund t’ua sigurojë vetëm duke legalizuar importin e mbetjeve, — thotë Goci. “Duhet reaguar, sa nuk është vonë”.

“Nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh, thotë Balza”, Presidenti i Ricikluesve. De facto, ky është një falimentim. Më mirë të largohemi në Maqedoni apo Serbi. Mund t’i zhvendosim atje impiantet tona të riciklimit”.

Në Fier njerëzit u rebeluan. Autoritetet janë tërhequr dhe inceneratori nuk ka filluar ende të ndërtohet. Natyrisht, përkohësisht.

Në Elbasan, në Fushë-Mbret, atje ku furrat punojnë 24 orë në ditë, banorët kanë filluar të ngrejnë zërin për erën e keqe dhe tymin e bardhë.

Njerëzit duhet të dëgjohen.

Artan Rama

gazetar i pavarur në Tiranë i cili ka prodhuar disa programe televizive. Ai fitoi së fundi Çmimin e Dytë të BE-së për Gazetarinë Hulumtuese 2016.